Poeti është maestro i fjalës, i jetës dhe i lirisë

Nga Remzije Zekolli – Prend Buzhala: Thuaj ditë e mirë është sot, Rozafa, Prishtinë, 2020.

Përmbledhja poetike e Prend Buzhalës me një titull simbolik e karakteristik “ Thuaj ditë e mirë është sot“ e përbën një strukturë tekstore e poezisë modern. Librin e përbëjnë tre rrathë ciklikë. Rrethi i parë titullohet: Sa herë humb në jetë, shënoje si fitore, të cilën e përbëjnë 18 poezi. Rrethi i dytë ciklik titullohet Kryeradhë vargjesh, i cili përbëhet nga 50 poezi. Rrethi i tretë titullohet Emri midis rrezeve dhe reve që përbëhet nga 36 poezi.

  1. Lirika e motivimit jetësor

Ndryshe, këto janë poezi të motivimit jetësor, d.m.th. lirika që shpirtërisht e angazhon dhe e inspiron lexuesin për të arritur një qëllim jetësor, për t’i nxitur prirjet e tij të brendshme, interesat dhe vlerat e individit. Kështu, autori poezitë e tilla i përkufizon si kryeradhë vargjesh. Kryeradha është fjalë e poetizuar nga nocionet e sintaksës, që tregon vijën kryesore të fjalisë së re. Kjo do të thotë se secili varg është kryeradhë, njësoj i rëndësishëm, në ligjërimin poetik. Na duket sikur po lexojmë ushtrime a seanca shpirtërore që duan ta frymëzojnë njeriun për shtigje ndriçimesh, shtigje drite e përndritjesh. Poezitë a kryeradhët e vargjeve janë të shkruara, të shpeshtën, me rimë e ritëm të përshpejtuar, si ritëm vallëzimi, loje të pëlqyeshme, me pauza herë të gjata e shpesh të shkurta; shpesh duke shqiptuar një filozofi përvoje e jete, duke e përcjellë një mesazh të thellë të pjekurisë së kësaj përvoje. Poezia dhe mesazhi, motivimi dhe lirizmi shkojnë krahas. Poeti dëshiron të na thotë se nuk ka fushë të jetës që nuk mund të perceptohet me anë të poezisë. Kryeradha shndërrohet në udhërrëfyes nëpër labirintet e jetës e të ekzistencës, dhe është një ftesë për çlirim e vetëçlirim nga çfarëdo prangash të brendshme e të jashtme. Pra, poeti dëshiron që qenia njerëzore të jetë e lirë, të ketë formimin e një personaliteti me vlerat e lirisë. Rrugë për ta kuptuar këtë ndriçim të brendshëm, është ai kontemplacioni i njohur i fushave spirituale, ku përfitohen aftësitë shpirtërore, dhe ku njohja e jetës qartësohet, na vjen më afër, me të gjitha hiret e bukuritë e saj. Aty është ajo pasuria e heshtjesh që identifikohet me gjithësinë:

Shih si u rrëzuan stuhitë,
Shih si rruzullimi të qetëson me heshtjen e tij.
Po, Ditë e Mirë është sot!

Deri te mësimet e kësaj heshtjeje për vetënjohje, për identifikim me hirin e perëndishëm, ka shumë rrugë të vështira. Ai na fton të mësohemi me të shenjtën në jetë e në botën tonë të brendshme, me hirin e brendshëm të shpirtit. Atë që poeti e përjeton në heshtjen e tillë të madhërishme, e thotë nëpërmes vargjesh:

Leksionet e heshtjes ndjekin rrugën më të vështirë
për ta kuptuar: mos e thuaj fjalën në erë
e kur nuk të hapet asnjë derë,
e ashtu i poshtëruar, i pështyrë
e kupton rëndësinë e asaj që e thua:
i merr vesh kah të çojnë rrugët tua
dhe cila është zgjidhja më e mirë.

