UBT

Pozitë e opozitë: Mos lejoni teposhtzen shtetndërtuese të Kosovës!

/ 12 minuta lexim
Uji Dea

Nga Samet Dalipi – Shumëçka nga Shqipëria e viteve të nëntëdhjeta janë vendosur në praktikat, sjelljet dhe filozofinë politike të klasës politike të Kosovës. Jemi të njëjtë. Arroganca, fyerjet e jotoleranca në mes të individëve dhe përfaqësuesve të partive politike janë bërë tashmë përditshmëri, me tendencë të bartjes së sjelljeve të tilla edhe në mesin e qytetarëve. Nëse një sjellje e politikajve nga Shqipëria ka mund të gëlltitej nga fakti se ajo ishte shtet i njohur ndërkombëtar, kopjimi nga klasa politike kosovare e sjelljes së tyre është i dëmshëm për proceset integruese, shtetndërtuese e në ndërtim të imazhit negativ i cili ndikon për së keqi në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Kërcënimi për demokracinë kosovare

Më herët dhe këto ditë është përsëritur nga liderët serb se, po parafrazoj, se Kosova nuk ka as kapacitete e as civilizim njerëzor për të bërë një shtet të përgjegjshëm e llogaridhënës. Klasa jonë politike humbi një vitë vetëm me procesin para e pas zgjedhor. Pas zgjedhjeve, qeverisë së re, nuk iu dha asnjë ditë hapësirë për të zhvilluar programin e saj qeverisës. Asnjë qeveri, qofshin ato nga vendet një traditë të gjatë të ushtrimit të demokracisë, nuk do të mund të punonte në kushtet të cilat iu (vet) imponuan qeverisë më të re të Kosovës. Veprimet opozitare sikur i kanë dhënë vetes mision për mos ta lejuar të “tregohet” si qeveri e suksesshme sepse do të ishte e vështirë që ajo të mundej në zgjedhjet e ardhshme.

Dhunimi i institucioneve, për të cilat ishte derdhur gjak e djersë për shumë kohë, është bërë përditshmëri. Sulmi me gaz helmues lotësjellës brenda institucionit përfaqësues më të lartë shtetëror nga përfaqësuesit e zgjedhur të opozitës, të sulmit të organit i cili punon në ruajtjen e rendit shoqëror e të thirrur e të nxitur nga të zgjedhurit nga e njëjta palë, përbënë akt të shëmtuar të dhunimit të bazave të demokracisë.

Debati politik, shpeshherë i vendosur në akuza të bazuara në të kaluarën politike dhe veprimet individuale korruptive dhe kriminale, sikur përforcon sinjalet të cilat i dërgohen qytetarëve për papastërtinë e klasës politike të të dy taboreve politike duke i hamendësuar ata në zgjedhjen e të preferuarve politik. Kosova po hynë në fazë kur ata të cilët në rrethana okupuese ditën të organizohen politikisht dhe me armë për ta kundërshtuar okupimin po bëhen pengesë e proceseve institucionndërtuese në Kosovën e pavarur. Kësisoj, kryeministri Serb do të vazhdoj të mburret me atë se Kosova gjatë mandatit të tij nuk u njohtë nga më shumë se dy shtete.

Kriza, nocion më i përfolur në Kosovë

Protestat me qëllime të ndryshme dhe të shpeshta, sikur lënë përshtypjen e një kaosi organizacional. Këto si dhe format e presionit të vendosur nga mediat, të informatave shpeshherë të papërshtatshme bëjnë që lidershipi ynë të punojnë në rrethana stresuese për të marr vendime të arsyeshme. Dhe ata nuk kanë vetëm presionin e brendshëm vendor, por edhe atë i cili vije nda komuniteti ndërkombëtar si ndërmjetësues i dialogut, i cili nënkupton kompromis. Opozita jonë, shpesh me kërkesa të arsyeshme, por duke përjashtuar kompromisin, i sheh vetëm zgjedhjet e veta si të përshtatshme për çështjet e caktuara. Kosova nuk e ka luksin të ngrijë ecjen sepse do të ngrijë edhe proceset integruese dhe ato të zhvillimit socioekonomik, shumë të nevojshme për Kosovën.
Kriza e Kosovës është komplekse dhe ka nevojë për ftohje të gjakrave politik e edhe inateve personale të liderëve kryesor të cilat po reflektohen edhe në nivel të qytetarëve e grupeve politike.

