UBT

Programet muzikore televizive – pa kurrfarë kriteresh profesionale

/ 13 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Demir Krasniqi – Programeve muzikore nëpër televizionet tona publike , në masë të madhe iu mungojnë kuadrot profesioniste , pa të cilat kurrë nuk mund të presim emisione muzikore kualitative dhe profesioniste . Atyre, iu mungojnë : redaktorët profesionistë muzikor , etnologët profesionistë , muzikologët profesionistë , kostumografët profesionistë , skenografët profesionistë , koreografët profesionistë , regjisorët profesionistë dhe shumë shtylla të tjera ndihmëse për realizimet e suksesshme të programeve dhe skenave muzikore publike.

Në vend të hyrjes në këtë temë, po fillojmë me një barsoletë të vjetër popullore : Gjatë muajit të Ramazanit , në një fshat të largët malor e kishin ftuar imamin e xhamisë për iftar , sipas traditës .

Pasi që u shtruan iftari , darka dhe u kryen ritualet fetare , Hoxha ia nisi e po iu mbanë “vajz” mysafirëve të pranishëm .

Një grup të rinjsh – kopukë , filluan që ta provokojnë Hoxhën , me lloj – lloj pyetjesh provokuese !

Njëri prej tyre e mori fjalën dhe iu drejtua Hoxhës , me këtë pyetje :
-Hoxhë, a po na tregon se çka ka n’ atë dynja – përtej xhenetit ?
Hoxha , i habitur nga kjo pyetje e pa pritur , iu përgjigj kopukut :
-Sa e di unë, përtej xhenetit nuk ka asgjë tjetër , pos nëse ka sernishtë !

Edhe kultivuesit , interpretuesit dhe publikuesit e muzikës sonë popullore tradicionale , si duket , ardhjen e demokracisë në shoqërinë tonë e kanë kuptuar si një sernishtë , ku mund të krijojnë, këndojnë , vallëzojnë dhe transmetojnë programe gjithfarë muzikore pa kurrfarë kriteresh profesionale !

Pas përfundimit të Luftës së vitit 1999, programet muzikore “demokratike” të televizioneve tona , po shfrytëzohen më tepër për biznese e përfitime personale materiale, se sa për argëtime e vlera të mirëfillta artistike .

Mungesa e njerëzve profesionistë në krye të këtyre institucioneve ka shkaktuar një kaos të vërtetë kulturor dhe pasojat e tyre do të reflektohen negativisht nëpër shumë breza e gjenerata që do të vijnë pas nesh .

Programeve muzikore nëpër televizionet tona publike , në masë të madhe iu mungojnë kuadrot profesioniste , pa të cilat kurrë nuk mund të presim emisione muzikore kualitative dhe profesioniste .

Atyre, iu mungojnë : redaktorët profesionistë muzikor , etnologët profesionistë , muzikologët profesionistë , kostumografët profesionistë , skenografët profesionistë , koreografët profesionistë , regjisorët profesionistë dhe shumë shtylla të tjera ndihmëse për realizimet e suksesshme të programeve dhe skenave muzikore publike .

Po të kishin televizionet tona publike , redaktorë përgjegjës profesionistë të muzikës , atëherë nuk do të kishte shans që këngët dhe këngëtarët pa kurrfarë vlerash , të depërtonin në publik përmes ekraneve të tyre !

Po të kishin televizionet tona publike , etnologë dhe muzikologë profesionistë , atëherë do të dihej mirëfilli burimi i këngës dhe valles popullore , dallimi në mes të këngës qytetare dhe asaj fshatare , dallimi i orkestrimeve të tyre …Do të dihej se ku e kanë vendin orkestrinat me formacione të instrumenteve të fabrikuara dhe ku e kanë vendin orkestrinat me formacione të instrumenteve burimore autoktone ! Do të dihej se ku e kanë vendin klarineta , saksofoni , sintisajzeri , timpanet dhe do të dihej se ku e kanë vendin lahutat , surlet , çiftelitë, defet dhe tupanët !…E jo të përzihen të gjitha së bashku si një mish mash i vërtetë !

