Promovohet revista “Norma”

Gjilan – Të shtunën në ambientet e kolegjit Gjilani në prani të shumë ekspertëve, intelektualëve dhe studiuesve është promovuar revista shkencore për Studime Ekonomike dhe Juridike “NORMA”.
Duke folur për rolin dhe rëndësinë që ka kjo revistë profesori universitar Flamur Hyseni tha se ngjarjet shkencore në vendin tonë gjithnjë e më shumë po bëhen të rralla në vend që të shpeshtohen, por edhe pse të rralla, prapë se prapë po kanë një efekt, së paku në mes atyre që po shkruajnë.
“Edhe kjo ngjarje që po shënojmë sot lidhur me promovimin e një pune shkencore nga fusha e drejtësisë dhe ekonomisë është e “rrallë” sepse tipi i Revistës shkencore “NORMA” është i tillë, madje i tillë dhe specifik duke ditur se nuk e kemi bërë të tërën, por guxojë të shpresojë se do ta bëjmë edhe pse dikujt i pëlqen përzierja, “multidisiplinariteti” para se të ketë konstatuar nevojën për te. Në këtë pikë tërheq vërejtjen dhe shpreh mendimin tim se, “multidisiplinaritetin nuk e kisha vendos aty ku ka monodisiplinaritet”.
Sipas Hysenit Revista Shkencore për Studime Ekonomike dhe Juridike “NORMA”, është Revistë dy profilesh, ka punime të fushës studimore – shkencore nga shkencat juridike dhe nga shkencat ekonomike. Punimet e botuara në këtë edicion janë punime të përzgjedhura me një kujdes të shtuar dhe pasqyrojnë shumëllojshmerinë e studimeve që janë bërë nga autorët e punimeve të dyja fushave.
Revista shkencore “NORMA” synon të hap debat shkencor për tema të ndryshme juridiko – ekonomike dhe fusha që ndërlidhen direkt apo indirekt me këto dy fusha studimore – shkencore, por që nuk janë jashtë kontekstit studimor – shkencor.
Në këtë numër inaugurues dhe konstitutiv për të nisur hapjen edhe të një shtegu studimor – shkencor që në rastin e Revistës “NORMA” ka të bëjë me fushën e shkencave juridiko – ekonomike, ku nga aspekti përmbajtësor revistën e bënë mjaft të pasur sepse trajtohen një mori çështjesh juridiko – ekonomike dhe lexuesi dhe studiuesi i këtyre dy fushave shkencore dhe të tjerët mund të kenë një referencë të veçantë dhe një burim të saktë në studimet serioze që ndërlidhen me këto dy fusha tha Hyseni.
Revista shkencore “NORMA” nga aspekti metodologjik i punimeve shkencore të botuara në këtë numër inaugurues, i plotëson të gjitha parakushtet e nevojshme për tu pranuar si revistë serioze e karakterit studimor – shkencor. Revista është e hapur për të gjithë ata studiues, profesor universitarë, praktikantë të fushës juridike dhe ekonomike, pse jo edhe për studentë të cilët që herët mund të kenë një qasje serioze shkencore në ndonjërën disiplinë shkencore nga dy profilet që ka revista.
Natyra e punimeve që janë publikuar dhe do të publikohen është dhe do të jetë e karakterit studimor, teoriko – shkencor, hulumtues dhe praktik, komentues dhe vlerësues të ndonjë procesi të caktuar juridiko – ekonomik.
Revista “NORMA” ka një qasje gjithë përfshirëse sa i përket fushave studimore – shkencore nga shkencat juridiko – ekonomike, prandaj në këtë numër dhe në numrat tjerë të revistës kanë hapësirë punimet e autorëve që janë nga të gjitha disiplinat shkencore të fushës juridiko – ekonomike.
Me shpresë se hapi i parë u bë pas një pune maratonike dhe shumë serioze për të parë dritën ky numër inaugurues, guxojë të shpresojë se ne nuk do të ndalemi këtu, do ta bëjmë atë që kësaj here se bëmë ka nënvizuar Hyseni.
Ndryshe në këtë promovim të revistës kanë folur edhe personalitete tjera./rajonipress/