ARKATANA

Problemet ekonomike të pakapshme për partitë politike

/ 8 minuta lexim
FIDANISHTJA

Politikat ekonomike shkel e shko nga institucionet shtetërore kanë shkaktuar probleme serioze në zhvillimin ekonomik të Kosovës, vlerëson Demi. Ai thotë se rritja ekonomike e Kosovës është në shifra dëshpëruese në krahasim me vendet e rajonit, pasi sipas tij, për ta rritur numrin e të punësuarve duhet rritje ekonomike dyshifrore. Demi në një intervistë për gazetën Tribuna thotë se problemet ekonomike janë të pakapshme nga partitë politike, për shkak të mungesës së sensit për ta përmirësuar gjendjen në ekonomi.

Partitë politike janë marrë më shumë me negociatat me Serbinë, hapjen e universiteteve dhe shtrimin e asfaltit sesa me problemin e të papunëve, ka thënë drejtori i Institutit për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi.

Ai në një intervistë për gazetën Tribuna ka konstatuar se në bazë të premtimeve që partitë politike që i kanë dhënë gjatë fushatës, tashmë do të duhej të ishin të punësuar 25 mijë njerëz më shumë. Demi konsideron se Kosova është para një kolapsi energjetik për shkak të mos investimit në këtë fushë dhe orientimin e investimeve në asfalt.

Tribuna: Shumica e parametrave ekonomikë Kosovën e rangojnë keq, si ne papunësi, në rritje ekonomike, në investimet e huaja. A po rrëshqet Kosova drejt një shteti të dështuar në Ballkan?
Demi: Në fakt, në shumë parametra Kosova shënon mirë në krahasim me vendet e rajonit, nëse shikohet vetëm nga ana e vlerës absolute. Për shembull, sa i përket rritjes ekonomike, Kosova ka rritje më të lartë ekonomike se sa vendet e rajonit. Por, duke marrë parasysh se Kosova është një ndër vendet më të pazhvilluara dhe me papunësinë e lartë, rritja ekonomike prej 2.5 – 4% në vit nuk do të thotë asgjë sa i përket zhvillimit të këtij vendi. Vetëm për të nxënë vendet e rajonit për nga niveli i zhvillimit ekonomik, Kosova duhet të ketë një rritje së paku 10% në vit. Kjo rritje duket e madhe, por kur një vend është i pazhvilluar dhe i vogël si Kosova, një rritje e tillë është e mundshme.

Përndryshe, është thënë shumë herë se rritja kaq e ngadaltë ekonomike, në fakt nënkupton regres, ngase nuk arrin të akomodojë së paku atë forcë punëtore që për çdo vit hyn në kategorinë e të aftëve për punë. E problemi më i madh në Kosovë është papunësia. E në këtë aspekt, ne jemi më së keqi në krahasim me të gjitha vendet Evropiane. E zgjidhja e këtij problemi do të kërkoj kohë e angazhim. E deri më tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Kur them asgjë, e kam fjalën në politikat “shkel e shko” të institucioneve, duke aprovuar strategji të punësimit pa objektiva të qarta, duke themeluar programe të punësimit aktiv, por duke u ndarë vetëm 0.026% të buxhetit shtetëror për këto programe, etj.

Tribuna: Pse shumica e partive politike deri me sot nuk kanë interesim për zhvillimin ekonomik. A konsideroni se është treni i fundit për të bërë diçka në këtë drejtim?
Demi: Arsyeja është e thjeshtë: problemet ekonomike me të cilat përballet Kosova janë të pakapshme intelektualisht për partitë politike, së paku ato që kanë qeverisur që nga paslufta. Është shumë më lehtë të qeverisësh duke u marrë me problemet politike, siç janë negociatat pa mbarim në mes Kosovës dhe Serbisë, apo shtrimi i asfaltit, themelimi i universiteteve të reja, apo krijimi i komunave të reja, etj. Edhe pse në fushatën e fundit zgjedhore, zhvillimi ekonomik ka qenë platforma kryesore e të gjitha partive politike, mënyra e trajtimit të problemit ka qenë shumë sipërfaqësore. Edhe më tutje, Kosova nuk e din se cila është pika e fortë e saj, kah do të duhej të orientojmë kahjet e zhvillimit ekonomik: a është kjo energjia, apo bujqësia, apo teknologjia e informacionit? Apo gjithsecila nga pak? Në mungesë të një strategjie të përgjithshme zhvillimore ekonomike, janë të kota edhe strategjitë sektoriale, të cilat nuk kanë një objektiv të qartë final. E partitë politike dhe ekspertët që ata kanë angazhuar, nuk kanë dëshmuar se mund të hartojnë një strategji të tillë zhvillimore. Mjafton t’i hedhim një sy, tani pas katër viteve, Vizionit për Zhvillimin Ekonomik të Kosovës, apo siç njihet si “Plani Bansko” për të parë nivelin e planifikimit dhe qasjes ad hoc që kanë ndjekur institucionet përgjatë këtyre viteve. Sa për rikujtim, në Planin Bansko parashihej rritje ekonomike vjetore 7-8%, ulje e papunësisë për 10%, shitja e PTK, ndërtimi i Kosovës së Re, vendosja e Kosovës në 40 vendet e para të ranglistës të të bërit biznes, etj.

