Punëtorët e Universitetit, protesta në rast të mosrritjes së pagave

Nëse nuk ngriten pagat e punëtorëve të Administratës së Universitetit të Prishtinës, pas 1 qershorit do të ketë protesta.
Kështu paralajmërojnë zyrtarë administrativë të Universitetit të Prishtinës, të pakënaqur me pagesat e tyre, në krahasim me punët që bëjnë.
Pos që nuk u janë paguar shujtat, ndonëse u ishin premtuar, ata thonë se kur ishin ngritur pagat mësimdhënësve të UP-së, për administratë nuk kishte ndodhur asnjë ndryshim.
Kurse kur me vendim të Qeverisë ishin rritur pagat e shërbyesve civilë, ngritje nuk kishin ndodhur në administratën e UP-së.
Bardh Bardhi, zyrtar i lartë për financa dhe kontabilitet në Fakultetin Teknik, njëherësh sindikalist në Sindikatën e UP-së, ka thënë se tashmë kanë alarmuar universitetin. “Ose të na i rrisin pagat, ose më 1 qershor do të ngrihemi në protesta” (Tribuna)