Promovohen dy libra shkencorë të Azem Hajdarit

Gjilan – Në Shtëpinë e Kulturës “Isa Kastrati“ , në Kamenicë, është bërë promovimi i dy librave shkencorë të Azem Hajdari. Në prezencë të mbi 100 pjesëmarrësve u promovuan dy librat e fundit të Azem Hajdarit “Bazat e sistemit gjyqësor” dhe Shkathtësitë e praktikës gjyqësore“. Në promovimin e këtyre librave morën pjesë shumë dashamir të artit dhe të fjalës së shkruar, të cilët e mbushën plot e përplot sallën e Shtëpisë së Kulturës “Isa Kastrati”.
Kryetari i komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, ka thënë se nga Azem Hajdari në të ardhmen do të kemi edhe libra të tjerë të cilat do t”i shërbejnë edhe gjeneratave të tashme dhe të ardhme .
Ndërkaq, Hashim Qollaku, tha se profesori është një punëtorë shkencorë i palodhshëm, dhe këtë e ka dëshmuar me publikimin e librave e punimeve shkencore, mirëpo me publikimin e këtyre dy librave të fundit vetëm sa e ka begatuar literaturën juridike dhe studentët e fakultetit juridik u ka ofruar lehtësi në përgatitjen e provimeve si dhe të gjithë të tjerëve të interesuar nga fusha e jurispodencës.
Kurse, Sadri Ramabaja, tha se në historinë e shtetit modern, shteti i së drejtës është ndërthurur ngushtësisht me zhvillimin ekonomik, prosperimin e demokracisë dhe pavarësinë e gjyqësorit.“Shteti mund të themi se është i së drejtës atëherë kur principi organizativ është kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, ndërkaq, ligjet në këtë rast janë në përputhshmëri me interesat e qytetarëve dhe të kombit” tha ndër të tjera Ramabaja.
Shemsedin Pira avokat i njohur kosovar tha se qëllimi i këtij teksti mund të thuhet se është sigurimi i ndihmës për gjykatësit, prokurorët, avokatët dhe profesionistët të tjerë juridik që kryejnë detyrat përbrenda sistemit të drejtësisë penale në Kosovë.
Ndue Doda, tha se secili që do t`i lexojë e studiojë këto libra do të ballafaqohet drejtpërdrejti me shkencën juridike dhe do të njihet me të gjitha ligjet e zhvillimit të natyrës e shoqërisë si një fushë e veçantë e veprimtarisë krijuese në zhvillimin e dijes.
Kurse, autori i librit, profesor Azem Hajdari, falënderoj të gjithë parafolësit.
Ai tha se një ndër arsyet për publikimin e këtyre librave është që studentët e tanishëm, por edhe gjeneratat e ardhshme të kenë literaturë të mjaftueshme në përgatitjen e provimeve të tyre./rajonipress/