Mobi Casa

Tribuna: Rritja ekonomike vitin e kaluar ka qenë diku 3 për qind, ndërsa premtohen 200 mijë vende të reja të punës. A mund të imagjinohet me një rritje të tillë ekonomike të ketë punësime në shifra të tilla?
Demi: Pikë së pari, jo gjithherë rritja ekonomike është e lidhur edhe me uljen e papunësisë. Ka vende ku rritja ekonomike është dyshifrore, por papunësia mbetet e njëjtë. Por, kjo ndodhë kryesisht në ato vende të cilat zhvillimin ekonomik e kanë të bazuar në ekstraktim të pasurive natyrore. Por, në një vend si Kosova, ku është e nevojshme dhe është premtuar bazë e gjerë e punësimit, apo krijimi i 200 mijë vendeve të reja të punës, domosdo nevojitet një rritje ekonomike dyshifrore. E kjo është vështirë e besueshme. Vendet të cilat viteve të fundit kanë pasur rritje ekonomike dyshifrore janë vendet të cilat kanë zbuluar pasuri nëntokësore, si për shembull Mongolia. Në bazë të premtimeve të fushatës, në këta 6 muaj pas zgjedhjeve do të duhej të kishim 25 mijë njerëz më shumë të punësuar!

Tribuna: Pse po praktikohet hapja e universiteteve nga qeveria, ndërsa prapë këta të rinj që përfundojnë studimet janë të papunë?
Demi: Në vitin 2008, kur për herë të fundit ne në kuadër të GAP kemi bërë një raport për arsimin e lartë privat në Kosovë, Kosova kishte numrin më të ulët të studentëve për 100.000 banorë, përveç në krahasim me Bosnjën. Në atë kohë, Kosova kishte 2.310 studentë për 100.000 banorë, në krahasim me Shqipërinë e cila kishte 2.749 studentë për 100 mijë banorë, Serbia 3.226 studentë, Maqedonia 2.793 studentë, Bosnja 2.173 studentë, etj. Në Kosovë nuk është problem numri i studentëve, por cilësia e edukimit që ata marrin nga këto universitete.

Rreth 3.8% e popullsisë në Kosovë kanë statusin e studentit, apo diku rreth 63 persona. Këta nuk llogariten si persona të papunë. 62.4% e studentëve në institucionet private studiojnë ekonomikun, e mbi 14% shkencat juridike. E në anën tjetër, vetëm 3.4% e studentëve studiojnë shkencat teknike, kryesisht në universitetin publik. E ky është problemi më madhorë: për zhvillim të hovshëm ekonomik, na nevojiten kuadro të përgatitura në fushën e inxhinierisë, IT-së, etj. Shkurt, sistemi arsimor nuk është duke përgatitur kuadro për punë dhe profesionet e shekullit 21.

Ttribuna: Investimet më të mëdha pas luftës janë bërë në asfalt, ndërsa energjetika dhe fushat tjera kanë mbetur anash. A duhet të vazhdojë kjo praktikë?
Demi: Është fakt se infrastruktura rrugore ka qenë e dëmtuar dhe lidhjet e mira të transportit ndihmojnë zhvillimin ekonomik. Por, janë shumë projekte tjera të cilave do të duhej t’u kushtohej më shumë rëndësi dhe investime. Një ndër to është energjetika. Problemet energjetike janë zvarritur deri në këtë pikë ku jemi para një kolapsi energjetik. Kosova ka shitur rrjetin e energjisë, me qëllim të zvogëlimit të humbjeve teknike dhe komerciale.

Mirëpo, me një investim 300 milionësh, ne sot do të kishim nivelet e humbjeve teknike në nivelin e BE-së, si dhe do të arrinim që të mbanim në pronësi publike rrjetin e energjisë, si një aset i rëndësishëm i ekonomisë dhe si një ndërmarrje e cila domosdo do të mbetet e vetmja në këtë fushë. Përveç energjisë, probleme të mëdha Kosova ka edhe në sektorin e ujërave. Humbjet teknike të ujit në shumë kompani regjionale të ujësjellësve arrijnë deri në 60%, e shumë qytete përballen me reduktime të mëdha të ujit. Në anën tjetër, ndërtimi i autostradave nuk është treguar si politikë e favorshme ekonomike.

Autostrada me Shqipërinë nuk ka sjell asgjë sa i përket ndikimit ekonomik, madje trendët ekonomike kanë shënuar rënie pas fillimit të ndërtimit të autostradës. Përqendrimi i afro 2 miliardë eurove në dy autostrada për 6 vite, nuk është logjikë e shëndoshë ekonomike. 2 miliardë të investuara në energji, ujëra, trajtim të ujërave të zeza, infrastrukturë lokale, etj., do t’i sillnin më shumë përfitime ekonomisë së vendit.