Të gjithë këtë folësi lirik i kësaj poezie e bën që të na ofrojë te dita e mirë: thuaj, ditë e mirë është sot. Dita e mirë është sinonim i d-shumëfishtë i të bukurës, etikës së ejtës, përjetimeve të lumturisë, lumturi-bërjes, nëpërmes etikës së qëndrueshme të jetës:

Po ece një jetë të tërë me kokën lart,
drejt stuhisë po e mbajte,
mbaje edhe me zemrën gjithmonë të ngrohtë,
e kur në rrugë të trazojnë shirat, vetëtimat,
Thuaj: s’ka gjë, kohë e mirë është sot.

Është poezia me të njëjtin titull, pra, si e këtij vëllimi poetik, që shpërfaq një thellësi tekstuale dhe mesazh të fuqishëm, të cilin e percepton lexuesi me lehtësi gjatë leximit, sepse poezia e tillë e ruan qartësinë e komunikimit.
Forma urdhërore e thënies-folje: thuaj i dedikohet secilit lexues, me tonin lutës, këshillues, udhëzues, pse jo, edhe didaktik, një didaktike të lehtë, të pa imponuar. Sa shumë gjakon ditën e mirë personazhi lirik i kësaj poezie! Në të vërtetë, brenda vargjesh ligjëron një vetë poetike, pothuajse autoriale, nga një kënd objektiv, pasi asgjë nuk rrëfen për vetveten, asnjëherë nuk ligjëron në veten e parë, për të shpeshtën ligjëron në veten e dytë, duke iu drejtuar Tjetrit si bashkëbisedues intim, bashkëbisedues të zemrës, të afërt edhe kur gjenden larg në qëndrime a pikëpamje. Kjo ditë e mirë, pra, është sinonim i mbarësisë. Në kozmogoninmë e përgjithshme thuhet se dita dhe nata “simbolizojnë lindjen e Diellit (ditën) dhe vdekjen e tij (natën); me lindjen e Diellit, Dita konsiderohet përfaqësuese e jetës së re dhe e fillimeve të reja, mundësive, shpresave dhe mundësive”. Dita e mirë është shenjë e ngritjes së ndërgjegjes. Pra, folësi lirik që na drejtohet ne të tjerëve: thuaj, na flet në një kohë të caktuar, në mëngjesin e hershëm: thuaj, ditë e mirë është sot! Koha e mëngjesit është shenjë e mirësisë së gjallimit, gjallërisë së jetës. Mëngjesi është simbol i ardhjes së dritës, dritës në jetën tonë. Dhe agu i hershëm sjell të gjitha gjërat pozitive. Kështu, edhe poeti na bën thirrje që t’i përvetësojmë këto vlera të kësaj mirësie drite, siç janë vetëmohimi, thjeshtësia, të qenët i ndershëm e me qëndrim të pastër moral apo mospërkulja.

Gërmo dhe e zbulon të fshehurën brenda botës sate,
si të gërmosh ar a argjend, një minierë thesaresh,
Dhuroji sytë tu, që Tjetri ta shohë shpirtin tënd.
Dhuroje shqetësimin tënd blu, ta rrëfesh këtë histori.
Mandej ti i sheh të tjerët, se ata janë te mendja jote.
Jepe Dorën tënde, dhe koha të merr në dorën e saj.

Poeti e përvetëson, e rikrijon në mënyrën e tij, një simbol aq shpesh të përdorur, siç është lindja e diellit, e cila, rëndom, përfaqëson një shpresë të re, një jetë të re, dhe kur përfundon dita, na e tërheq vëmendjen te karakteri kalimtar i jetës.
Gjatë jetës na rastis të kemi ditë të lumtura, të hidhura të cilat i rrëfejmë dikujt a diku.
Edhe në këso rastesh vjen në formën e ngushëllimit lutës:

E kur në rrugë të trazojnë shirat, vetëtimat,
Thuaj: s’ka gjë, kohë e mirë është sot.

Mirëpo poeti apelativin thuaj e përsërit edhe nëpër disa poezi të tjera, si është poezia
“Ecja më e bukur”:

A nuk qenka ecja më e bukur në jetë
Kur nisesh nga vetja
e deri te zemra e qenies erëmirë
Atëherë është jeta
që të jep ujë me dorën e vet
Dhe në sofrën tënde të gjallimit
zbresin shpirtrat e dëlirë.

