UBT

Propozimi i Daçiqit dhe shqiptarët e Luginës

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Nehat Hyseni – Me paralajmërimin e dialogut Kosovë-Serbi që do të mbahej në selinë e Këshillit të Evropës dhe të aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s, në Bruksel, në Luginë të Preshevës u paraqit “furishëm” ideja për “bashkim me Kosovën” nga disa liderë politik lokal, të prirë nga Ragmi Mustafa, kryetar aktual i Komunës së Preshevës.

Nga opinioni shqiptarë, kjo paraqitje e stërpërsëritur e z. Mustafa, në pjesën dërmuese të mediave shqiptare dhe serbe, merrej si “radikalizëm politik shqiptar”, si dhe nga një pjesë e shqiptarëve të Luginës përjetohej si “patriotizëm”.

Sjellja, apo opsioni i këtillë, sikur kishte gjetur mënyrën perfekte për t’i kënaqur të gjitha palët: shqiptarët e Luginës së Preshevës, ose së paku militantët e PDSH-së dhe satelitëve të saj, me “patriotizmin” që e karakterizonin tonet politike të paraqitjes, herë-herë edhe me agresivitet të theksuar të këtij opsioni (të Daçiqit).

Duke u thirrur në “ide të mëdha”, ata sfidonin çdo përpjekje në këtë drejtim. Aktiviteti i tyre arriti kulmin gjatë organizimit të fushatës së mbledhjes së nënshkrimeve, që ishte organizuar nën mbikëqyrjen shtetërore e gjyqësore, për themelimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës në vitin 2009 dhe 2010, si dhe me bojkotimin e tyre të zgjedhjeve të lira dhe të drejtpërdrejta për KKSH-në më 6 qershor 2010.

Megjithatë, partitë e tilla politike shqiptare, të cilat ishin për “ide të mëdha”, që tani përbëjnë koalicionin e qeverisjes lokale, d.m.th. merren me “ide të vogla”, në kuadër të të drejtave dhe detyrave të pushtetit serb.

Ndërkaq, ne në Referendum kishim paraparë edhe variantin rezervë, d.m.th. “bashkëngjitjen me Kosovën” në rastin e prishjes së kufijve aktualë shtetëror.

Por, askund nuk kemi theksuar se ne do të jemi të parët që do t’i prishnim kufijtë shtetërorë, duke rrezikuar kështu që të marrim mbi vete fajësinë, si dhe prishjen e partneritetit të shkëlqyeshëm politik me BE-në dhe me partnerët strategjikë të shqiptarëve të kryesuar nga SHBA-të.

Deklarimi për “bashkim me Kosovën” pikërisht në kulmin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Ashton paraqet, pra, sfidim të qëllimshëm të politikave të BE-së dhe SHBA-së, si miq dhe partnerë më të ngushtë të Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Prandaj, edhe një qëndrim i tillë është i dëmshëm për çështjen e Luginës, e sidomos për Kosovën. Sepse, mbështetë opsionin e Daçiqit dhe e sfidon, bile dhe e kundërshton në mënyrë të ashpër dhe të drejtpërdrejtë qëndrimin e tyre, duke e mbështetur dhe favorizuar Daçiqin karshi kryeministrit të Kosovës z. Thaçi dhe kryediplomates së BE-së Baroneshës Catherine Ashton.

UBT

Deklarimi (i përsëritur) i Daçiqit se ai kishte shtruar në tavolinën e bisedimeve të Brukselit idenë e tij për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, duke ofruar veriun e Kosovës për Luginën e Preshevës dhe se kjo ide nuk ishte përkrahur nga baronesha Catherine Ashton dhe nga kryeministri Thaçi, sikur i qartësoi gjërat tek ne shqiptarët e Luginës.

Por, dorën në zemër, nuk mund ta fshehim faktin se edhe na e “mjegulloi” rezonimin politik dhe mënyrën e të kuptuarit të politikës tek ne. Pra, disi na janë “dallashitur” konceptet. Sidomos, kjo i ka hutuar tej mase disa liderë shqiptarë, me këtë “mesele”, e sidomos masën e gjerë popullore.

Njerëzit tani po pyeten: vallë, cilat forca politike të Luginës së Preshevës janë rreshtuar drejtë, si dhe cilat forca, subjekte, parti politike dhe individë shqiptarë tërë kohën kanë vepruar në anën e gabuar?

Paradoksi ishte se opinion kosovar, si dhe kryeministri Thaçi konsideronin se kjo ofertë ishte e tepërt, duke kundërshtuar me vendosmëri dhënien ne kompetencave ekzekutive asociacionit. Kurse, z. Mustafa ideja për formimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Serbi, i dukej “pak”. Prandaj, ai u deklarua kategorikisht kundër kësaj ideje, duke pohuar se shqiptarët e Luginës janë për “bashkim me Kosovën”!

Sipas z. Mustafa, vetëm kryeministri serb Ivica Daçiq është në rrugë të “drejtë”, sepse propozon “shkëmbimin e territoreve”, me çka do të bashkohej Lugina e Preshevës me Kosovën.

Kjo do të thotë, gjithnjë sipas z. Mustafa, se neve shqiptarëve të Luginës po na pengojnë të gjithë: Kosova, Shqipëria, BE, SHBA-të etj. Vetëm se kryeministri Daçiq është në rrugën “e duhur”! Dhe ky avaz është kah “zihet e përzihet” qe një kohë të gjatë, por tani ka shpërthyer në sipërfaqe.

Andaj, duhet të këndellemi, derisa nuk është bërë tepër vonë! Së paku duhet ta dimë se cila është rruga e drejtë politike dhe cila është e gabuar, si dhe kah duhet të shkojmë për të ndërtuar një të ardhme më shpresëdhënëse për këtë pjesë të gjeografisë shqiptare.