Publikohen nga shtëpia botuese “Naimi” kujtimet historike të mjekut italian që luftoi në Shqipëri
Tiranë-Zbulohen personazhet reale të romanit “Njeriu me top” të D. Agollit-“Topi” i Mato Grudës dhe historia e vërtetë e Beqir Ballukut dhe Riza Kodhelit
“Më 8 shtator 1943 gjermanët zunë garnizonin e Korçës, repartet e dislokuara në Pogradec, në Leskovik e afër kufirit greko-shqiptar. Në Korçë gjermanët pushkatuan shumë oficerë, midis të cilëve edhe mikun tim, nëntogerin Bonafedi nga Roma. Gjithashtu, 17 ushtarë dhe rreshteri Karli nga Koparo u shkuan në grykën e pushkës, sepse nuk kishin dashur t’i bindeshin urdhrit të dorëzimit. Unë, së bashku me nëntogerin Piponci nga Pietragala (Potenca) e rreshterin Italo Rizi nga Rosçino (Salerno), si dhe 37 ushtarë të armatosur deri në dhëmbë, lamë fshatin e Mborjes, fare afër Korçës, ku kishim qenë deri atëherë dhe u bashkuam me partizanët.
Pasi kishim përshkuar fushën e Korçës, në afërsi të Boboshticës, u ngjitëm në malet në drejtimin e kundërt dhe mbërritëm në Voskopojë. Atje takuam partizanët. U vumë në dispozicion të gjithë me armatimet individuale e për më tepër edhe disa kaseta me predha mortajash 81 mm. Partizanët nuk bënë asnjë përpjekje për të na çarmatosur.
Qemë strehuar pranë kazermave e barakave që më parë u përkisnin karabinierëve. Takova aty disa oficerë, tashmë në shërbim pranë Gjykatës Ushtarake të Korçës, togerët Falko, Celi e Karfanja. Kishte mjaft ushtarakë të cilëve u drejtohej në mënyrë të veçantë propaganda e agjitatorëve komunistë shqiptarë…
Ndërkohë që gjendesha akoma në Voskopojë, një ditë erdhi kreu i famshëm partizan Riza Kodheli, i cili më propozoi që, bashkë me togerin Di Falko e rreshterin Rizi, si dhe me gjithë kompaninë, t’i bashkohesha batalionit partizan “Tomorri” që komandohej prej tij. Riza Kodheli më pyeti nëse dija të përdorja mortajat dhe, si mori prej meje përgjigje pohuese, më besoi të vetmen mortajë 81 mm që dispononte batalioni, si dhe një skuadër partizane për mbrojtjen nga afër të armës.
Bashkëpunonin me mua edhe oficerët e ushtarët italianë që përmenda më sipër, pas pranimit për t’u rekrutuar në radhët e batalionit “Tomorri”. Municionet e disponueshme për mortajën ishin ato që kishim sjellë ne me vete. Kodheli ishte një komandant guerriljesh i lindur, për të cilin kjo lloj lufte ishte çështje jete.
Nisi kështu aventura ime e gjatë bashkë me partizanët shqiptarë. Batalioni “Tomorri” me grupin e artilerisë (siç e quante Kodheli mortajën e tij të vetme), filloi eskursionet e shpejta në rajonin e Korçës e të Kolonjës. Aksioni i parë që ndërmorëm ndodhi në afërsi të fshatit Polenë, ku u sulmuam nga një formacion patrullimi gjerman. Gjatë luftimit komandanti më urdhëroi të qëlloja me mortajë, ndërsa batalioni po mundohej t’i ndalonte gjermanët me një zjarr të dendur pushkatar. Sheshova mortajën në një pozicion që zotëronte luginën ku kishte zënë vend armiku dhe nisa disa të jap disa goditje me mortajë. Rezultati ishte shumë më i madh nga sa pritej, sidomos për efektin psikologjik që patën goditjet e mia në moralin e partizanëve. Armiku u tërhoq. Nga ana e jonë nuk pati humbje, ndërsa gjermanët lanë në fushën e luftimit disa të vdekur.
Për më tepër partizanët zunë katër robër, të cilët me urdhër të komandantit u pushkatuan menjëherë dhe u zhveshën nga rrobat. Pas këtij suksesi Riza Kodheli dhe gjithë partizanët e batalionit shprehën admirimin e tyre në drejtimin tim me terma entuziaste, të tilla që vetëm njerëz të pagdhendur mundnin të shprehin.
