ARKATANA

Poezia e përvojës poetike

/ 10 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Shefik Shkodra – Në fillim të karrierës së krijimtarisë letrare, shumica që startojnë në fëmijëri, atëherë kur bëjnë hapat e parë, u duket se prej gjinive letrare, më e lehta është poezia. Por, dua të them se, është krejt e kundërta. Është punë e gjatë të flitet se çka është thënë për poezinë nga krijues botërorë nga e kaluara, si bie fjala Mbretëresha e arteve, etj.

Kështu, secili edhe prej nesh, në ato kohë të hershme, mendonim vetëm, a ka mundësi të botojmë diçka, dhe s’e konsideronim aq të rëndësishme a ia arrinim qëllimit apo jo. Mirëpo, shpejt vjen koha për ta gjykuar punën e vetvetes, a është mirë apo jo. Është origjinale apo ndonjë rrëshqitje në huazime të të tjerëve. Janë të gjithë parametrat e qëlluar apo mungojnë?! etj. Më vonë ka qenë e mundur ta shkoqësh disa herë fletën për një strofë. Ka raste edhe kur e ndërprenë për një kohë atë krijim, për të cilin duket se nuk ia arrin qëllimit. Dhe, vlerësimi i punës së vetvetes, them, është më real e më i saktë, dhe gjithsesi më e pranueshme për lexuesin do të bëhet. Këtu poshtë do të shohim me shembullin e librit të poezive të autorit i cili do të na mundësoj t’i shprehim disa përshtypje që kemi për te, pa ndonjë kompetencë të veçantë, por vetëm si lexues i rëndomtë. As pa ndonjë përimtim shumë specifik teoriko-stilistik. Në realitet vetëm

Një referencë e shkurtër për këto vargje

Të librit të ndarë katër cikle: Angështirë, Angështirë e molepsur, Angështirë e nakatosur dhe Angështirë e përdalë. Krejt kjo përmbledhje përmban 52 poezi brenda kopertinave.

“Në prehër të idilës” është njëra prej përmbledhjeve të poezive të Hysen Këqikut, e cila me ketë emërtim nxit kureshtjen për libër simpatik e të këndshëm. Një jehonë poetike e autorit, në vazhdën e sa e sa krijimeve dhe vëllimeve të tij në vargje. Për këtë vëllim lexuesi në pamje të parë do të hamendet si për një pushim e rehati të “trupit e shpirtit”. Lexuesi veç kësaj, do të mendojë se, ka qëlluar në librin që do ta zbaviste për një bjerrjeje kohe, diçka si përtaci a çlodhje dite. Pra, vetëm titulli do të jetë ngashënjyes, gjë të cilën nuk duhet injoruar. Megjithatë, kjo do të dilte krejt si befasi e për kureshtjen tonë, një angazhim-leximi tepër serioz për ta deshifruar, herë-herë, si një enigmë bashkëkohore me angazhim superior…

Këto farë emërtimesh kemi has edhe më parë te krijues tjerë letrarë, si: “Në prehër të gjyshes”, në prehër të gjyshit, në prehër të nënës, e në prehrin e kujtdo tjetër që është i afërm, që e duam dhe na do. Në prehrin e kujtdo që gjejmë shpëtim, apo përkëdhelje e qetësi. Këto emërtime – titullime jemi mësuar t’i shohim sidomos te krijues për më të vegjël, qofshin ato përmbledhje apo vetëm ndonjë poezi. Mirëpo, duke lexuar përmbledhjen Në prehër të Idilës, që nga poezia e parë e deri te e fundit, do të bindemi se kemi të bëjmë me një shprehje më serioze e nga pak si hermetike. Dhe do ta vërejmë se nuk është dhe nuk bëhet fjalë për atë që u tha deri këtu.