Po të shfrytëzoheshin këto kuadro profesioniste në programet tona muzikore , atëherë nuk do të kishte as shansin më të vogël , që në ekranet tona televizive të depërtojnë këngë të vjedhura nga autorët tjerë , këngë të përkthyera dhe këngë të adaptuara nga popujt tjerë euro – aziatikë !

Mungesa e kostumografëve profesionistë nëpër televizionet tona publike , ka bërë që nëpër emisionet e muzikës sonë popullore , të defilojnë në skenë lloj-lloj kostumesh , si ato të femrave, ashtu edhe ato të meshkujve , duke krijuar kështu një kaos të vërtetë të kostumografisë sonë kombëtare !

Nga mungesa e kuadrove të këtilla profesioniste , sot nëpër skenat tona muzikore:koncerte, festivale, emisione televizive …interpretuesit e këngëve dhe vallëzuesit e valleve popullore , nuk e dinë se në cilën krahinë, apo regjion , çka mund të vishet e çka nuk mund të vishet ?! Në cilat rajone përdoren shamitë e femrave , në cilat rajone përdoren dimitë , në cilat rajone përdoren rrobat e përpunuara prej pëlhurës së vekut, qëndisje dore , e në cilat jo?! Cilat veshje kombëtare i takojnë Kosovës, cilat Shqipërisë Veriore, cilat Shqipërisë Jugore dhe cilat veshje i takojnë shqiptarëve të Maqedonisë , Malit të Zi , Medvegjes dhe Luginës së Preshevës ?!

Po ashtu, përdoruesit e veshjeve kombëtare të gjinisë mashkullore , qoftë në vallëzim, qoftë në këndim , nuk e dinë se cilat veshje tradicionale i takojnë krahinës së Rugovës, cilat i takojnë rrethit të Pejës e Gjakovës, cilat i takojnë Prizrenit dhe Gorës, cilat i takojnë Drenicës, cilat i takojnë Anamoravës dhe Malësisë së Karadakut, cilat veshje i takojnë Dibrës e cilat i takojnë regjioneve të Shqipërisë Jugore ?!

Anomalia më e madhe në skenat tona muzikore , ndodhë atëherë kur meshkujt këndojnë e vallëzojnë këngë e valle kosovare me kostumografi të Shqipërisë së Jugut , sidomos me fustanella dhe me qeleshe shyte , apo qeleshe me bisht?!

Në historinë e popullit shqiptarë , kurrë nuk mbahet mend që kosovarët të kenë bartur qeleshe shyte, apo me bishta ! Kurrë nuk mbahet mend që kosovarët të kenë bartur veshje kombëtare me fustanella , por ata gjithmonë kanë bartur plisa në formë kupole, tirq të bardhë, apo të zi, shokë, xhamadan , opinga …etj.

Mungesa e angazhimit të skenografëve profesionist , ka bërë që nëpër programet muzikore të televizioneve tona publike , por edhe në skenat koncertale , të na prezantohen lloj – lloj skenash të çoroditura , qesharake , madje edhe banale !

Skenat të cilat i serohen shikuesve përmes ekraneve televizive , shpeshherë nuk kanë asgjë të përbashkët me materialet muzikore të cilat na paraqiten në program !
Madje, disa prej tyre nuk kanë asgjë të përbashkët me skenat e traditës sonë kombëtare !

Skena qesharake deri në banalitet , na prezantohen sidomos në programet e muzikës burimore , ku në të shumtën e rasteve , sajuesit e këtyre programeve , mëtojnë që të na e paraqesin ambientin e odave tona popullore , duke i futur brenda odës : qerret e mbushura me duaj kashte e talle, kunguj, tinar , tundaç … ku mungojnë vetëm grazhdet dhe kuajt brenda asaj ode ?!…

Po ashtu , nëpër skenat ku mëtohet të na paraqitet oda shqiptare me traditat e saj , na prezantohen edhe femrat të cilat shërbejnë, këndojnë, vallëzojnë , por edhe qëndrojnë bashkë me burrat ?!

Në traditat e odës shqiptare , nuk mbahet mend që femra të ketë hy në odë të burrave , që femra të ketë shërbyer mysafirët, që femra të ketë këndua e vallëzua në odë të burrave dhe që femrat të kenë bërë muhabete bashkë me burrat e odës !

