Poeti që e ndan zemrën mes diasporës, filozofisë dhe dashurisë për Atdheun

Intervistoi: Dashnim HEBIBI, Zürich. Intervistë ekskluzive me Arben Kurteshin – një bisedë e ngrohtë dhe përplot mendim të thellë.
“Historia jonë është testament i fuqishëm për arritjen e lirisë. Ajo dëshmon se, kur idealet e zemrës bashkohen me vizionin e mendjes dhe me një qëllim të qartë, asgjë nuk është e pamundur. Mirëpo, fatkeqësisht, pas luftës ndodhi një ngecje e theksuar.
Sepse në vend që idealet të shndërroheshin në politika zhvillimore, ato u përkthyen në synim për pushtet. E kur pushteti bëhet qëllim në vetvete, çdo gjë tjetër rrëshqet në plan të dytë. Kështu ndodhi edhe me zhvillimin ekonomik ai u trajtua si temë dytësore, si çështje anësore”, na tha ndër të tjera z.Kurteshi.
Kur përmendet emri i Arben Kurteshit, mendja na shkon jo vetëm te një emër i njohur në diasporën shqiptare, por te një figurë shumëdimensionale – dikur i pranishëm në sferën e politikës dhe ekonomisë, sot i përkushtuar gjithnjë e më shumë krijimtarisë letrare dhe reflektimeve filozofike. Arbeni është një nga ata njerëz që ecin me kohën, por nuk harrojnë kurrë nga kanë ardhur. Një njeri me rrënjë të thella në truallin e kulturës, por me degë që shtrihen gjithandej, mes gurbetit dhe kujtesës.
Ka njerëz që ecin në jetë pa zhurmë, por që lënë pas jehonë.
Dhe ka fjalë që nuk thuhen me zë të lartë, por që prekin më thellë se britma. I tillë është Arben Kurteshi – një emër që për më shumë se dy dekada e kemi njohur si njeri të përkushtuar, si mendimtar, si krijues, si qytetar i denjë i dy botëve: asaj shqiptare dhe asaj të huaj që e bëri të vetën.
Ka autorë që botojnë libra. Dhe ka autorë që kur botojnë, sikur hapin dritare të reja për të parë botën ndryshe. Arben Kurteshi është padyshim nga ky i dyti. Nuk ka qenë kurrë zë i zakonshëm – qoftë kur fliste për ekonominë, qoftë kur përfshihej në çështje politike, apo kur i jepte zë poezisë dhe meditimit filozofik. Tashmë prej vitesh, krijimtaria është shndërruar në shtëpinë e tij të re – dhe ne, si lexues, kemi privilegjin të jemi mysafirë në të.
Këto ditë, ai njoftoi përmes një postimi të përzemërt në Facebook botimin e librit të tij të radhës – një vepër me titull intrigues, që ngacmon mendjen dhe shpirtin e lexuesit qysh pa e hapur kapakun.
A është poezi?
Është filozofi?
Apo një ditar përditshmërie i shkruar me gjuhën e shpirtit?
Këtë do ta zbulojmë më mirë gjatë kësaj interviste të veçantë, ku kemi fatin ta kemi mik dhe bashkëbisedues një njeri që e njohim tash e mbi 25 vjet – jo vetëm si krijues, por edhe si një njeri me qëndrim, përkushtim dhe integritet.
E falënderojmë Arbenin për kohën që ka ndarë me ne dhe besojmë se lexuesit do ta mirëpresin këtë bisedë po aq ngrohtësisht sa edhe veprën e tij më të re.
Për të zbërthyer më shumë mbi këtë libër – dhe për të hyrë më thellë në mendjen dhe zemrën e një autori që gjithnjë ka diçka për të thënë, edhe kur hesht – sot zhvillojmë këtë bisedë të veçantë me Arben Kurteshin.
Fjala juaj e parë për lexuesin: Çfarë do t’u thoni atyre që hapin për herë të parë faqet e këtij libri?
Ky libër nuk pretendon ta mësojë lexuesin, por të komunikojë me lexuesin. Ngre më shumë pyetje se sa që jep përgjigje. Pyetje si e arritëm gati të pamundurën lirinë e lavdishme dhe a mund ta arrimë zhvillimin në nivelin që e duam. A janë bërë punët e duhura në momentin e duhur. I ngjan më shumë një pasqyre që të shohim synimet dhe arritjet tona.
Pse duhet ta lexojnë? Çfarë e bën këtë vëllim të dallojë nga krijimet tuaja të mëparshme?
Ky libër nuk jep mësime, por ofron pasqyrime. Ky libër inkurajon lexuesin të reflektonë në angazhimin dhe punën tonë si atë të para dhe pas luftës. Këtë libër duhet ta lexojnë ata që kanë pyetje, për progresin tonë dhe kërkojnë fjalë të shprehjes. Në këtë libër ka thëni që na bëjnë na hapin derën për të hyrë mendime.
Përmbajtja në pak fjalë: Si do ta përshkruanit vetë thelbin e librit – poezi e pastër, shënime filozofike apo mozaik përditshmërie?
“Pak filozofi” është një bisedë mes zemrës dhe mendjes, një ftesë për reflektim, për të parë mozaikun e përditshmërinë me sy më të thellë, dhe për të shtruar pyetjen se a mund ta pikturojmë zhvillimin e vendit në kokat tona, si dikur lirinë dhe të përdorim gjithçka si shteg drejt arritjes.
Misteri i titullit: Pse zgjodhët pikërisht këtë titull intrigues?
Ky titull, ndoshta paksa provokues, është një ftesë dhe një kushtrim për qetësi mendore – një thirrje për të parë vendin me një sy më të thellë e për të reflektuar me mendje dhe zemër.
Rreth krijimtarisë suaj
Frymëzimi: Ku e gjeni dritën që ndez vargun apo mendimin filozofik?
Frymëzimi filozofik më vjen nga ajo hapësirë mes jetës reale dhe asaj që duam ta arrijmë – nga vizioni që e kemi pikturuar në mendjet tona për një zhvillim cilësor. Më frymëzon ideja e një shoqërie me arsim të fortë, shëndetësi dinjitoze, siguri sociale, infrastrukturë moderne dhe kushte të denja për jetesë. Ashtu si dikur e pikturuam lirinë dhe përdorëm gjithçka si shteg për ta arritur, sot duhet të pikturojmë zhvillimin dhe ta ndjekim me të njëjtën përkushtim. Pikërisht aty, në atë përfytyrim të një të ardhmeje më të bardhë, më të ndritshme, gjej burimin e pandalshëm të frymëzimit dhe inkurajimit tim — për të shkruar, për të punuar dhe për të kontribuar.
Poet i emocioneve: Në poezitë tuaja shfaqen herë pas here prindërit. A bëheni më i ndjeshëm me kalimin e viteve?
Ndjeshmëria ime për prindërit nuk ka ndryshuar në thelb, ajo ka qenë gjithmonë e thellë dhe e vërtetë, por me kalimin e kohës ajo është bërë më e qartë, më reflektuese. Me moshën, ne nuk bëhemi domosdoshmërisht më të ndjeshëm, por më të aftë për të parë thellë në sakrificat që prindërit tanë kanë bërë në rrethana të shumë të vështira shpesh në heshtje e pa u ankuar.
Sot, nga ky këndvështrim i kohës dhe i përvojës, arrij ta kuptoj më mirë se çfarë do të thotë të rritësh një familje në kushte të vështira ekonomike, politike, nën sundim. E kuptoj më mirë atdhedashurinë e tyre, vizionin që kanë mbajtur gjallë edhe në errësirë, idealet që i kanë ushqyer fëmijët me to, pa shumë fjalë, por me shumë vepra.
Prindërit, për mua, janë rrënja e çdo poezie që flet për durimin, përkushtimin dhe dashurinë e pakusht. Janë ura që na lidhin me të kaluarën dhe qirinjë që na e ndriçojnë të ardhmen.
Në çdo varg për ta, shkrusj një ndjenjë të thellë respekti e mirënjohjeje. Tani, më shumë se kurrë, e kuptoj se sa shumë duhet të jemi falënderues, dhe se si duhet ta ruajmë kujtimin e tyre në zemrat tona.
Zhanret: Prehja juaj e vërtetë është në poezi, tregim apo roman?
Pa dyshim, prehja ime është në poezi. Poezia është është ndjenjë, është melodi që tingëllon në shpirt. Poezia është mjalti i letërsisë, një poezi e koncentruar mund të përshkruaj sa një roman i tërë.
Përvoja e diasporës
Dita e parë në Zvicër: Çfarë kujtoni nga ai fillim dhe sa vite numëron tashmë kjo rrugë e mërgimit?
Ka qenë një ditë me shumë me emocione dhe ndjenja. Nga njëra anë, përjetova një ndjenjë çliruese për shkak të gjendjes së atëhershme, ndërsa nga ana tjetër ishte shumë e dhimbshme të lija pas njerëzit e zemrës. Tani janë bërë 33 vite që nga ai rrugëtim drejt mërgimit
Mësimet nga Zvicra: Cila është gjëja më e çmuar që keni marrë prej saj – në punë e në jetë?
Nga përvoja ime në Zvicër, kam marrë disa mësime të çmuara që kanë ndikuar si në jetën time personale, ashtu edhe në rrugëtimin profesional. Para së gjithash, kam mësuar se cilësia është shumë më e vlefshme sesa sasia. Ky parim nuk është vetëm një rregull ekonomik apo industrial, por gati se në çdo fushê. Nga marrëdhëniet njerëzore deri te puna dhe prodhimi, cilësia është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi dhe respekti i ndërsjellë. Së dyti, kam mësuar se dialogu është çelësi i çdo zgjidhjeje.
Në një shoqëri kaq të organizuar dhe të shumëllojshme si ajo zvicerane, komunikimi i hapur, dëgjimi aktiv dhe respekti për mendimin ndryshe janë mënyra të natyrshme për të ndërtuar ura mirëkuptimi dhe për të zgjidhur çdo lloj sfide, qoftë ajo institucionale, sociale apo personale Së fundi, një nga mësimet më të bukura ka qenë kuptimi se shumëgjuhësia nuk është pengesë, por pasuri. Në Zvicër, fakti që fliten disa gjuhë nuk shihet si ndarje apo vështirësi, por si një pasuri kulturore që pasuron të gjithë shoqërinë. Kjo më bën që ta vlerësoj edhe më shumë gjuhën time amtare dhe të jem më i hapur ndaj gjuhëve e kulturave të tjera.
Kthimi në atdhe: A i thoni ende vetes se një ditë do të ktheheni përfundimisht?
Ne jemi në Evropë, dhe Evropa është shtëpia jonë. Mundësitë teknologjike dhe infrastruktura moderne na lejojnë që brenda një apo dy orësh të jemi në çdo cep të kontinentit. Prandaj, nuk duhet ta mendojmë më jetën me ndarje si “Kosovë apo Evropë”, “Zvicër apo Gjermani”. Kudo në Evropë, ku ndihen vlerat e përbashkëta, ndjehem në shtëpi Sigurisht, Kosova jonë e dashur mbetet një vend i veçantë në zemrën time. Aty janë rrënjët, kujtimet, njerëzit e zemrës dhe ajo gjithmonë do të zgjojë emocione të forta. Njerëz të zemrës kam po ashtu edhe ne Zvicër. Evropa është shtëpia ime e zgjeruar dhe unë ndihem evropian, pra shqiptar i evropës me mendje dhe me zemër.
Angazhimi publik
Nga politika tek letërsia: Dikur me “petkun politik”, sot me penën poetike. Vazhdoni ta ndiqni politikën kosovare?
Të merremi me politikë, të votojmë, të shprehim mendimin tonë është detyrë qytetare dhe përgjegjësi morale. Unë gjithmonë kam dhënë atë që kam mundur për vendin tim, në mënyrën më të ndershme dhe më të përkushtuar që kam ditur.Në vitet e ’90-ta, në kohët më të vështira për popullin tonë, në moshën e re 26-27 vjeçare, organizova dhe dërgova ndihma për ish-Ushtrinë Çlirimtare, duke mbledhur ilaçe në vlera milionëshe që më pas i dorëzojsha në Klubin “Përparimi” në Altstätten të Zvicrës. Ajo periudhë më formësoi për jetë. Pas luftës, me bindje dhe vizion kërkova themelimin e Ministrisë së Diasporës, duke besuar se bashkëpunimi institucional me mërgatën është kyç për zhvillimin afatgjatë të vendit. Ndërsa sot, përmes penës poetike, vazhdoj t’i shërbej atdheut ndryshe, e me zemër. I kam dhuruar vendit gjashtë vepra letrare, të shkruara me dashuri për atdheun, për nënat, për fëmijët, për dheun që s’e harroj kurrë, për natyrër e bukur. Letërsia për mua është një mënyrë tjetër, për të ndikuar, për të reflektuar dhe për të ndërtuar rrugën drejt një shteti më të drejtë, më të ndritur dhe më njerëzor.Po unë e ndjek politikën kosovare jo nga tribuna, por momentalisht nga largësia .
Sy kritik: Si e shihni sot situatën politike në Kosovë, nga këndi juaj i pavarur intelektual?
Gjendja aktuale ekonomike në Kosovë është pasqyra më e qartë e angazhimit – apo më mirë të themi, mospërkushtimit të duhur pas luftës. Historia jonë është testament i fuqishëm për arritjen e lirisë. Ajo dëshmon se, kur idealet e zemrës bashkohen me vizionin e mendjes dhe me një qëllim të qartë, asgjë nuk është e pamundur. Mirëpo, fatkeqësisht, pas luftës ndodhi një ngecje e theksuar.
Sepse në vend që idealet të shndërroheshin në politika zhvillimore, ato u përkthyen në synim për pushtet. E kur pushteti bëhet qëllim në vetvete, çdo gjë tjetër rrëshqet në plan të dytë. Kështu ndodhi edhe me zhvillimin ekonomik ai u trajtua si temë dytësore, si çështje anësore. Të ardhurat nuk i mbulojnë as nevojat më elementare të shumë qytetarëve tanë. Ndërkohë, një pjesë e madhe e popullsisë mbështetet ende në remitencat e diasporës mjete të përkohshme që qarkullojnë për disa javë në Kosovë dhe më pas kalojnë kufirin për të përfunduar në tregjet e fqinjëve tanë, sidomos në atë verior. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë ne kemi treguar se dimë t’i arrijmë gjërat e mëdha. Lirinë e arritëm në kushte thuajse të pamundura. Kjo duhet të na shërbejë si burim force dhe vetëbesimi. Pse atëherë, kur arritëm lirinë, nuk po e arrijmë sot zhvillimin.
Ai është realisht më i mundshëm, më i prekshëm dhe më i domosdoshëm.Populli ynë ka dëshmuar se kur idealet udhëhiqen nga mendimi i kthjellët dhe nga një qëllim kombëtar, pengesat nuk janë fundi, por shteg drejt arritjes. Mendjendriturit tanë na mësuan si të ëndërrojmë, si të ecim përpara kur rrethanat janë të vështira.Tani është koha jonë, radha jonë për të bërë realitet zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Kjo është përgjegjësia jonë ndaj brezave që po rriten.
Duhet të përqendrohemi me vendosmëri në krijimin e një mjedisi tërheqës për investime. Institucionet duhet të jenë proaktive: të dalin vetë në kërkim të investitorëve, t’i dëgjojnë, t’u ofrojnë zgjidhje konkrete qoftë në aspektin ligjor, infrastrukturor apo social. Sepse vetëm përmes seriozitetit, transparencës dhe guximit institucional mund ta fitojmë besimin që kërkon kapitali.Vetëm atëherë kapitali do të vijë , do të rrjedhë drejt vendit tonë dhe do të qëndrojë. Vetëm atëherë qytetari i zakonshëm do të gjejë punë të dinjitetshme në vendin e tij, pa pasur nevojë ta kërkojë atë jashtë kufijve.
Ndryshimet urgjente: Cilët hapa duhen ndërmarrë sa më shpejt, sipas jush?
Së pari, institucionet tona duhet të jenë proaktive dhe të ndërmarrin një fushatë serioze për të kontaktuar së paku 500 kompani me potencial, në sektorë të ndryshëm si industria, turizmi dhe shërbimet. Duhet të identifikohen me kujdes nevojat dhe kërkesat e tyre konkrete, dhe pastaj t’u ofrohen zgjidhje reale dhe të besueshme për investime, duhet të përqendrohemi me vendosmëri në krijimin e një mjedisi tërheqës për investime. Kjo nënkupton që institucionet tona të mos presin investitorët, por të dalin vetë në terren, t’i dëgjojnë, t’i kuptojnë dhe t’i mbështesin.
Duhet të krijohen kushte të favorshme në aspektin ligjor, infrastrukturor dhe socialë. Sepse vetëm përmes seriozitetit, transparencës dhe guximit institucional mund ta fitojmë besimin që kërkon kapitali.Vetëm atëherë kapitali do të vijë, do të rrjedhë drejt vendit tonë dhe do të qëndrojë. Dhe vetëm atëherë qytetari i zakonshëm do të ketë mundësi të punojë me dinjitet në vendin e tij, pa pasur më nevojë ta kërkojë jetën diku jashtë kufijve.
Letërsia dhe lexuesi shqiptar
Bota krijuese shqiptare: Si e përjetoni gjendjen e letërsisë dhe botimit në hapësirën tonë?
Letërsia shqipe ka zëra të fuqishëm dhe talente të spikatura, një mbështetje e duhur institucionale, dhe promovimi do t’u jepte autorëve tanë hapësirën që meritojnë brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, vërej me kënaqësi se po lindin Poet të rinjë. Letërsia jonë ka shumë për të thënë. Na takon neve, si lexues dhe si krijues, ta mbështesim atë.
Gjuha shqipe ka një melodi të veçantë dhe ofron një pasuri të jashtëzakonshme nuancash për të shkruar. Çdo tekst i shkruar në shqip, në thelb, është poezi.
Gjuhët e leximit: Lexoni më shumë shqip apo në gjuhë të huaja – dhe pse?
Unë lexoj rregullisht në tre gjuhë: shqip, gjermanisht dhe anglisht. Shpeshherë lexoj më shumë në gjuhë të huaja, sepse spektri i veprave është më i gjerë dhe shumë libra të rëndësishëm ende nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe. Por, me shumë dëshirë dhe kurreshtje i lexoj edhe autorët shqiptarë.
Pak lexues? Përse, sipas jush, letërsia shqiptare nuk ka audiencën që meriton?
Leximi është kulturë – dhe si çdo kulturë tjetër, ajo formohet dhe ushqehet që në fëmijëri, në familje, në shkollë, dhe në rrethin shoqëror. Nëse prindërit nuk lexojnë, nëse në shtëpi mungojnë librat, nëse shkolla nuk e nxit dashurinë për leximin dhe mësuesit nuk e kultivojnë këtë shprehi, atëherë nuk mund të presim që të rriten lexues të pasionuar.
Lexuesit nuk lindin vetvetiu ata rriten, frymëzohen, dhe ushqehen nga shembulli dhe nga mjedisi.
Nëse leximi bëhet pjesë e jetës familjare, e komunikimit në shkollë dhe në shoqëri, atëherë padyshim do të kemi më shumë lexues dhe më shumë respekt për letërsinë shqipe.
Porosia për lexuesit: Çfarë mesazhi do t’u jepnit atyre që hezitojnë të marrin një libër në dorë?
Leximi është magjik dhe një rrugë e sigurt drejt suksesit. Ai ofron përfitime të shumta për zhvillimin gjuhësor dhe mirëqenien e përgjithshme. Leximi nxit kreativitetin, përqendrimin dhe ndjeshmërinë, si dhe mund të ndihmojë në uljen e stresit.Ai forcon të menduarit kritik. Për më tepër, leximi zgjeron fjalorin, përmirëson gramatikën dhe aftësinë për t’u shprehur me qartësi e saktësi.
Fjalët tuaja në libra “protestojnë”, ndërsa ju jeni natyrë e qetë. Është ky manifesti juaj I brendshëm?
Po, aty ku heshtin të mirët, triumfojnë të këqijtë. Prandaj, nuk duhet të heshtim përballë të këqijave si dështimi i vazhdueshëm i Kuvendit, ikja masive e rinisë apo varfëria , edhe pas gati tri dekadash nga përfundimi luftës. Ka një thënie të bukur gjermane që më frymëzon: “Forca rritet në kopshtin e durimit.”
Unë kam durim dhe qetësi shpirtërore, por nuk mjafton. Prandaj kam shkruar një thënie edhe vetë: “Që të mirat të bëjnë hapa, duhet që të këqijat të lihen mbrapa”. Duhet ta ngremë zërin, t’u hapim rrugën të mirave, t’i hapim vendit tonë një rrugë të bardhë e të ndritur.
Promovimi i librit: A keni në plan ta sillni librin para publikut me një turne leximesh a takimesh?
Deri tani kam promovuar vetëm një libër. Synoj që këtë vjeshtë, në Kosovë, të organizoj një promovim për veprat e mia, përfshirë edhe librin më të fundit “Pak filozofi”. Në Zvicër ende nuk kam promovuar asnjë nga librat e mi, por do ta mirëprisja shumë. Kam gjithashtu edhe shkrime të pabotuara, të cilat planifikoj t’i botoj në të ardhmen.
Fjala e fundit: Ç’do të donit të mbetej jehonë pas kësaj bisede?
Të mbeten fjalët e mira, të urta dhe bashkuese. Nëse qoftë edhe vetëm një fjalë e vetme e mirë i mbetet lexuesit nga shkrimet e mia, atëherë unë e kam arritur qëllimin. Ju falënderoj për punën e palodhshme dhe angazhimin me dekada për kombin tonë dhe ju uroj shëndet e suksese.
Urime dhe shumë faleminderit.
Gjithashtu e mirupafshim.