Premtimeve elektorale për rritje të buxhetit u ka dalë boja
Ekspertë të ekonomisë i kanë quajtur joreale premtimet e spektrit politik të Kosovës nga të gjitha taborret politike për dy-trefishim të buxhetit, që sipas tyre premtohet të jetë deri në 5 miliardë euro. Ata thonë se një buxhet i tillë, 3-5 miliardësh,thuajse është i pamundur të realizohet, aq më tepër kur dihet se deri vjet ishte mbledhur në buxhet vetëm 1.6 miliard euro, kurse për këtë vit është paraparë që të jetë afro 2 miliardë euro.
Profesori Muhamet Sadiku u shpreh se për të dyfishuar buxhetin duhen politika të qarta për luftimin e evazionit fiskal, shtrirjen e ngarkesave fiskale në të gjithë zinxhirin ekonomik dhe të merret parasysh zvogëlimi i doganave në buxhet si rezultat i përafrimit të Kosovës me BE-në.
Eksperti i ekonomisë, Berim Ramosaj, thotë se liderët tanë tashmë janë mësuar që të luajnë në karta të tilla elektorale, sepse në fakt për një buxhet të tillë prej 4-5 miliardësh faktikisht duhet të ketë një rritje ekonomike prej 8- 10 për qind.”Qeveria aktuale në shkuarje e rriti buxhetin përmes formës së borxhit, përkatësisht përmes imitimit të obligacioneve. Faktikisht Qeveria në shkuarje ka mbledh para nga bankat komerciale të nivelit të dytë, kurse një pjesë ta parave e ka mbledhur nga edhe Trusti Pensional dhe kësisoj e kanë bërë buxhetin prej 2 miliardë”, është shprehur ai.
Ramosaj thotë se duhet që të jemi realë, sepse ky buxhet nuk ka qenë në shumën prej 2 miliardë, sepse kjo është formë e financimit përmes instrumentit të borxhit apo obligacionit. “Nëse duan ta rrisin buxhetin përmes këtyre formave, atëherë Qeveria e Kosovës duhet që të hynë në borxhe të reja dhe për këtë qëllim që të arrihet ky synim ajo duhet që ta rritë shkallën e borxhit publik që për fatin tonë të mirë e ka relativisht të ulët dhe të njëjtën ta rrisë deri në shkallën 50 për qind të GDP-së gjë që edhe e lejon edhe Banka Botërore dhe FMN-ja”, është shprehur ai. Tutje ai ka shtuar: “Këto premtime të spektrit politik për një buxhet 5 miliardësh nuk janë gjë tjetër veçse premtime elektorale, për të cilat nuk ia vlen që një ekspert të merret me to”
Abazi: Nuk mund të quhet reformë fiskale rritja e taksave dhe bazës doganore
Ramosaj, thotë se edhe nëse ka informalitet 35-38 për qind dhe nëse tentohet që të zvogëlohet informaliteti apo evazionin fiskal, ose në forma të tjera, rritja e buxhetit mund të bëhet vetëm në shifra të vogla, duke shtuar se as ATK-ja e as Doganat nuk kanë kapacitete që ta bëjnë një gjë të tillë.”Nuk mundet që të realizohet buxheti për një afat të gjatë, sepse tashmë kemi hyrë në procesin e Stabilizim-Asocimit, ku parashihet heqja e doganave.
Andaj Qeveria duhet të ketë orientime programore të mbushjes së buxhetit përmes TVSH-së dhe atë jo që të mbushet buxheti në kufijtë e vendit, por kjo duhet që të bëhet brenda territorit të Kosovës, pra që TVSH-ja të paguhet pasi që të shiten mallrat”, ka thënë Ramosaj.”Popullata e Kosovës është jo e emancipuar dhe nuk i mban në mend ato premtime, sepse fundja në vendet e qytetëruara ku popullata është e emancipuar votuesit do t’i mbanin në mend ato premtime dhe ata do të kërkonin nga premtuesit e këtyre që janë njerëz të politikës që t’i realizojnë ato premtime”, është shprehur ai.
Kurse eksperti bankar, Milazim Abazi, thotë se koalicioni që pretendon të arrijë një buxhet prej 3 miliardë, e herë- herë edhe 5 miliardë euro, është joserioz. “Ky që po premton në qeverinë në ikje ka vepruar vetëm me inercion, pa asnjë ndryshim që meriton të vlerësohet. Sepse nuk mund të quhet reformë fiskale rritja e taksave dhe bazës doganore. Kjo reformë i detyron të paguajnë më tepër vetëm ata që edhe deri tash kanë qenë taksapagues të rregullt”, është shprehur ai. “Vetëm një qeveri dinamike që do të udhëhiqte nëpërmes përmirësimit të sundimit të ligjit, krijimit të lehtësirave të gjithanshme për investime në prodhim, si të vendasve dhe të të huajve, nëpërmes uljes rapide të taksave, duke u bërë vendi me taksat më të ulëta në rajon, ka mundësi ta çojë rritjen ekonomike vjetore në mes 8- 10 për qind dhe atëherë edhe buxheti për katër vjet mund të arrijë vlerën vjetore prej 3 miliardë euro”, është shprehur ai./kosova sot/


