Eko Higjiena

Pse duhet votuar projektligji për burimet

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nga Alma Lama – Para një viti kam propozuar që gazetarët në Kosovë të marrin një status të privilegjuar, nëpërmjet miratimit të një ligji, i cili i mbron burimet konfidenciale. Ky propozim erdhi në mënyrë të natyrshme, pas një tentative të hapur për të vënë nën zap mediat, e manifestuar kjo nëpërmjet neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal. Në njërin prej këtyre neneve tentohej të rregullohej puna e burimeve konfidenciale, ose më mirë të çrregullohej.

Beteja për mbrojtjen e burimeve është nga më të ashprat që zhvillohet mes taborrit të gazetarisë dhe atij të pushtetit në plot vende të botës. Në SHBA psh, gazetarët lobojnë prej vitesh në Kongres dhe në Senat që të miratohet një ligj i tillë në nivelin federal, i cili i mbron burimet konfidenciale. Në Francë, para katër vitesh ka pasur një debat shumë të ashpër mes gazetarëve dhe parlamentarëve, për mbrojtjen e burimeve, pas disa ngjarjeve ku gazetarët e panë veten para trupave gjyqësore dhe mjetet e tyre u konfiskuan nga policia.

Në mënyrë figurative këtë projekligj e kam krahasuar me jelekun antiplumb, i cili është i nevojshëm kur të nisesh në betejë. Me të mund të ndihesh shumë më sigurt, me këtë projekligj gazetarët nuk do të ndihen të kërcënuar nga autoritetet. Përkundrazi do të ndihen të mbrojtur që të bëjnë punën e tyre në shërbim të shoqërisë. Sepse gazetaria nuk është një punë si gjithë të tjerat, është një mision shoqëror. Për ta bërë më të kuptueshme rëndësinë e mbrojtjes së burimeve, duhet t’i referohemi shembullit të famshëm të Watergate.

Dy gazetarët e Washingron Post, shkrimet e të cilëve çuan deri në dorëheqjen e presidentit Richard Nikson, u mbështeten pikërisht në burime konfidenciale. Ishte Deep Throat, personazhi i tyre i famshëm, i cili i informonte për skandalin. Këtyre gazetarëve autoritetet në fakt asnjëherë nuk iu kërkua që ta nxirrnin burimin. Njeriu me pseudonimin Deep Throat, vetëm pas rreth 40 vitesh u mor vesh se kush ishte.

Në një rast tjetër të famshëm, të gazetares Judith Miller, po në SHBA, kur iu kërkua të nxirrte burimin e informacionit, ajo nuk pranoi, si pasojë, ajo vuajti 6 muaj burg. Edhe gazetarë të tjerë kanë pasur raste të kërkesës nga institucionet gjyqësore që të nxjerrin burimet ose do të përballeshin me burg, me akuzën e mosbashkëpunimit me drejtësinë. Raste të shumta në Britani dhe vende të tjera të BE-së flasin për mundësitë që autoritetet të përdorin forcën e tyre veçanërisht në konfiskimin e materialeve, pa i dërguar fare lëndët në gjyq. Janë këto raste që i kanë ngritur në këmbë gazetarët për të kërkuar mbrojtje.

Projekligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë ua heq këtë telash gazetarëve të Kosovës. Ai iu jep garanci se mund të punojnë lirshëm, pa frikën se autoritetet mund t’i sanksionojnë. Po kështu edhe burimet e informacionit, mund të ndihen të qetë pasi gazetarët të cilëve ata iu besojnë, nuk do t’i detyrojë askush të zbardhin identitetin e tyre. Vetëm në këtë mënyrë publikut mund t’i bëhet një shërbim i jashtëzakonshëm, përsa i përket informit.

Në Kosovë, situata është më ndryshe. Projekligji vjen nga deputetët dhe jo si kërkesë e gazetarëve. Frika që kish mbjellë neni 38 te ky komunitet i bëri ata të hezitojnë dhe deri diku të mos kuptojnë se ky projekligj iu jep atyre një status të privilegjuar, pra që autoritetet të mos i trajtojnë si qytetarë të thjeshtë. Ka pasur edhe nga ata që jo publikisht e kanë parë si problem faktin se ky projekligj vjen nga një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, mirëpo shumë shpejt janë bindur se ky është një argument krejtësisht I paqëndruseshëm sepse puna e deputetëvë është ligjvënia dhe secili prej tyre i përket një subjekti politik.Natyrisht gjatë kësaj kohe kam marrë shumë falenderime nga shumë profesionistë të medias dhe njohës të kësaj fushe, për propozimin e projekligjit.