Mungesa e koreografëve profesionistë nëpër mediumet tona publike elektronike, sidomos nëpër televizione , ka bërë që në programet e tyre muzikore të defilojnë valltarë e valltare aq amatore , sa që nuk dinë as si të vallëzojnë, as kur të vallëzojnë , çka mund të vallëzohet dhe çka nuk mund të vallëzohet ?!

Në programet e ndryshme të muzikës popullore , shpeshherë na ka rënë që t’i shohim valltarët statikë , duke i shoqëruar me vallëzim këngët elegjiake dhe ato vajtuese?!

UBT

Anomalia më e madhe nëpër skenat e programeve muzikore televizive , ndodhë me një shabllon “mode” , ku një këngëtarë , apo këngëtare del në skenë për ta kënduar një këngë, kurse për rreth tij, apo saj, rreshtohen me dhjetëra e qindra statikë – valltarë, të cilët , gjoja , mundohen që ta shoqërojnë atë këngë duke vallëzuar ?!

Qëndrimi i tërë asaj “armate” valltarësh në skenë për rreth interpretuesit të këngës, nuk ka asgjë të përbashkët me artin e vallëzimit, as të koreografisë artistike, por më tepër ata i ngjajnë një ekspedite të truprojave të këngëtarëve , ku meshkujt reklamojnë muskujt dhe dhëmbët e tyre , duke u qeshur me zor para kamerave , kurse femrat valltare më tepër e luajnë rolin e flladitjes së interpretuesve të këngës nga vapa, duke i flladitur ata në vazhdimësi majtas e djathtas me shami e fasulet , por edhe duke ua pritur atyre mizat e mushkonjat , që të mos i sulmojnë para kamerave televizive !

E tërë kjo trupë artistike e cila angazhohet në skenë për të xhiruar dhe realizuar një emision muzikor televiziv , mundi i tyre do të shkojë huq , për derisa nuk do të angazhohen regjisorë profesionistë , që do të dinë se si duhet të realizohet një emision artistik muzikor !

Regjisori profesionist , në këto raste do të dinte se ku do të përqendrohen kamerat televizive , çka duhet të fokusojnë ato, kur do të fokusohet këngëtari, kur do të fokusohet instrumentisti, kur do të fokusohet valltari, kur do të fokusohet statiku ?!

E kur regjisori profesionist i mungon emisionit muzikor, atëherë shikuesi do të shohë lloj-lloj skenash qesharake e të pa kuptimta , që nuk kanë të bëjnë aspak me pikën muzikore që shkon përmes ekranit !P.sh. në përcjellje muzikore shkon solo klarineta, kurse në ekran na del ose violina, ose harmonika !…Në këngë dëgjohet solisti duke kënduar, kurse në ekran na prezantohet ndonjë valltarë statik duke u zgërdhi dhe duke i qitur dhëmbët e gjuhën përjashta !…

Ajo , që e irriton edhe më shumë shikuesin e programeve muzikore televizive , është fakti se në ekranet e këtyre televizioneve , në vazhdimësi defilojnë solistë , interpreto të këngës , grupe ,orkestra , ansamble dhe shoqëri të ndryshme artistike , me ç’ rast në të shumtën e rasteve , nuk na prezantohen me shkrim titujt e këngëve që emetohen në program, nuk na prezantohen me shkrim as emrat e mbiemrat e interpretuesve të këngëve, nuk na prezantohen me shkrim as emrat e mbiemrat e solistëve vokal, as instrumental !

Në programet muzikore të televizioneve tona, nuk na prezantohen me shkrim në ekran , as autorët e teksteve dhe melodive të atyre këngëve , sikur që nuk na prezantohen as autorët e orkestrimeve të atyre veprave muzikore , me çka bindshëm shkelet edhe Ligji mbi të drejtat autoriale !

Dukuritë më shëmtuese , që i servohen shikuesit përmes programeve muzikore televizive , janë rastet kur shumë interpretues të këngës popullore (meshkuj e femra) nuk e dinë se çka këndojnë dhe nuk e dinë se cilat kategori të këngëve iu takojnë meshkujve e cilat kategori të këngëve iu takojnë ekskluzivisht femrave !

Nga kjo humbje në amulli, shpeshherë na ndodhë që t’i dëgjojmë disa këngëtarë meshkuj , të cilët me dashuri të madhe i këndojnë këngët e femrave , sidomos ato të kanagjeçeve !