Individualiteti krijues – shprehje e përvojës

Dashuria për rrethin, për familjen, për kolegët e të gjithë njerëzit, sikur edhe për natyrën dhe vendin, janë ekuivalencë e mallit dhe dhimbjes si dhe e shqetësimeve në të njëjtën kohë. Të gjitha këto ndjeshmëri që shfaqet te njerëzit e zakonshëm, janë të pranishme edhe te poeti, i cili siç është e njohur prej të gjithëve, edhe ai është një qenie njerëzore. Vetëm te ai, mund të thuhet lirisht, se ndjeshmëria është reflektim i shpejt dhe më shumë dimensione, e përjetuar më e thellë dhe mbajtje në vete më e gjatë.

Me këtë rast i japim përparësi Hysen Këqikut për përmbledhjen e tij poetike “N ë p r e h ë r t ë I d i l ë s”.

Pas një pune të gjatë, mosha e autorit tashmë ka bërë që të filtroj edhe shprehjen poetike nga gërshetime motivimesh dhe idesh të ndryshme. E para është, shkarkimi nga emocionet dhe qasja ndaj shkrimit me një maturi të veçantë, i ka mundësuar H. Këqikut, që rrjedha e vargut poetik ta marrë shtratin e vet të duhur. Pra, “Në prehër të idilës”, duke pas parasysh një jetë tejet dinamike, autori e ngadalëson dhe e qetëson leximin e librit, njëkohësisht i jep referencat dhe kahet pa ndonjë mëdyshje. Tash, kur jemi ulur në qetësi të çastit, kur i largojmë të gjitha ngacmimet e përnjëhershme, përcaktohemi në motivet dhe vijmë deri te ajo shprehja e pastër dhe pa ngarkesa emotive gjithfarësh, sigurisht që do të na ngashënjejë. Barra e rëndë ka pasojat e veta negative dhe frytet na dalin pa çiltërinë e duhur.

Dhe, kur nuk do të lejojmë të na rrëmbejnë dhunshëm as ethet e rastit, por me kujdes e ngadalë: “Nën hirin e zjarrit/flaka/kahmot është përgjumur” – dhe mirë që është ‘fashitur’ ‘flaka’ në gjumë. Thamë, ngarkesat emocionale nëpër kohë, herë-herë e dobësojnë dhe e ngulfasin krijimtarinë e mirëfilltë e të dedikuar objektivisht për qëllimin. Krijuesi u jep gjuhën e njeriut gjësendeve. Bisedon me qeniet e gjalla të tjera. Figurat e mira na ndihmojnë dhe ato të ligat na lemerisin. Dhe, autori sikur përpiqet t’i vej kapakun asaj llahtarie, e cila shpesh na duket se shfaqet më shumë se idila.

Eco Higjiena

Prej këtu poeti merr guximin dhe është më i sigurt edhe në vrojtime largësie, në soditje të detajeve më të vështira e më të imta të objekteve. Ashtu në prehër të qetësisë e normales imagjinata poetike fluturon çdo kund skutave të tokës, e madje edhe të qiellit e gjithësisë:
“Në prehër/si në djepin e ngrohtë/idila numëron yjet rreth hëne”. Këtu shfaqet ulja e tensionit ditor, sa për të numëruar lehtë edhe “yjet rreth hënës”, sa për të vrojtuar edhe pikat më të vogla e më të skajshme. Do të thotë, e marrim qetësinë si mjet të përdorshëm që do të lejonte shprehje të lirë e të mirëfilltë.

Kjo nuk do të thotë se intonacioni poetik nuk lëviz e as nuk ka shqetësime, atëherë kur paraqitet rasti në motivin e më tejmë të këndimit. Rënie-ngritjet janë barometrike, por të një mase të kultivuar: “Bëhu ndjenjë dhembjeje/edhe për reliktet e xhubletave/ Edhe për emra të importuar/pa etimologji të ç’doganuar…” (Ndjenjë dhembjeje, f. 16). Ose, “Të flas me fjalë të lagura/ të vargjeve nga baladat”. Shihet qartë se, kemi të bëjmë me një shprehje origjinale individuale, pa një patos, që jemi të mësuar ta dëgjojmë të shumtën e rasteve prej një pjese të poetëve tjerë. Por, me një lehtësi e bindshëm për subjektin që vihet përpara autorit si shqyrtim.

