Poezi që shprehin nostalgjinë e madhe ndaj vendlindjes
Gjilan – S’ka më e dashur dhe më e dhimbshme se vendlindja. Ajo është foleja e parë dhe më e ngrohtë e njeriut. Sado që të jetë e vogël apo e madhe apo tjetër, ajo emrin e ka vendlindje. Vendlindja nuk matet me sy, por ajo matet me zemër. Po këtë jetë të mërgimit e ka shijuar dhe akoma po e shijon edhe Hevzi Këqiku i lindur në fshatin Velia Glaua të Epërme të Dardanës. Ai, qysh i ri e morri rrugën e mërgimit dhe jeton në Zvicër.
Zemra e njeriut gjithmonë flë në vendlindje. S’ka më e ëmbël se vendi ku ke lindur! Ajo është ngrohtësia, gëzimi, hareja, kënga, loti, lodra, dashuria dhe gjumi i ëmbël i jetës. Për vendlindjen kanë shkruar me qindra shkrimtarë, e sidomos shkrimtarët të Rilindjes sonë Kombëtare Shqiptare. Këta shkrimtarë janë djegur e janë përvëluar për vendlindjen. Loti u ka shkuar zvarrë…Pse jo? Lotoi edhe Filip Shiroka për vendlindjen e tij, Shkodrën e dashur, për ato varre n’fushë të Rrëmajit, ku ka jetuar ai dhe të parët e tij. Ai ka jetuar në Bejrut të Libanit.
Po kështu, jetuan larg vendlindje e atdheut, vëllezërit Frashëri në Stamboll (Turqi); në Bukuresht jetoi Asdreni; në Misir jetoi larg Shqipërisë, poeti Çajupi e shumë të tjerë. Ose Serembe, poeti më i dhimbshëm i romantizmit shqiptar, ka jetuar larg Strigarit, në San Paolo të Brazilit (Amerikë), ku edhe vdes i përmalluar shumë për atdheun e vendlindjen e tij. Ai këtë mall e ka shprehur në vjershën “Vrull”, kur thotë: “Abëria matanë detit na kujton, se ne të huaj jemi te ky dhe, sa vjet shkuan! E Zemra nuk harron, që ne turku na la pa Mëmdhe!” Kjo është dhimbja kolektive. Kjo ishte plaga më e madhe e shoqërisë e asaj kohe, e cila i detyroi shkrimtarët tanë të largohen nga atdheu i tyre për të vepruar më lirshëm në dobi të popullit dhe vendit të tyre. Tash është tjetër kohë.
Pra, erdhën kohë jo të ikjes nga më e keqja, por kohë e mbijetesës së njeriut tonë. Andaj, shumë qytetarë tanë, për të mbajtur familjet e tyre, ata morën rrugën e gurbetit nëpër shtete të Evropës, si: në Gjermani, Zvicër, Austri, Angli e vende tjera. Kjo rrugë ishte e është jo vetëm e dhimbshme, por edhe e rëndë jete. E dhimbshme, për faktin se shumë të rinj, duke mos gjetur qetësi jete, u detyruan që ta marrin rrugën e largët të mbijetesës. Ata të vetmin qëllim e kishin të punojnë dhe ta ndihmojnë familjen. Por, jeta e tyre është plot nostalgji ndaj vendlindjes, ndaj të afërmve të tyre etj.
Kjo është një dhimbë e kohës, e cila nuk po “përbihet”, është plot nostalgji dhe gjysmë jete gjumë në atdhe të huaj. Po këtë jetë të mërgimit e ka shijuar dhe akoma po e shijon edhe Hevzi Këqiku i lindur në fshatin Velia Glaua të Epërme të Dardanës. Ai, qysh i ri e morri rrugën e mërgimit dhe jeton në Zvicër. Tradita familjare, vendlindja, vlimet politike në vend, terrori jugosllav ndaj popullatës shqiptare, bënë që edhe Hevziu t’u bashkëngjitet radhëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Shumë herët konfliktet me kolonët serbë kishin bërë që familja e H. Këqikut të ishte në përleshje të shpeshta me policinë jugosllave dhe me UDB-në.
Për shkak të aktivitetit ilegal dhe pjesëmarrja aktive në ngjarjet e vitit 1981, si shumë të tjerë, edhe Hivziu arrestohet nga UDB-ja dhe burgoset disa herë me radhë. Për shkaqe politike dhe shëndetësore, ai emigron në Zvicër në vitin 1991 ku jeton dhe vepron edhe sot atje larg vendlindjes, Kosovës së dashur e të shtrenjtë. Dhe, jo vetëm kjo. Hivzi Këqiku nuk e harroi vendlindjen, djepin më të dashur të jetës.
Ai, ditë më parë botoi librin e tij të parë me poezi “Funkodra”, një vepër me artikulime poetike, të cilat ngërthejnë në vete nostalgjinë e madhe ndaj vendlindjes. Këto poezi, të cilat janë afro 70 sosh, secila në vetë rrëfen grimca “historie” të jetës së vendlindjes së tij Velia Glaua ose Velegllava e sotit.
Në anën tjetër, autori i libri shton se, ndonëse ishte kohë e dhunës serbe ndaj shqiptarët, tek si zgjohen ndjenjat plot vrull e etje për të shkruar poezi për dashurinë ndaj vendlindjes. “Pse unë mos ta botoj një libër dhe për kend tjetër, përveçse për vendlindjen time aq të lavdishme në sy të botës. Unë kam lindur aty, unë kam pirë ujë aty. Kjo nuk është një punë do si do! Se libri ka mision të madh. Një fjalë e urtë franceze për librin, thotë: “Libri udhëton në kohë…”. Pra, le të udhëtojë ky libër në kohë në emër të të gjithë atyre luftëtarëve që me aq dashuri e trimëri luftuan në vendlindjen time, në emër të çështjes sonë Kombëtare shqiptare”.
Autori shpreh dëshirën e tij që emri i fshatit të tij të mos ndërrohet dot, por të shqiptohet ashtu siç ishte më parë dem baba dem. Por, duke folur për poezitë e këtij libri, ai shton se, dikush do të mund të thotë: “Kjo vepër s’ka vlera artistike, e mos pastë vlera artistike antologjike e kritike profesionale, do të ketë vlera e rëndësi historike për Velia Glauan, gjithsesi do të ketë vlera e ndaj vendlindjes sime”(f.6). Që në fillim të librit “Funkodra”, autori e ka shkruar një himn për fshatin e tij Velia Glauan.Vërtet, kjo poezi është një himn apo këngë përkushtuese, e cila i referohet vendlindjes së autorit, ku pos strofave katrena, ai ka edhe refrenin që zgjohen emocionet dhe ngjall nostalgjinë për emrin e vendlindjes së tij. Ja refreni “Ju në Kikë e në guri të Zi/ Gjithmonë lindni për liri”.
Pra, himnin ia kushton luftëtarëve të kësaj ane të vendlindjes së tij dhe autori “këndon” në vargje: “Përgjithmonë do të jemi/ Vetëm flakë lirie/ Për Kosovë – Dardani/ Dhe kurorë Shqipërie!” (f.8). Autori shkruan poezi për motrën, se asaj iu “sul policia me rrebeshe/ edhe me pushkë e bajoneta/ dhe i qëndrove si burrëreshë/ se ishte vetëm mbijeta”! Poeti shkruan për kopshtin e nënës, për shtëpinë e Velia Glauas, e cila “është dritë lirie/ ku (ka) frymë arbënore dhe pamje trimërie”, ku në shtëpinë në fjalë “janë rritur heronjtë/ Kadria e Selmani/ edhe sot u ndihet zani”. Autori poezi shkruan për majën e këtij vendi, “ku thërret liria/ ngriten nga varri Selmani e Kadria. Po ashtu, autori shkruan poezi për Kroin e Lakit, ku shton: “Në ty, o Kroni i Lakit/ ata trima shuan etjen/ e përjetshme që kishin/ për lirinë e atdheut”; shkruan poezi për Gurin e Kuq, i cili ruan “kujtimet e kohërave të vrazhdëta që kaluan mbi ju”; po shtu shkruan poezi për rrënjët e kësaj vendlindje dhe autori shton: “Qëndroni ju/ o rrënjët e lashtësisë sonë/…besnike të përjetshme/ të vendi tonë”.
Por, autori i veprës shkruan për kodrën e madhe, e cila, si shton poeti: “Na uron e na thërret/ kur në rrezik ajo të jetë”; hijen e majes së Velia Glauas, të cilën maje e ruan: “… hije e shqipes ndër male/ ndaj qëndron mbi kokat tona/ krenare”; shkruan për mbrëmjen e nëntorit në këtë vendlindje, për rrugët, thellësitë e bjeshkëve, pranvera e këtij vendi, për krenarinë. Mandej, autori i veprës “Funkodra” H. Këqiku shkruan poezi që hijezohet nga këngët kreshnike apo nga poezia artistike e autorëve tanë të shquar, si me titull “Do të vij te ti”, shkruan poezi për dëshmorët e vendlindjes, për atletët e lirisë, për varrin e luftëtarit, për Kosovën, që sipas autorit, është legjendë e gjallë; për dëshmorin e lirisë, Mustafë Këqikun, që poeti e quan Kalorësi i lirisë, për Selman Kadrinë, Baladë për Zymer Hajdin Këqikun, për Agim Ramadanin, ku shton “Pushka jote/ Ku ka krisë/ Agim i Zhegrës/ Agim i lirisë”(f.60). Por, poeti, në veprën e tij “Funkodra” ka shkruar për Gjon Sereçin se si UDB-a e ka mbytur, duke treguar se atë e mbytën me litar në fyt. Por, autori shkruan per dasmën e Muharrem Fejzës, livadhet, për Shqipëria, ku poeti pyet: “A bëhet Shqipëria me anti Shqiptarë?”(f.71). Ai shkruan poezi për robërinë, për tregimin e Prishtinës e të tjera poezi me tema të ndryshme, por shumica e krijimeve poetike janë të lidhura me mallin ndaj vendlindjes së autorit.
Ndërsa, Demir Behlulit, redaktor e krijues, në fund të librit, shton: ‘Hevziu nuk i ngjanë të tjerëve, është origjinal dhe shumë i sinqertë. Hevziu në vargun e tij ka pakë lirikë, pak epikë, pak tregim, pak histori dhe pak gjeografi, por ka edhe mjaft satirë.
Ai vendlindjen, heronjtë, kombin e vetë shqiptar, i sheh si të shenjtë nga këndvështrimi i tij specifik, qysh nuk jemi mësuar deri më tani të hasim te poetës tjerë. Hivziu nuk i harron toponimet e vendlindjes, me vargjet e tij e respekton dhe i nderon luftëtarët, personalitetet etj”. Pra, vepra “Funkodra” e Hevzi Këqikut është një vëllim poetik origjinal në këndimin e tij artistik, por çalon nga pjesa tjetër e herrjes dhe e përpunimit të vargjeve të autorit të librit. Sidoqoftë, këto poezi të tij shprehin nostalgjinë e madhe ndaj vendlindjes dhe rreth saj./Tefik Selimi/rajonipress/


