Politika e vetërrënimit
Nga Blerim Shala – Sa më shumë krizë dhe telashe, aq ma pak mend ka në një shoqëri. Kështu disi thjeshtësohet kjo punë në politikë, në teori së paku. Në praktikë, faktikisht, është edhe më keq.
Të parën gjë që e bëjnë të uriturit, në një vend me krizë buke, është thyerja e furrave. Aty, natyrisht, nuk gjejnë as bukë, as miell dhe as furraxhi. Prandaj, rëndom, ata ia vënë zjarrin furrave, në shenjë të një hakmarrjeje dhe të ushtrimit të drejtësisë së çoroditur.
Ata, të uriturit dhe të mllefosurit, arrijnë të shfryjnë sadopak, për një çast, mllefin e tyre të
grumbulluar tok me urinë dhe me pakënaqësinë. Pastaj, kuptojnë që krizën nuk e kanë shkaktuar
bukëpjekësit, por qeveritë, që politika i ka fajet, e jo mielli.
Ky është njëri prej shembujve që përdoret shpesh në shpjegimin e dukurive politike në një vend i cili kaplohet prej trazirave të mëdha sociale, të cilat janë në varëshmëri të drejtpërdrejtë me mungesat e lloj-llojshme në një shoqëri, në një treg, në një ekonomi.
Këto mungesa shfaqen edhe në trajtë të një deficiti të madh të logjikës dhe të arsyeshmërisë politike. Sa më shumë krizë dhe telashe, aq ma pak mend ka në një shoqëri. Kështu disi thjeshtësohet kjo punë në politikë, në teori së paku.
Në praktikë, faktikisht, është edhe më keq. Një shembull i kësisojt, i kësaj kategorie, që flet për mangësitë e shumta mbizotëruese në skenën politike të Kosovës, të cilat pastaj marrin tagrin e mungesës së një arsyeje politike, apo që shfaqen me mësymjen imagjinare kah furrat e bukës, që kësaj radhe, në rastin tonë kanë formën e vendeve të votimit dhe të kutizave ku grumbullohet vota – vullneti i shprehur i qytetarëve të Kosovës, na doli në shesh javën e shkuar.
Një tjetër mbledhje a shfaqje e dobët politike në Kuvendin e Kosovës, para më shumë se një jave, bëri që përnjëherë të shkrepë në skenën politike të vendit ideja për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, hiç më vonë se në vjeshtën e këtij viti, mundësisht në po të njejtën ditë, me 3 nëntor pra, kur në Kosovë do të mbahen zgjedhjet lokale.
Me një rame, si thuhet, shumë të vrame. Shumë pra, jo vetëm dy.
Me 3 nëntor pra, autorët e kësaj ideje të rrëmbyshme, menduan që do të përcaktohet fati i qeverisjes lokale dhe asaj qendrore. Do të ndalet, të njëjtën ditë, dezintegrimi territorial i Kosovës në Veri, dhe çintengrimi i institucioneve demokratike të Kosovës. Do të harxhohen më pak para me votimin e dyfishtë. Do të motivohen më shumë qytetarët për të marrë pjesë në zgjedhje. Do t’i mundësohet vendit të nisë prej fillimit (e këtu menjëherë duhet shtuar që fillime të tilla, prej zeros, realisht, nuk njeh një vend a një shoqëri, pos rasteve tepër të rralla).
Do t’i tregohet, më në fund, vendi secilit prej politikanëve dhe prej partive të Kosovës. Do të maten forcat e mirëfillta politike. Dhe kështu me radhë.
Mbase, këtu ka edhe racionalizim të mësymjes politike që nuk zgjati edhe aq shumë. Rëndom, prapa këtyre shkrepjeve të çastit, si burim i veprimit qëndron një inat politik që nuk llogaritë gjë prej gjëje, një bindje që në politikë ka një ‘plumb të argjentë’ që i zgjidhë të gjitha problemet, që
për pak orë, në një ditë të vetme zgjedhore, mund të kthehet mbarë gjithçka në një shoqëri.
Kthesat e tilla, prej një krahu në krahun tjetër politik, prej një qeverie dhe një koalicioni në qeverinë dhe koalicionin tjetër, janë gjithsesi të mundura në një demokraci tashmë të stabilizuar, me atë ditën e madhe të zgjedhjeve.
Por ne jemi larg të qenit një demokraci e qëndrueshme. Jemi ende në kërkim e sipër, për shkaqe fare mirë të njohura, të stabilizimit të brendshëm politik që njeh integritetin e vendit si një arritje tashmë të siguruar.
Mbi të gjitha, si politikë e vendit, jemi me një barrë të rëndë në shpinë, që nga dimri i vitit 2010-2011, e cila u mbush me votat e keqpërdorura anëkënd Kosovës.
Sillemi shpeshherë thuajse kemi harruar se çfarë na ka ndodhë si politikë, në zgjedhjet e fundit të
jashtëzakonshme. Edhe në vjeshtën e vitit 2010, kur lindi kriza e ‘urisë’ brenda institucioneve qendrore të Kosovës, pas prishjes së koalicionit në mes të PDK-së dhe LDK-së, për vëzhguesit e vëmendshëm të zhvillimeve politike në vend, ishte e qartë që politika kosovare po shkon rrëmbyeshëm kah goditja e murit me kokë. Dihej asokohe që politika dhe shoqëria kosovare, nuk mund dot t’i bëjë zgjedhjet si duhet për 40-50 ditë. Por kumti ishte dhënë, istikamet parazgjedhore ishin hapë, fituesit ishin vetë-shpallë në të katër anët. Pak mend pati atëherë në politikën kosovare. Pak e aspak llogaritje pati asokohe ndër ne.
Dhe prej atëherë, ne jemi futur në një ‘borxh’ të madh politik, në një deficit dhe devalvim të mirëfilltë demokratik, i cili nuk është zvogëluar fare në ndërkohë. Përkundrazi.
Politika e sotme kosovare, nuk ka kaçik për tu marrë me dy palë zgjedhje në të njejtën ditë. Nuk dihet akoma, madje, sa jemi të përgatitur edhe për zgjedhjet lokale (vetëm), sepse ato, siç e dimë të gjithë ne, do të jenë më të ndërlikuara se rëndom, në vijim të synimit për integrimin e qytetarëve serbë të Veriut të Kosovës në institucionet e vendit.
Do të jetë kjo një ndërmarrje me rëndësi jetike për shtetin e Kosovës. I gjithë përqendrimi i politikës dhe i shoqërisë kosovare duhet të jetë në këtë datë, me 3 nëntor, në këto zgjedhje lokale.
Shumëçka do të matet pastaj me kandarin zgjedhor të 3 nëntorit. Duke përfshirë këtë edhe raportet reale politike në skenën e vendit, midis partive që grumbullojnë politikanët shqiptarë.
Viti i ardhshëm, edhe ashtu do të jetë vit zgjedhor. Atëherë do të finalizohen proceset që do të nisin me 3 nëntor.