Konsiderata e lartë për mua u rrit jashtë mase ndonjë javë më vonë, kur, me disa goditje të matura mirë, i rashë në kokë një fshati të vogël në afërsi të Ersekës, të zënë nga ballistët, armiq të Riza Kodhelit, duke i shtrënguar ata t’ia mbathnin nga sytë këmbët. Plaku kërcente përpjetë nga gëzimi. Pasi hyri në fshat dhe dogji disa shtëpi të kundërshtarëve të vet, ai më ftoi mua dhe italianët e tjerë të hanim me të.
Menjëherë pas kësaj u nisëm për Shtëmnicë. Ishte një mbasdite e qartë me diell. Ishim duke përshkuar një lëndinë që shëmbëllente me një kopsht japonez, kur u sulmuam nga një formacion gjerman. Ushtari Xhuzepe Mileti, që ishte në pararojë, u gjend i pari nën breshërinë e plumbave të një patrulle armike. Hapi zjarr menjëherë, vrau dy gjermanë të patrullës, por mbeti për vete edhe i vrarë, duke marrë një plumb në ballë. I gjithë batalioni u angazhua në një aksion luftarak të ashpër, në të cilin mora pjesë edhe unë me mortajën time. Armiku u detyrua të braktisë fushën e betejës. Trupi i heroit Mileti, pasi ju bënë nderimet ushtarake, u transportua me mushkë në Çemericë, fshati i lindjes së Riza Kodhelit dhe u varros në qafën e Martës.
Pas disa ditësh pushimi në Çemericë, u drejtuam nga veriu dhe, duke kaluar lumin Devoll, arritëm në zonën e Mokrës. Batalioni thuajse u rrethua nga gjermanët. Shpëtuam me mundim, duke u kthyer mbrapa e duke kaluar sërish Devollin. Gjatë kthimit togeri Di Falko u ngatërrua e mbeti mënjanë. U kap rob nga gjermanët, por siç mora vesh më vonë, nuk u pushkatua, duke mos u njohur nga askush si oficer. Arriti të arratisej dhe të bashkohej sërish me partizanët në Voskopojë, por gjatë spastrimit tjetër armik mbeti i plagosur rëndë. Të paqarta më mbetën edhe lajmet për fatin e mëtejshëm të tij. Unë nuk e ripashë më.
Duke i shpëtuar rrethimit të gjermanëve, batalioni “Tomorri” përshkoi gjerë e gjatë zonat e Skraparit e të Tomoricës dhe zhvilloi beteja të ashpra kundër forcave balliste. Në afërsi të Mirasit, një goditje e mortajës sime nxori jashtë luftimit shtatë ballistë, duke nxitur entuziazmin e Kodhelit. Ky aksion provokoi një spastrim të ri, të ekzekutuar bashkërisht nga gjermanët dhe ballistët, në vijim të të cilit u zhvendosëm sërish në zonën e Korçës dhe, prej aty, deri në afërsi të Përmetit. Vazhduam të endeshim nëpër male me ditë e me javë, të ndjekur nga gjermanët, të cilët ndërkohë kishin filluar “Operacionin e Dimrit”, të shtrirë në të gjithë rajonet e Shqipërisë”…
Në ditët e para të gushtit erdhi në Çepan komisari i Brigadës së 2-të, Vasil Konomi, me urdhrin e transferimit tim pranë kësaj brigade që e kish bazën e saj në Vithkuq, fshat malor afër Korçës. Një urdhër i njëjtë ishte përpiluar edhe më parë për togerin Belodi. Midis Çepanit dhe Vithkuqit është një largësi prej rreth 40 km. Por pjesa e fundit e rrugës sonë, pas Panaritit, shkonte përmes një pylli të dendur në ngjitje të vazhdueshme, deri në qafën e Kumbullës. Arritëm në Vithkuq nga darka, pas një rropatjeje të lodhshme. Dhe më kujtohet, si e një e papritur për mua atë kohë, që fshati ishte i ndriçuar me dritë elektrike.
Komandanti i Brigadës së 2-të, Beqir Balluku, ishte një kapobandë tipike shqiptare: oportunist dhe i egër, i zoti sa s’ka për të ndjekur personin; ai shprehte kështu instiktet sekrete të racës së vet. Lufta e shqiptarëve kundër turqve për shekuj ka qenë një rrokullimë e vazhdueshme reprezaljesh të egra e të përgjakshme. Prej shekujsh vetëm ky instikt, i pandrydhur, ka qenë në bazë të jetës së shumë shqiptarëve.
