RCCOLA

Politika e Jashtme e Kosovës, e dështuar

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Bilanc tejet negativ i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Selmani: Aspekti diplomatik tregon dobësinë e koalicionit PDK-LDK

“Ishte vit shumë i zbehtë në aspektin e diplomacisë. Është pritur më shumë, por kur të analizojmë punën e kësaj Ministrie për Punë të Jashtme, pa kuadër dhe pa ekip lobues, jemi të bindur se nuk ka pasur gjasa të mëdha që të ketë më shumë njohje. Kjo ministri dhe diplomaci ka dështuar edhe në rrafshin e diplomacisë ekonomike, diplomacisë kulturore, pra kemi një dështim dhe te anëtarësimi në UNESCO”, u shpreh analisti Blerim Burjani

Uji Dea

Viti 2015 është përcjellë me një bilanc shumë negativ në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, i cili do të mbahet në mend si një nga vitet më të dështuara deri më tani për diplomacinë e re kosovare. Diplomacia kosovare dështoi në sjelljen e njohjeve të reja, në anëtarësimin e premtuar në UNESCO, pa liberalizim vizash, një favor tjetër që kosovarët nuk e kanë të sigurt se do ta sigurojnë madje as gjatë këtij viti, në të cilin sapo kemi hyrë.

I gjithë ky bilanc negativ i diplomacisë kosovare në vitin që lamë pas, duket dështim i pafalshëm përballë bilancit pozitiv, për të cilin po flet shteti serb në raport me Kosovën. Tani Serbia flet hapur për sukses diplomatik dhe shpartallim të integritetit dhe funksionalitetit që ia ka bërë Kosovës me nënshkrimin e Marrëveshjes për Asociacionin- Bashkësinë e komunave me shumicë serbe kundër Kosovës, prandaj është një moment kyç, kur diplomacia e Kosovës duhet të japë llogari edhe për këtë dështim të madh përballë përgjegjësive që ka pasur për vendin. “Diplomacia kosovare është treguar e ngathët në shumë drejtime, duke filluar me njohjet e munguara deri tek dështimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Vendnumërimi në këtë kuptim duhet adresuar përmes kërkimit të përgjegjësisë nga Qeveria, meqë Kosova nuk mund vazhdojë të mos fuqizojë shtetësinë e saj, duke e rritur prezencën ndërkombëtare në mekanizma ndërkombëtarë. Në një kurs të tillë ku jemi, Ministria e Jashtme duhet të dëshmojë që ofron një strategji të qartë për rritjen e njohjeve dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke ndryshuar esencialisht pasivitetin e treguar deri më tani. UNESCO përbën shembullin më të mirë pse duhet ndryshuar strategjitë dhe qasjet diplomatike, sidomos në raport me Serbinë”, thotë analisti politik Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike./kosova sot/