Përurohet monumenti me tri shkronjat e arta të UÇK-së në Llashticë, projekt i realizuar me kontributin e banorëve
Gjilan – Në fshatin Llashticë është përuruar monumenti me tri shkronjat e arta të UÇK-së, i cilësuar si simbol i sakrificës, lirisë dhe krenarisë kombëtare.
Ceremonia e përurimit u zhvillua në praninë e qindra banorëve, deputetëve, udhëheqësve të luftës, veteranëve, invalidëve të luftës, si dhe familjarëve të dëshmorëve dhe martirëve, të cilët morën pjesë në këtë ngjarje me rëndësi historike dhe kombëtare.
Sipas organizatorëve, projekti u realizua tërësisht me vetëfinancim nga banorët e fshatit. Kontribut të veçantë në realizimin e tij dhanë kryetari i fshatit, Naser Ibishi, si dhe Azem Hyseni, Eduard Banushi dhe Bedredin Selimi, të cilët u vlerësuan për angazhimin e tyre në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të luftës çlirimtare dhe të historisë kombëtare.
Në përfundim të ceremonisë u nderua kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
Organizatorët falënderojnë pjesëmarrësit dhe donatorët pas përurimit të tri shkronjave të UÇK-së në Llashticë
Pas përurimit të monumentit me tri shkronjat e UÇK-së në Llashticë, organizatorët kanë shprehur mirënjohjen e tyre për të gjithë pjesëmarrësit dhe mbështetësit që kontribuuan në realizimin e projektit.
Në një mesazh falënderues të publikuar në emër të organizatorëve, Naser Ibishi vlerësoi praninë e qytetarëve në ceremoni, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre i dha një rëndësi të veçantë kësaj ngjarjeje.
Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për donatorët, bizneset, kompanitë dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e monumentit, duke theksuar se falë mbështetjes së tyre projekti u bë realitet.
Postimi i plotë:
“Në emër të organizatorëve, ju falënderojmë përzemërsisht të gjithëve për pjesëmarrjen në përurimin e tri shkronjave të UÇK-së.
Edhe pse e kemi pasë të pamundur t’ju përshëndesim dhe falënderojmë secilin veç e veç, jemi thellësisht mirënjohës për praninë dhe mbështetjen tuaj. Falë kontributit të donatorëve, bizneseve, kompanive dhe të gjithë atyre që ndihmuan, ky projekt u bë realitet.
Faleminderit që na nderuat me pjesëmarrjen tuaj dhe që u bëtë pjesë e kësaj dite të veçantë.
Me respekt,
Organizatorët:
Naser Ibishi
Bedredin Selimi
Erduan Banushi
Azem Hyseni”