Mënyra e tyre e të kuptuarit e të zhvilluarit të luftës partizane ishte tregimi më i mirë i këtij instikti dhe rrethanat aktuale tek e fundit të jepnin të kuptoje bazën më të përshtatshme për vlerësimin e tendencave të këtilla. Gjatë okupacionit italian Beqir Balluku kishte ndjekur shkollën për nënoficer, duke dalë prej saj me gradën e rreshterit. Më pas ballistët i kishin vrarë një vëlla. Tani që ishte bërë komandant, ai po u kthente borxhin atyre. Ishte tek e fundit hakmarrja e gjakut, që përcillet nga brezi në brez dhe që në mendjen e tij gjente një përligjje logjike, të lindur mbi traditat e të themeluara nga të parët e tij.
Kur komisari i brigadës më njohu me të, u gjenda përballë një mesoburri të dobët shtatlartë, me sy të zinj, të vegjël e të lëvizshëm si të shqarthit dhe një buzëqeshje përtallëse mbi buzë. Mbante krahaqafë një dylbi dhe një çantë me harta topografike. Më bëri disa pyetje mbi partizanët e mi të mëparshëm e pastaj më ftoi t’i hidhnim një sy rrafshit të Korçës. Dolëm dhe u vumë në rrugë jashtë fshatit, tatëpjetë malit. U bashkua me ne edhe togeri Belodi.
Balluku ecte përpara me hap elastik, si një dre. Ne mezi e ndiqnim. Në një çast ndaloi, nxori nga çanta një hartë topografike dhe, duke ia treguar Belodit, tha: “Ne jemi këtu. Ti me mortajën tënde duhet të godasësh gjithë fshatrat e rrafshit në dorë të ballistëve!”. Ishte qesharake e absurde që, me një mortajë të vetme e me njëzet predha, ai mendonte të godiste gjithë rrafshin e Korçës. Belodi bënte gjoja sikur miratonte.
Gjatë muajve të gushtit, të shtatorit e të tetorit 1944, morëm pjesë në aksionet partizane që Brigada e 2-të, së bashku me Brigadën e 20-të, ndërmori në rajonin e Korçës. Shtabi i Përgjithshëm i kishte ngarkuar Beqir Ballukut dy detyra kryesore: të pengonte lëvizjet e autokolonave gjermane përgjatë rrugës Follorinë – Korçë dhe të sulmonte fshatrat e rajonit të Kolonjës të zënë nga ballistët. Në plotësimin e këtyre detyrave mortaja e Belodit bëri me të vërtetë mrekulli. Balluku duhej të kish kuptuar që konsiderata e lartë që miku im kishte patur pranë batalionit “Tomorri” të Riza Kodhelit, ishte plotësisht e përligjur. Goditjet e tij të matura mirë ndihmuan për të shkaktuar humbje të ndjeshme në autokolonat gjermane që vinin nga Follorina, siç ndodhi pranë Bilishtit, gjatë rrugës Korçë-Pogradec dhe në Qafë Thanë, afër liqenit të Ohrit, ku është bigëzimi që të çon në Elbasan dhe në Strugë. Aksionet shpaguese kundër forcave balliste u ekzekutuan në disa fshatra të rajonit të Kolonjës, si në Luaras, në Gostivisht, në Borovë, në Rehovë e në Prodan, gjithnjë me ndihmën e çmueshme të mortajës së togerit Belodi”…
(Fragment nga libri me kujtime “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948” (“La gurra più lunga: Albania 1943-1948”), me autor Franko Benantin, i sapobotuar në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Naimi”)
Libri i ri: Pas “Gjeneralit…”, botimet “Naimi” zbulojnë edhe “Njeriu me top” në kujtimet historike
Duket se botuesi Naim Zoto, i cili drejton shtëpinë botuese “Naimi”, ka patur fatin në anën e tij. Brenda një kohe shumë të shkurtër ka arritur të zbulojë e të publikojë disa libra me kujtime të cilat, veç interesit të madh për lexuesit, kanë ngjallur kërshëri e debat edhe në kategori më të specializuara siç janë historianët dhe studiuesit e letërsisë shqipe. Përmes librave me kujtime “Përpara gjyqit të historisë” me autor Xhelal Staraveckën dhe tashmë librit të sapodalë në librari ““Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948” (“La gurra più lunga: Albania 1943-1948”) të italianit Franko Benanti, shkruar të dy, pra, nga protagonistë dhe dëshmitarë okularë të historisë shqiptare, zbulohet edhe “origjina” e dy veprave të shkrimtarëve më të njohur: I. Kadare e D. Agolli, përkatësisht të “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” dhe “Njeriu me top”. “Gjenerali” dhe “vejusha” e tij apo Mato Gruda dhe “profesori italian i topit” rezultojnë të kenë qenë personazhe realë, të cilat në librat me kujtime të sipërcituar dalin me emra e mbiemra.