Pra, nuk ka një kufi ndarës për fajin në të cilin gjendet sot vendi ynë,dhe ç’është më e keqja, është paqartësia mbi perspektivën e përfundimit të saj. Kriza e sotme nuk është një ngjarje e cila eliminohet me një lëvizje, siç e thotë opozita. Kjo, ngase në proces siç jemi, do të dalin çështje tjera të cilat sërish dot ekscitojnë opozitën për të vendosur standarde dhe sjellje të njëjta. Situatat e tilla do të vendosin pozitën në gjendje të palakmueshme vendimmarrëse. Pra, çështja është se do të futemi në një cikël i cili do të zgjaste deri në pafundësi sepse procesi i dialogut do të jetë i gjatë deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Skenari tjetër, si pasojë e krizës, është ai i cili mund të prodhoj ndryshime sociale e politike, duke përfshirë ndryshimin e qeverisë. Por, edhe në këtë rast, qeveria e re nuk do të mund të bëjë ndryshim të marrëveshjes, e në rast të insistimit për ta bërë atë do të përballej me një proces të mospërkrahjes ndërkombëtare. Kjo do të ishte vetëvrasje, ngase gjendja e tillë nuk do të mund të zgjaste shumë për shkak të gjendjes ekonomike të pafavorshme të qytetarëve. Kjo do të çonte në ndryshimin e sërishëm të pozicioneve politike në qeveri. Kësaj do ti ndihmonte klasa e mëparshme qeverisëse. Pra, hyrja e procesit politik në një cikël të këtillë do të dëmtonte interesat e Kosovës. Kosova do të gjendej edhe më thellë në vorbullën e situatës “e cila kërcënon qëllimet e prioriteteve kryesore e njësisë (qeverisë) vendimmarrëse”(Herman), duke zvogëluar kohën e nevojshme për vendime të përshtatshme.

Në këto rrethana, të gjithë duhet përpjekur ta trajtojmë krizën si një paqartësi të lartë, kërcënim serioz, më seriozin deri tani pas periudhës së shpalljes së pavarësisë, e cila mund të orientoj procesin, edhe ashtu të brisht, drejtë ç’orientimeve afatgjata të dinamikës organizacionale, politike e shoqërore. Kërcënimi i strukturës bazike, i vlerave të arritura deri tani në shtetndërtim, i sistemit të ndërtuar bashkërisht me SHBA-të dhe UE, e të përkrahur nga demokracitë më të fuqishme ndërkombëtare i qon ujë në mulli të atyre të cilët deri tani nuk na kanë njohur dhe punojnë për ti kthyer proceset prapa. Klasa jonë politike, e dy anëve, duhet gjejë domosdo rrugën e të zgjidhjes së konfliktit.

Nuk është e ndershme që të luhet në kartën e patriotizmit. Më patriot e nacionalist është ai i cili gjenë dhe ofron rrugën për të dalur nga kriza e i cili nuk lejon prapakthim të të arriturave. Pikëpamjet nacionaliste më lehtë gjejnë shprehje tek një pjesë e të rinjve, tek shtresa e atyre të cilët nuk janë në gjendje të mirë ekonomike por edhe tek ata të cilët pushtetin e konsiderojnë privilegj për pasurim. Por, secili duhet të kuptoj se anarkia apo edhe ndryshimet me hope, e jo ato evolutive, prodhojnë paqartësi dhe të ardhme të pasigurt.

Hidromorava

Kriza në Kosovë nuk përbën vetëm kërcënim prosperitetin socio-ekonomik të vendit, ajo përfshinë edhe dimenzionin regjional e ndërkombëtar.
Zgjidhja e krizës -“ulja e topit në fushë”

A ka një bazë të përbashkët brengosjeje mes palëve të konfrontuara në krizën e Kosovës? Sigurisht që po. Ani pse trajtojnë mungesën/tepricën e patriotizmit, të cilat i posedojnë dy palët, ato i dallon vetëm çasja e rrugëve se si do të arrihet ajo. Kuvendimi në Kuvend, e më pak në mediet të cilat poashtu kanë orientime të caktuara politike, është mënyra më e përshtatshme e gjetjes së kësaj rruge. Joinstitucionalistët janë ata të cilët tentojnë çvendosjen dhe gjetjen e rrugëve alternative për të gjetur zgjidhje për krizën.

Shpeshherë edhe rrugën e dhunën. Ata çdoherë do të gjejnë pretekst për kundërshtim të orientimeve të politikave qeveritare. E, aq më pak janë të pëlqyeshme skenat e sjelljeve jo të dinjitetshme të të zgjedhurëve të popullit, të pengimit të fjalës, krijimit të rrethanave në të cilat nuk mund të zhvillohet debati e aq më pak të përdoren armët kimike për të pamundësuar debati. Megjithatë, kjo sjellje duhet kuptuar si
perceptim i palës së brengosur e cila domenin e kërcënimit e konsideron të rrezikshëm tejmase për vendin i cili vjen si rezultat i politikës apo vendimeve të qeverisë mbi çështjen(t) në fjalë.

Kriza e Kosovës ka origjinën e cila vije nga brenda por edhe nga jashtë. Ajo nxiti dhe po vazhdon të nxitë tensione tashmë të hapura, me kërcënim të shndërrimit në atë të dhunshëm, dike kërcënuar sistemin organizativ. Në këtë proces janë përfshirë edhe legjislativi e ekzekutivi i vendit, duke e vënë në pikëpyetje aftësinë e këtyre dy mekanizmave vendimmarrës dhe përgjegjës për dalje nga kriza. Si dy organe kryesore politike, Kuvendi dhe Qeveria duhet të konkurrojnë me ofrim të qasjeve pragmatike, duke lënë anash përfitimet politike, në zgjidhjen e konfliktit. Problemin e rëndon situata e insistimit të opozitës se nuk mund të shkojnë dyjat së bashku, Qeveria dhe Marrëveshja mbi Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë.

Për këtë grupacion, kjo e dyta, duhet modifikuar kompetencat ose Qeveria duhet të bie. Në këtë drejtim, edhe injorimi dhe paraqitja e gjendjes si e kryer, nuk prodhon zgjidhje. A mund të bëhet në këtë drejtim kompromis dhe cili është ai(ato)? Shpëtimi i asaj çka mund të shpëtohet dhe e pranueshme për opozitën është mundësi për gjetjen e rrugëdaljes. Pasi që marrëveshja është ndërkombëtare dhe kthimi prapa ka konsekuenca të dëmshme për proceset në Kosovë, mundësitë janë që të shihet se çfarë efekti do të prodhoj Gjykata Kushtetuese, dhe e dyta, pala jonë të jetë shumë e kujdesshme në rastin e përpilimit të statutit të Asociacionit në mos lejimin e asnjë mëdyshje mbi kompetencat e këtij mekanizmi dhe të jetë konform Planit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës. Në rastin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, janë dy mundësi: ri-negocimi i mundshëm i marrëveshjes për korrekturë, apo bartja e këtij problemi për tu zgjidhur te ndonjë mekanizëm i arbitrazhit, që është një praktikë e shpeshtë e zgjidhjes së konflikteve mes shteteve.

Tani jemi në situatë më të favorshme se në rastin e përkufizimit të kufirit me Maqedoninë kur me një “qëndrim presidencial të KS” ishte pranuar marrëveshja mes Maqedonisë dhe Serbisë e Malit të Zi mbi kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë, anipse Kuvendi i Kosovës nuk e kishte njohur atë marrëveshje dhe i njëjti vendim i Kuvendit të Kosovës, pas dy orësh, ishte anuluar nga Kryeadministratori i Kosovës.

Me këtë zgjidhje, dimenzioni i krizës do të hynte në binarë të zgjidhjes dhe autoriteti e legjitimiteti i kontestuar (nga njëra palë) i organeve më të rëndësishme të vendit do të përmirësohej. Kjo do të ishte një mesrrugë në mes të dorëzimit para presioneve të opozitës dhe mosveprimit të qeverisë, e cila në ndërkohë do të nxjerrë mësimet mbi domosdoshmërinë e ofrimit me kohë të informatave mbi procesin e filluar negociator në të ardhmen e duke marr në konsideratë edhe brengat e arsyeshme të opozitës. Me këtë do të ristrukturohen fuqitë, opozita do të “mburrej me të arriturat”, qeveria do të “mburrej me menagjimin e situatës në të mirë të proceseve dhe të ardhmes”. Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme do të thotë humbje edhe të më shumë se një viti kohë.

Organizimi i referendumit, në mungesë të ligjit, po ashtu do të marrte kohë por do të kishte edhe përplasje lidhur me formulimin e opsioneve për të cilat do të përcaktoheshin qytetarët. Në destabilizimin e sjelljes politike do të kujdeset në vazhdimësi edhe Serbia e cila do të prodhoj “pyka” të cilat do të nxisin tensione duke kërkuar bisedime lidhur me çështje të cilat nuk do të duhej biseduar, siç është Liqeni i Ujmanit, Parku i Brezovicës, Trepça…

Në lehtësimin e daljes nga kriza, forma policentrike e angazhimit dhe jo mbështetja vetëm në një qendër, Qeveri-Opozitë, është e mirëseardhur. Përfshirja e mekanizmave si ai i Presidencës, atij ndërkombëtar e konstruktiviteti i medieve të hapura shtojnë efektivitetin.

Kosova, qytetarët e lidershipi si dhe miqtë e saj presin nga palët në krizë të gjejnë mënyra për të zvogëluar koston e krizës, të eliminojnë dëmin e dhimbjet e shkaktuara deri më tani dhe të vendosin në shina të qëndrueshëm kompozicionin shtetformues i cili do të ofronte vendin me familjen Evropiane. Në të kundërtën, pasojat do ti vuajmë ne qytetarët. Zgjidhja është dialogu institucional, jo rruga. Ai i cili vije nga rruga në pushtet, e njëjta do ta largoj nga pushteti. Nuk do të zhytemi edhe në përvojën më të keqe të Shqipërisë së viteve të nëntëdhjeta, nëse bisedojmë./rajonipress/

Samet Dalipi, ligjërues në Kolegjin Iliria, ish Fulbright-ist në Zgjidhjen e Konflikteve në American University, Washington DC.
Prishtinë, 19. 10.2015.