Madje, kjo e shfaqur me elemente të mjaftueshme që është e domosdoshme për një poezi të sotme…

Herë-herë intomimet ngrihen lartë për ta sforcuar idenë dhe motivin, për të shfaqur edhe temperamentin individual kundrejt fenomeneve shoqërore të papranueshme. Dhe këto angështina të autorit që mund të paraqiten gati te secili prej atyre që merren me krijimtarinë poetike, kanë një peshë në fjalën e shkruar me këtë rast. Pra, kohë pas kohe, paraqiten edhe ngushtimet e frymës si të përkohshme. Këto zagushi të përkohshme janë edhe një dhembje e madhe, e pa tolerueshme nëse kështu mund të thuhet. Për këtë poeti jep edhe dimensionin angështirë.

Kjo i jep jo vetëm ngjyrën dhe fasadën poezisë si një ndërtese grandioze, por edhe domethënien e figurave stilistike: “Nga dhembja/e kafshimit të heshtjes/më erdhi gulshimi” (Baladë e zogut të harruar, 30). Ngushtimet e tilla paraqiten edhe me mundime, por edhe lehtësia është e madhe pas shfaqjes së krijimit. Sigurisht që, heshtja për çdo gjë është dhembje, sidomos te krijuesit, por është heshtja dhembje shumë e madhe, kur dinamika e jetës nuk të lë hapësirë. Mundësia vjen edhe nga kushte e rrethana ambientale, por edhe subjektive. Dhe kështu, nuk lejojnë që të thuash krejt atë (të qarët apo të kënduarit) lirë e pa drojë.

Gjatë gjithë këtyre vargëzimeve hasim edhe në sinkronizimin e satirës e ironisë që na japin një begati të shprehjes së fuqishme poetike. Si një kripë gjelle për të cilat do të mundemi të flasim shumë. “Në liqenin/ e mullisë së pakripur/lindin mitet e paqena// Me lakuriqësinë e tyre/garojnë mizat/për të peshuar rëndë” (Fati nuk do të mbetet i ndarë, 32).

Nëpër këtë përmbledhje nuk kalojmë pa u ndesh edhe me porositë e autorit: “Mos të të vijë vërdallë/rrethi i projektuar/për tundime/As lakuriqësia/e lakuriqëve/me fluturimet tinëzare” (Gërgat pareshtur, 31), këto janë ndeshjet e çdoditshme. Të shumëllojta e shpesh me ankthe. Janë fërkimet nëpër shkallët e jetës, nëse mund të thuhet kështu. Kur e hetojmë të sinqertën e kur edhe atë mashtruesen…si vështirë të evitueshme këtë të fundit.

Për fund

Në mesin e kësaj përmbledhje i kam nënvizuar disa prej atyre poezive më të pëlqyera, për mua, si ajo: Të lutem, Përdëllesa, S’ka lamtumirë nga ofshama e tretjes, Më mori ëndrra, Ankthi kullot, Në log të ditës, Fati nuk do të mbetet i ndarë, e tjera të ngjashme.

Mjaft mirë janë përdorë edhe figurat e ndryshme stilistike. Përveç metaforës, personifikimit, antitezës, simbolit edhe anaforën e ka përvetësuar autori në këtë përmbledhje. Edhe fjalori është mjaft i pasur. Hiq një pjesë të eufemizmave dhe të si arkaizmave. zëvendësimi në temën e tyre i ndonjë foneme/morfeme tjetër, nuk na sjell as neologjizma.

Gjithsesi që të gjitha nuk ia humbin vlerën…shpesh me ndonjë neologjizëm, madje edhe arkaizëm sikur i stolisim poezitë dhe i bëjmë më atraktive për lexuesit.
Kjo përmbledhje e poezive është rezultat i shprehjes së arritur të përvojës dhe përkushtimit permanent të autorit./rajonipress/