UBT

Plumbat pas lirisë: Si u plagos nga snajperistët serb Milazim Hoxha – Daja, tri ditë pas çlirimit të Gjilanit

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Liria kishte ardhur, por rreziku ende nuk ishte shuar. Vetëm tri ditë pas hyrjes fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjilan, më 19 qershor 1999, qyteti u trondit nga një sulm i befasishëm që dëshmoi se hija e krimit ende qëndronte mbi rrugët e sapoçliruara. Tri ditë pasi flamuri i lirisë valëvitej mbi Gjilanin e çliruar, kur qyteti merrte frymë i lehtësuar pas një epoke dhune e pushtimi, krisma e pabesë e snajperit kujtoi se liria ende kërkonte gjak. Në atë prag shprese dhe gëzimi, mes dritës së agimit të ri, qëndronte Milazim Hoxha – Daja, ushtar i devotshëm, atdhetar i palëkundur dhe patriot i madh, i cili nuk e braktisi uniformën as në ditët kur lufta dukej e përfunduar.

Ai ishte nga ata burra që e mbajnë fjalën si betim dhe atdheun si amanet. Në shpatullat e tij nuk rëndonte vetëm arma, por edhe përgjegjësia për ta mbrojtur lirinë e sapofituar. Plumbat që e goditën pas çlirimit nuk ishin thjesht sulm ndaj një ushtari – ishin përpjekje për ta sfiduar vetë simbolin e qëndresës.

Por Milazim Hoxha – Daja mbeti në këmbë në histori, si dëshmi se trimëria nuk përfundon me armëpushim dhe se patriotizmi i vërtetë matet me gatishmërinë për të sakrifikuar edhe kur fitorja duket e sigurt.

Milazim Hoxha – Daja, ushtar i Brigadës 171 “Kadri Zeka” të Zonës Operative të Karadakut (ZOK) të UÇK-së, u bë simbol i qëndresës edhe në ditët e para të lirisë. Ai konsiderohet si i vetmi ushtar i kësaj brigade që u plagos rëndë pas largimit të ushtrisë dhe policisë pushtuese serbe nga Kosova dhe pas hyrjes së forcave të KFOR-it.

Në një kohë kur Gjilani festonte çlirimin dhe rrugët mbusheshin me qytetarë të gëzuar, nga një shtëpi e banuar nga elementë serbë të armatosur u qëllua me snajper drejt ushtarëve të UÇK-së. Plumbat goditën për vdekje Milazim Hoxhën – Dajën, i cili mori tre plagë të rënda trupore.

FIDANISHTJA

Edhe pse Gjilani ishte shpallur i lirë nga forcat ushtarako-policore serbe, brenda qytetit ende fshiheshin kriminelë të armatosur që vepronin në çastet e fundit të humbjes dhe largimit të tyre nga Kosova. Sulmi ndaj Hoxhës ishte një akt i dëshpëruar i snajperistëve serbë, që synonin të linin gjurmë gjaku edhe pas përfundimit të luftës.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe më pas në Klinikën Universitare në Prishtinë, jeta e tij u shpëtua. Plagosja e tij u përfshi edhe në informatat zyrtare të Zonës Operative të Karadakut të UÇK-së, si dëshmi e rrezikut që vazhdonte të kanoste qytetin edhe në ditët e para të paqes.

Milazim Hoxha – Daja mbetet figurë e respektuar, luftëtar i patrembur dhe simbol i autoritetit e qëndresës, i cili përballoi jo vetëm betejat e luftës, por edhe plumbat e pabesisë pas çlirimit. Historia e tij është dëshmi se liria nuk erdhi pa sakrifica, madje as në ditët kur ajo dukej se ishte fituar./rajonipress/