Të njëjtën gjë, jo rrallë, e bëjnë edhe këngëtaret femra, të cilat e marrin rolin e mashkullit dhe i këndojnë këngët e meshkujve !

Ja disa shembuj , në mesin e shumë këngëve të femrave , të cilat në vazhdimësi i këndojnë këngëtarët meshkuj :
1.
“Mora testinë , me shkue n’ krue –
Hasan aga , aty kish qillue!”…etj.
2.
“Luti , luti , nana bijën , rri edhe sivjet !
Jo, bre nanë, o tybe , une i mbusha nizet vjet!”…etj.
3.
“Unazën e arit , në gisht po ta ruj-e ,
Ti, bre djalë , mos me m’ harru’!
Ka shumë kohë, bre djalo, dashni kem kalue –
Tash erdh koha me u largu’!”…etj.
4.
“Hajde çikë, ta qesim kanën –
Edhe sonte rri me nanën !

Edhe sonte , rri me bija –
Nesër proma me rrospia !”…etj.
5.
“Do t’i kallim fitilat e llamës –
Do ja marrim, o, ma t’ mirën nanës !”…etj.
6.
“O, djalë i Genit , dorën ma hjek-e ,
Se unë kam emnin : Lule Mos prek – e!”…etj.

Përveç përzierjes së roleve gjinore , gjatë interpretimeve të këngëve popullore , jo rrallë, na ndodhë që të dëgjojmë e të shohim interpretues të këngës tradicionale popullore, të cilët këndojnë pa kurrfarë logjike, madje as që e dinë se çfarë janë duke këndua ?!

Sa për ilustrim të kësaj dukurie , po ju rikujtojmë vetëm disa shembuj të këtillë :
Në njërën nga strofat Këngës së Rrustë Kabashit , nga rrethi i Prizrenit , thuhet kështu:
“Dy – tre plumba në shtat t’i lash –
Qe ky asht pazari i gajtanit!”…etj.

Ndërsa , këngëtarët që këndojnë pa logjikë , këto vargje në vazhdimësi i këndojnë kështu:
“Dy – tre plumba në shtrat t’i lash –
Qe ky asht pazari i gajtanit!”…etj.

Dhe merreni me mend se çfarë kaheje e jep kësaj kënge patriotike , këngëtari i pa logjikshëm !

Në një këngë të vjetër ulqinake , ndër të tjera , thuhet:
“Po na vjen kali me dru –
Dil , moj nuse , me i shkarku’!”…etj.

Këngëtari i pa logjikshëm , këtë këngë e këndon kështu:
“Po na vinë kalamajtë me dru –
Dil, moj nuse , me i shkarku’!”…etj.

Pra, këngëtarit nuk ia kapë logjika se drutë barteshin dikur me kuaj , por ai këtë rol ua mëveshë fëmijëve të vegjël – kalamajve , nga se nuk e dinë as kujt i thuhet kalamaj !
Njërën prej këngëve më të dhimbshme të kurbetit , përkatësisht këngëve të nizamëve , që mbanë titullin “Shkojnë vaporat rrethit t’ detit”, ata që i përmbahen origjinalitetit të kësaj kënge , e këndojnë kështu:

“Shkojnë vaporat , moj nane, rrethit t’ detit –

Dil e shihi, moj nanë, asqerët e mbretit!”…etj.
Ndërsa, këngëtarët që këndojnë pa kurrfarë logjike, këtë këngë do ta shëmtojnë duke e kënduar në këtë mënyrë :

“Vinë vaporat, moj nane, bregut t’ detit –
Dil e shihi , moj nanë, asqerët e mretit!”…etj.

Në këtë rast, këngëtarët e palogjikshëm , nuk e dinë as çka është vapori e as kah qarkullon vapori , por ai mendon se vaporët mund të vijnë nëpër breg të detit ?!

Këso lëshimesh jo profesioniste , në praktikën e interpretimit të këngës sonë popullore , ndodhin çdo ditë dhe në numër të madh , por për këtë nuk e lodh veshin as ndërgjegjen askush nga kompetentet institucional të këtyre lëmenjve !

Gjilan, më 11. 08.2013.