Thuaj:
kjo është ecja më e bukur në jetë,
Thuaj pra:
jeta i dhuron më të mirat me dorën e vet.

Poezia e tillë na emocionon, na frymëzon, na motivon, na shtyn të mendojmë, shpesh edhe të lumturohemi. E, të gjitha këto nxitje motivuese, bëhen me qëllimin për të arritur gjëra të mëdha në jetë, ose kur të gjendemi në ngushtica jekzistime e gjallimi, na thonë se mund t’ia dalim e si të dalim prej asaj gjendjeje.

Kur ti mendon se gjithçka e ke bërë verë,
Thua: kjo jetë qenka qesharake, e gjitha vrer.
Sa herë humb në jetë, ato shënoji si fitore,
Vetëm ai që beson, këtë e di prore.

E ky thesar nxitës gjendet në mendjen e në zemrën e njeriut.

Kur mendon me kokën tënde,
në jetë krijon një kryevepër,
dhe me vullnetin tënd vendos si ta do zemra,
Atëherë di si të mbrohesh nga rrethinë e egër,
dhe të jesh vetvetja, jo si ndonjë ishull pa emër.
(poezia “Kur mendon me kokën tënde”)

Poeti anglez Sir Edëard Dyer do të thoshte se “Mendja ime për mua është një mbretëri”. Subjekti lirik i kësaj poezie e ka mbretërinë e vet të mendjes. Mendja sundon natyrën, materien, sundon edhe jetën, me madhështinë e imagjinatës.

  1. Hyjnia e lirisë brenda nesh

Poezia “Në anën tjetër të bregut“ në vete ngërthen metafora dhe mesazhe shumëdimensionale.

Të gjitha ndeshjet e ballafaqimet të tuat janë,
Edhe te beteja më e rrezikshme asnjë mik aty s’e ke,
E ne gjendemi në anën tjetër të bregut, matanë,
Të duhet të jesh i vetëm për të arritur te ne.

Harruam se duhet të gjendeshim andej, kah ti je.

Plaga shekullore e ndarjes së trojeve etnike që ende nuk u shërua, merret si mesazh kritik për politikanët shqiptarë që ende nuk janë duke punuar në jetësimin e dëshirave të popullit për bashkim kombëtar. Idealistët prijnë në secilën kohë dhe i harrojmë, i lëmë të vetmuar. Harrojmë për shkak të lakmisë personale të sëmurë të njerëzve ku politikanët e vranë ëndrrën e popullit, shpresën dhe të ardhmen e tij. Më artë n e thotë këtë te poezia “Liria, kjo hyjni e pamëshirshme”:

Mbaje të ndezur dritën që ke brenda vetes,
si një kurorë rrezesh
që e vë në hapësirën e festës së secilës ditë në jetë.
Mbaje gjallë zjarrin dëshirë gjakuar
në zemrën tënde,
e, secila ditë le të jetë tryezë feste e urtisë,
e Fjalës së zemrës,
si një pishtar statuje që rri i pashuar,
që nuk heq kurrë dorë nga dashuria,
si pishtar i brenda forcës, i jetë kërkimit,
si një Flamur që rri në duart vijë gjaku
kur na e kujton rënien e një mali granatash
mbi trupin e luftëtarit të lirisë.

Liria dhe shpirti njerëzor janë një. Të qenët e lirë ka thelbin e vet që i jep kuptim jetesës, ecjes në jetë, lëvizjes, krijimit të vlerave, çdo gjëje të bukur me vlerë. Madje, vdekja për liri e heroizon çdo person që ka dhënë dhuratën e sakrificës së tij në këtë rrugëtim. sakrifica e tillë sublime u bë dritë në errësirën e robëruar. Poezia është thirrje për t’u mbajtur pas ëndrrave më të dëlira e fisnike… Në jetë shohim njerëz ç rrënuar nga depresioni, por poeti edhe atyre dëshiron t’ua japë dorën, t’i lartësojë, t’i pajisë me dinjitetin njerëzor, siç këndon te e njëjta poezi:

Mbaje në dorë Lirinë, mbaje brenda qenies sate,
si një Hyjni e Pamëshirshme që ta përzë dëshpërimin nga vetja,
si një Hyjni e rreptë që s’të lë të rrëzohesh
dhe të ngre në këmbë, të mëkëmbë.