Janë pikërisht këta që e dinë se sa më profesionale të jetë gazetaria, aq më e madhe është nevoja për të mbrojtur burimet konfidenciale me ligj. Kjo sepse, gazetarët, informatatat më të rëndësihme i sigurojnë përmes burimeve konfidenciale. Sot, gazetaria nëpër vendet demokratike nuk mjaftohet me informimin e thjeshtë e të panshëm, ajo është gjithnjë e më shumë monitoruese dhe depërtuese.

ARKATANA

Gazetaria luan një rol vital demokratik në ekspozimin e keqpërdorimeve. Pasoja më domethënese në rast se gazetarët detyrohen të zbulojnë identitetin e burimit të informacionit, është efekti që kjo masë ka tek burimet. Ata do të refuzojnë të flasim me gazetarët për shkak të frikës se një ditë do të zbulohen. Në këtë mënyrë rritet autocensura dhe shumë informacione të cilat gazetarët i sigurojnë në konfidence, do të mbeteshin të panjohura për publikun.

Një pasojë tjetër serioze në rast të zbulimit të burimeve është rrezikimi serioz i sigurisë fizike të gazetarëve. Shumë gazetarë i përdorin burimet konfidenciale për tema shumë të rrezikshme që kanë të bëjnë me raste të rënda korruptive apo kriminale. Në rast se një gazetar do të konsiderohet një informator apo një spiun i autoriteteve ose një dëshmitar i ardhshëm në një proces gjyqësor , kjo mund të rezultojë në kthimin e tyre në një target të njerëzve të inkriminuar.

Pikërisht për këtë arsye Këshilli i Evropës në vitin 2007 rekomandoi që gazetarëve nuk mund t’iu merren shënimet, fotografitë, videot apo audiot, madje as në kohë të krizave apo situatave të jashtëzakonshme. Ndërkohë në vitin 2011, po ky Këshill kërkoi që e njejta e drejtë të respektohej edhe në rastin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Disa vendime të Gjykatës Evropiane të të drejtave të njeriut janë shembuj se si duhet të trajtohet çështja e burimeve. Në fakt nevoja për ligje të veçanta ka ardhur pas ankesave të shumta të gazetarëve nga vendet anëtare të KE-së, pikërisht për këtë çështje.
Qëllimi kryesor i Projektligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë është të krijojë kushtet e përshtatshme për punën e gazetarëve në interest të publikut si dhe t’i mbrojë ata nga rreziqet që ju kanosen nga nxjerrja e burimeve të informacionit.

Ky projektligj garanton të drejtën e heshtjes për burimet konfidenciale të informacionit për gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias të cilët kanë informacion në lidhje me burimin për shkak të pozitës së tyre në punë apo redaksi.

Po kështu garantohet e drejta e gazetarëve dhe profesionistëve të tjerë të medias në lidhje me mjetet e tyre të punës si dhe kontrollet e shtëpive dhe redaksive të tyre. Askush nuk ka të drejtë të ushtrojë kontrolle të tilla, për të marrë material që lidhen me punën e gazetarëve, të cilat janë mbedhur me qëllimin për t’ia shpërndarë publikut. E thënë në mënyrë figurative, ligji mbron gazetarët në masën 99.9%. Vetëm në një moment, që është 0.1% , për të parandaluar një krim me pasojë vdekjen, ata duhet të bashkëpunojën me gjykatën, pasi e drejta për jetë në këtë rast është mbi të drejtën për informim.

Një nga dilemat e mia gjatë hartimit të projekligjit ka qenë përfshirja apo jo e blogjeve në këtë mbrojtje. Dilemë sepse duke pasur parasysh një system gjyqësor jo shumë efikas, mundësia e përdorimit për atakime të pabazuara nga ana e individëve anonimë. Por e vërtea është se sot, blogjet janë një burim shumë i rëndësishme i ekspozimit të informative me rëndësi për publikun. Zhivillimi i teknologjisë e ka bërë të mundur që pa pasur nevojë të jesh i punësuar në një media në mënyrë tradicionale, mund të publikosh informata shumë të rëndësishme të cilat gjithashtu mund të bazohen në burime konfidenciale. Prandaj në fazën e dytë, pra pas leximit të parë në Kuvend, pas bisedave të gjata me ekspertët e OSBE-se, rekomandimeve të HRW dhe disa OJQ-ve vendore, personalisht do të kujdesem që të përfshihet edhe kjo kategori.

Përfundimisht, ky projekligj synon të vendosë një gur të rëndësishëm në lirinë e mediave në Kosovë, prandaj shpresoj të miratohet.

(Alma Lama është deputete e Lëvizjes Vetëvendosje!)