“Ky është i dyti libër që na bën të mendojmë se autorë parësorë të “Brezit të viteve 1960” në letërsinë shqipe kanë shkruar vepra që e bëjnë të detyrueshëm krahasimin ndërtekstor me botime që lexuesi shqiptar nuk i njihte, -shkruan studiuesi Shaban Sinani në pasthënie të librit. -Fati i kolonelit Gamuçi dhe i së vesë së tij në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” duket si i nxjerrë prej kujtimeve “Përpara gjyqit të historisë” të Xh. Staraveckës; kurse entuziazmi i një plaku shqiptar duke parë si artileria magjike e italianit mund të zhdukte një fshat të tërë ballist në hasmëri me të në Ersekë, kërcimet e tij entuziaste fëminore duke përkëdhelur topin, si dëshmon në kujtimet e tij Franko Benanti, botuar po në vitin 1966 në Itali, të kujtojnë Mato Grudën e romanit “Njeriu me top””.
Franko Benanti (1913-1987), autori i librit “Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948”, botuar e ribotuar disa herë në vendin e tij, në Itali, por që në gjuhën shqipe publikohet për herë të parë nga shtëpia botuese “Naimi”, është një prej dëshmitarëve të paktë të luftës dhe të pasluftës antifashiste në Shqipëri, që kanë shkruar për çfarë kanë parë dhe jetuar vetë gjatë atyre viteve të vështira. Duke qenë mjek i mobilizuar në ushtrinë fashiste, Benanti erdhi me një mision të përkohshëm në Shqipëri për herë të parë në vitin 1941, ndërsa nga gushti i vitit 1943 deri në qershorin e vitit 1948 ai do të bëhej pjesë e kalvarit që pësoi ushtria e Musolinit. Pas shpartallimit të ushtrisë italiane, autori i librit shërbeu si mjek në spitalet partizane e vitet e fundit si “plaçkë lufte”.
Pikërisht për shkak të profesionit, pra, duke bredhur nëpër spitalet ambulante të luftës në jug të vendit, Benanti do të njihte “pas perdes”, nga afër, disa prej protagonistëve të Luftës Çlirimtare dhe pushtetit komunist të dalë prej saj, duke filluar me Hoxhën, Shehun, Kapon, N. Spirun, Koçi Xoxen, Gogo Nushin, Drita Kosturin, Ibrahim Dervishin, Liri Gegën, Islam Radovickën, Liri Belishovën, Beqir Ballukun, Manush Myftiun, Riza Kodhelin, dr. Polenën, Sherif Klosin etj.
Në libër jepen informacione interesante edhe për aspekte e faktorë të tjerë të luftës si situata kaotike e shpartallimit të ushtrisë fashiste apo sakrificat dhe kontributi i atyre italianëve që, pas kësaj, iu bashkuan apo i shërbyen krahut antifashist dhe rindërtimit të vendit, ndërhyrjes jugosllave në politikën shqiptare.
Në këtë libër veçmas jepen të dhëna konkrete për fillimet e politikës ateiste të regjimit komunist si edhe represionin e ushtruar ndaj disa prej figurave të klerit katolik.
“Lufta ime më e gjatë: Shqipëri 1943-1948” (“La gurra più lunga: Albania 1943-1948”) është një libër i dobishëm, ku qindra lexues do të gjejnë të dhëna për jetëshkrimet e prindërve apo gjyshërve të tyre, ku studiuesit e historisë së luftës antifashiste do të gjejnë burime parësore për verifikimin e pikëpamjeve dhe të tezave të parashtruara deri më tani; ku mund të vërejnë edhe pamjen e vërtetë të fashizmit në periudhën e rënies.