Për lirinë ka shumë vargje. Ai e di se liria thyen shumë pengesa e barriera, siç e thotë dhe vetë te një ese: “Por e vërteta e ka dialektikën e vet historike: para IDESË SË LIRISË janë bërë dhe bëhen hi e pluhur idetë totalitare të ideologjive a religjioneve që i mohojnë këto vlera të civilizimit modern. te qytetërimi i lirisë ka tolerancë ndaj besimeve, bindjeve politike a fetare, por ky QYTETËRIM nuk e mohon vetveten për ta vendosur një ideologji totalitare. Këtë duhet ta kenë të qartë mendjet e ngjeshura me ideologji të tilla. Liria mbjell në trupin e saj kritikën, kurse ideologjitë totalitare nuk e pranojnë kritikën. Liria mbron individin, kurse ideologjia totalitare e sakrifikon atë (qoftë edhe fëmijët, duke u hedhur në erë me bomba).” Ndërkaq, te poezitë ai na e vë përpara shtegun e shkurtër të gjallimit, në mënyrë që ç jemi të ndërgjegjshëm për të bërë më shumë në jetë, sepse ajo edhe është e paparashikueshme. Pothuajse nga poezia në poezi ai na thotë: dije vlerën që e ke! Njeriu është qenie e vullnetshme, e lirë e si qenie e tillë, ka dhe ëndrra të mëdha, aspirata fisnike, ja si këndon te një poezi tjetër:

E ke lirinë tënde të artë
si një lule që hapet para diellit
jeto pra,
jeto me forcën e gjakimit të zjarrtë,
me duart hapur pash më pash qiellit
e me zemrën va pa va.

Janë ato çaste që brenda teje trokasin
si pika gjaku në muret e zemrës,
e secili çast shndërrohet në përjetësi,
ato të marrin përdore e të thërrasin
t’i përjetosh me forcë përballë shemrës,
t’i përjetosh si jetohet në të pamatshmen liri.

  1. Një tërësi kryeradhësh poetike

Pjesa e dytë “Kryeradhë vargjesh” përbëhet nga 50 lirika të ndara në formë kapitujsh, m numra romakë. Lexohen si një si tërësi poetike. Tek të gjitha “kryeradhët” hetohet dora e maestros së vargut. E, të jesh maestro i fjalës, do të thotë të kesh përmasat e e pafundme të muzës poetike, të inteligjencies krijuese a të dijeve të shumta të artit letrar e të mjeshtërisë së gdhendjes së fjalës, të mjeshtërisë së krijimit të pasurisë së domethënieve të fjalës në varg. Sado që ligjërohen shumë vuajtje, rruga a shtegu më i mirë për të gjetur frymëzim, është vetë arti poetik që lind na dhimbjet e jetës e përpjekjet e pafund, për të gërmuar, kështu, në hapësirat e pafund të dashurisë, ku ti e jep vetveten plotësisht, siç na thotë që në “kryeradhën” e parë:

E përse brengosesh kur dashuron me zemër ari
në mos do të humbasësh diçka nga kjo botë,
lëre këtë drojë, ti je fitimtari
kur kësaj dashurie i je dhënë i plotë.

Jeta shpesh nuk është e drejtë, por ne duhet të besojmë te ajo që kemi edhe brenda vetes për të bërë gjithçka që kemi në dorë. Pra, njeriu duhet të jetë edhe maestro i jetës.

E mahnitshmja të zë përdore me fjalët e një urtaku,
Dhe të shkund e të shkund
në shah-fushën e gjallimit:
A do të jesh maestro i shah-fushës së jetës
apo një pion në duar të të tjerëve?

