Mobi Casa

Poezi të frymëzuara nga gryka e Karadakut

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Të shtunën në ambientet e Parck Kafe në Gjilan është promovuar libri i Fehmi Qerimit i titulluar “Klithmë kohe”. Për librin folën recensentët Nexhat Rexha e Arsim Halili derisa botuesi Sabit Rrustemi tha se është njëri nga librat që vërtet ka merituar të jetë në vitrinat e çdo familjeje të Anamoravës.

Poet, krijues, shkrimtar e letrar kanë marrë pjesë të shtunën në promovimin e librit të mërgimtarit Fehmi Qerimi. Libri me poezi i titulluar “Klithmë kohe” është vlerësuar lart nga Nexhat Rexha e Arsim Halili.

Duke folur për vlerat e librit botuesi i Ars Clubit “Beqir Musliu”, Sabit Rrustemi tha se libri i Fehmi Qerimit është i koncipuar përmes gjashtë cikleve, Rrënjët e dheut ar, Binom jete, Mozaiku i ëndrrës në pritje, Sirtarët e kohëve të trishta, Pritjet në sipërfaqen e hënës e Monologu i një skene ndryshe, poeti i ri, Fehmi Qerimi nis shetinë e tij poetike nga Gryka e Karadakut, duke shpaluar e sfiduar shumë ngjarje e përjetime nëpër të cilat kaloi populli ynë, madje edhe duke qenë shpesh edhe vet protagonist nëpër klithma kohësh, të cilat, më në fund rezultuan me lirinë e shumëpritur.

Kurse recensenti i parë i parë i këtij libri, kritiku e poeti Nexhat Rexha,vlerëson se vëllimi poetik i Fehmi Qerimit vjen si rezultat i përkushtimit të tij nëpër bredhjet e jetës, për të shtuar se, poezitë e finalizuara ruajnë në vete elemente burimore nga vendlindja e tij, Karadaku.

“Me këto ruajtje në shpirtin e tij ngërthehen edhe tiparet domethënëse të kësaj treve, e të këtyre njerëzve, të cilët kanë bartur në vete dashurinë e pandërprerë të jetës, pavarësisht ku ai ka jetuar e vepruar. Stolitë e atdhetarëve të Kosovës autori i ka perceptuar me shkëlqimin e gjakut të tyre, kur ata e dhanë jetën e tyre, si: Jusufi, Kadriu e Bardhoshi. Liria në kërkim artikulon edhe ruajtjen dhe kërkesën e universit” ka thënë Rexha.

Shekujt ndërrojnë jetën e shpresa për liri e ka mbajtur autorin të gjallë, në pritje dhe kërkim të saj. Autori beson në këtë botë, sepse ajo i ka edhe thesaret e veta, andaj edhe vargu i poezive të tij gjen e jep frymëzim për të dhe për lexuesin e tij.

Pritja për një përfundim ka mesazhin e kurorëzimit të elementit pozitiv, e ky pozitivizëm ka mbështetje edhe kur ai përfundon në atdheun e lirë. Këto trazime shpirtërore, sipas kritikut e poetit Rexha, i kanë edhe sinjalizimet e shkëndijave të ëndërruara. Kujtimet nga e kaluara dhe roli i nënës në edukim, kanë ruajtje të thellë në botën poetike të Fehmiut, sepse shtëpia e braktisur e përcjell atë kudo që shkon.

Në tërësinë e vargjeve të tij, malli nuk shteron, edhe pse koha gjithnjë në këtë botë është në ikje, ai të jep shpresën në ecje të kohëve, për të kurorëzuar ngrohtësinë poetike me të gjitha ngjyrimet e trevës nga vjen autori.

Uji Dea

Ndërsa recensenti tjetër, Arsim Halili, i shquar kohëve të fundit dhe me shkrimet e tija eseistike për letërsinë, shton se Fehmi Qerimi është peng i stinorit kohë, për të cilin bredhjet e tij jashtë atdheut krijojnë binomin e jetës, të ngritur në fuqinë e shpërthimit eksponencial të një jete të dyfishtë mes ëndrrës dhe realitetit. Fuqia e zërit poetik jo vetëm që ndërkomunikon dhe etablon tema me larushi ëndrrash, që natyrshëm janë në divergjencë me kohën në ikje, e cila pashpjegueshëm dhe pahetueshëm krijon një mozaik të jetës ku në dioptrinë e tij krijues vë përballë universalen dhe individualen, të perceptueshmen dhe imagjinaren, por gjithnjë me shijen e një krijuesi që filtron vargun ku koordinon me fluiditet artistik dhe koncept të qartë ideo-tematik.

Libri i parë i këtij autori, i cili shquhet edhe për një përkujdesje të lartë teknike, si dhe një pikture që i gjason shumë titullit të librit, punuar nga piktori i mirënjohur, Jetullah Haliti – Eti, nga cikli “Pëllumbat e paqes”.

Vet autori Fehmi Qerimi tha se poezinë e ka dashur që nga fëmijëria. “Unë jeton në perëndim, por malli për trojet tona, vendlindjen e rrënjët e Karadakut prej nga vijë për mua ishin një frymëzim i përhershëm “ tha Qerimi.

Ndryshe Fehgmi Qerimi është një bashkatdhetar yni që prej vitesh jeton e punon në Zvicër, ku edhe ka mbaruar studimet e larta në fushën e mjekësisë intensive.

Është lindur e rritur në Grykën e Karadakut, përkatësisht fshatin Pidiq, shkollimin fillor e të mesëm i kreu në Zhegër, përkatësisht në Gjilan.

Gjatë fillimit të viteve 90 –ta, dhunshëm , si ushtar i ish ushtrisë jugosllave, e përfshijnë në luftën serbo – kroate, prej nga, mezi arratiset.

Më pas nis studimet në Prishtinë, në degën e letërsisë dhe gjuhës frënge por, nga rrethanat e kohës, i braktis pa dëshirën e tij dhe mërgon në Zvicër, ku edhe diplomon në vitin 2004, në Menagjment Shëndetësor, me fokus Psikologjia e Ndërmarrjeve Spitalore – Resurset Humane./rajonipress/