Nga vargu në varg e nga poezia në poezi, më saktësisht nga njëra “kryeradhë” poetike tek tjetra, ne ndiejmë kënaqësinë e leximit të së bukurës, thënies së urtë, figurës së pastër poetike.

Lëri disa gjëra të zhduken
Secili te caku i vet shkon

Këtu poeti shpërfaq ndjenjën humane tek njerëzit, por edhe mosmirënjohjen e disave që të mirën e harrojnë, por secili shkon në cakun e vet.

Apo vargjet:

Bëje hapin e parë , edhe pse është më i vështiri
Pa këtë hap fisnik
Në botë asgjë e madhe
Nuk është zbuluar.

Njerëzit nga frika ngurrojnë të ecin përpara. Edhe hapi i parë është hap i maestros sl jetës. Ta hedhim hapin e parë për jetën, dashurinë, për lirinë, ky hap është i vështirë, por nëse se bën atë hap, s’mund të arrish as te dashuria, as te liria, as te bashkimi… ballëhapur rrugëto e hapin mos e ndal deri sat të arrish ne cak, do jetë një rezyme e secilit prej nesh për këto vargje që na sjellin fisnikërinë për lirinë e dashurinë.
Rrethi i tretë ciklit, i kësaj strukture tekstore kryevagjesh, përbëhet nga 36 poezi, të cilat lexohen me dashuri nga lexuesi. Është i njëjti sfond poetik që ngërthen në vete metafora, figura, simbole, po edhe mesazhe humane. Kudo e krijon situatën e kontrastuar të jetës dhe gjendjeve ç brendshme, për ta spikatu shtegun e ndriçuar, si te poezia “Mendon se e gjen qetësinë dhe jeton mes stuhive”

Lidhe spirancën e jetës për truallin e fortë, ashtëror,
Asnjë tërmet shekulli
Mos të ta lëkundë varkën tënde të lavdive,
Ti e kërkon pikën mbështetëse
e ky çast është i padrejtë, fajtor.

Jeta luan lojën e mbështetjes për muri,
bëhesh si top i shqelmuar
prandaj gjeje atë çast
gjeje, që ia vlen për ta jetuar.

Stuhitë gjatë jetës sonë nuk na shqiten. Vetë jeta është një stuhi, në të cilën vështirë do e gjejmë qetësinë, por prapë aty janë valët e jetës dhe duhet ta zëmë atë dallgë që na çon përpara, na shpie në bregun tjetër, pa u lëkundur e zmbrapsur. Me një fjalë, secili e ka legjendën e vetë të ekzistimit, barkën e tij, lavditë e tij.

  1. Metafora sublime e ditës së mirë

Do theksuar se formën e tillë të vargut si motivim jetësor, sado që e krijojnë poetët tjerë, megjithatë ende në letërsinë tonë nuk kemi libra të tërë poetikë që e krijojnë lirikën e tillë. E poeti Prend Buzhala deri më tash ka botuar dy libra të tillë “Thuaj ditë e mirë është sot” dhe “Shkronja e gjallë e jetës” (2022). Nga libri në libër ky krijues na befason gjithnjë me gjetje të reja krijimesh e këndimesh poetike, falë dijes dhe muzës së tij poetike. Ndërsa për vlerat shumta eufonike të vargut, për metrikën e gjetur autoriale, duhet të bëhet një studim i veçantë.
Në fund vjen poezia “Kjo lule e dëshirës ka shpirtin tonë” që e përfundon me vargjet:

Kjo ditë ka zemrën tonë,
edhe kjo lule e dëshirës ka shpirtin tonë
e na uron: jini të lulëzuar si kjo lule.

Pothuajse nuk ka poet që nuk e krijon kopshtin e tij metaforik të dëshirave. Ta i trajtojnë dilemat dhe dramat njerëzore, njësoj siç i trajtojnë idealet e dëshirat. Pas këtij shtegtimi nëpër vargje, në fund e zbulojmë metaforën e bukur e sublime për ditën si kryetemë e kryefigurë lirike: Kjo ditë ka zemrën tonë; kjo lule e dëshirës ka shpirtin tonë!

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS