FIDANISHTJA

Plagjiatura, shembuj konkret

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Sinan Sadiku – Plagjiatura është paraqitja nga dikush e një vepre të tjetrit ose e një pjese të saj sikur të ishte e vetja. Pra plagjiatura ka të bëj me vjedhjen, me përvetësimin e një vepre letrare, muzikore, shkencore… ose të një pjese të saj. Sikurse çdo vjedhje edhe plagjiatura është një vepër e shëmtuar. Flitet dhe shkruhet se kjo dukuri është mjaftë e përhapur tek ne. Më poshtë do t`i paraqes dy raste kur ka ardhur në shprehje plagjiatura, vjedhja e poezisë së tjetrit.

Fejzi BOJKU
KUR BUZËQESH NËNA IME
Kur buzëqesh
nëna Nushë:
më shumë lule
çelin në fushë.
Kur këndon
nëna ime,
i ngjan burimit
me gurgullime.
Kur punon
nëna Nushë:
është si bleta
n`lule n`fushë.
Kur m`përkëdhel
nëna me dorë,
diçka më ngroh
në krahëror.

Kjo poezi është e botuar në faqen 119 të librit “LEXIMI për klasën e tretë të shkollës fillore”. Autor i librit të leximit është Arif Demoli, botues, Shtëpia Botues “Libri shkollor”, Prishtinë 2009. Konkretisht është botimi i pestë i librit.

Salih SHKODRA

ZONJA LUSHË
Fustan vesh
Zonja Lushë
I përngjan
-Fluturës n`fushë.
Bukur qesh
Zonja Lushë
I përngjan
-Lulkuqes n`fushë
Shumë punon
Zonja Lushë
I përngjan
-Bletës në fushë
Këndon bukur
zonja Lushë
I përngjan
-Zogut në fushë

Kjo poezi është botuar në faqen 31 të librit “Koncert në lëndinë”, autor i së cilës është Salih Shkodra, botues “Ura”, Gjilan, 2002.

Siç e dimë Fejzi Bojku është një shkrimtar i njohur për fëmijë, poezia e të cilit falë vlerave të larta artistike është përfshirë në disa libra të leximit të shkollës fillore. Poezinë e kam gjet në librin “LEXIMI për klasën e tretë të shkollës fillore”, botimi i pestë, viti 2009, libër ky i hartuar nga Arif Demolli. Nuk e di saktësisht në cilin vit është botuar përherë të parë libri në fjalë, por e di që është botuar së paku 5 vite para vitit 2009. Dihet që poezinë Bojku para se të përfshihej në librin e leximit e ka publikuar në ndonjërin nga librat e tij.

Zakonisht kalojnë disa vite që një poezi e botuar në një libër të autorit, të bëhet e njohur në ato përmasa sa të përfshihet në libra të leximit. Pra jam njëqind për qind i sigurt që poezia “Kur buzëqesh nëna ime” e poetit Fejzi Bojku është botuar disa vite para se të botohej libri “Koncert në lëndinë”, i autorit Salih Shkodra. Madje besoj që edhe libri i leximit në të cilin gjendet poezia në fjalë të jetë botuar herën e parë para vitit 2002, kur është botuar libri i Salih Shkodrës. Andaj mund të konkludojmë pa asnjë dilemë, se poezia “Kur buzëqesh nëna ime”, është poezi origjinale e krijuar nga poeti Fejzi Bojku, ndërsa poezia “Zonja Lushë” që gjendet në librin “Koncert në lëndinë” është plagjiaturë. Kushdo që i lexon këto dy poezi me vëmendje e sheh këtë. Shihet që thuaja komplet poezia “Zonja Lushë” është bërë nga leksiku i strofës së parë dhe të tretë të poezisë “Kur buzëqesh nëna ime”. Përveç leksikut është kopjuar edhe rima, ritmi, stili, vargu… Pra është kopjuar thuajse gjithçka që e përbënë poezinë. Për ilustrim po i publikoj vetëm strofat e treta të poezive në shqyrtim.

Kur punon
nëna Nushë:
është si bleta
n`lule n`fushë.

Strofa e tretë e poezisë “Kur buzëqesh nëna ime”.
Shumë punon
Zonja Lushë
I përngjan
-Bletës në fushë

Strofa e tretë e poezisë “Zonja Lushë”.

Për ta dëshmuar ekzistimin e plagjiaturës, nuk besoj që ka nevojë ta zgjas edhe më tutje arsyetimin.

Fitore BUNJAKU

ZONJA DRENUSHË
Ka veshur fustan
Zonja Drenushë,
I përngjan fluturës
Që fluturon në fushë.
Sa bukur qesh
Zonja Drenushë,
Sa shumë i përngjan
Lulëkuqes në fushë.
Sa shumë punon
Zonja Drenushë,
I përngjan bletës
Që zukat në fushë.
Sa bukur këndon
Zonja Drenushë,
I gjan zogut
Që cicëron në fushë.

Poezia është e botuar në faqen 14 të librit “Ju flas me zemër”, autore e së cilës është Fitore Bunjaku, botues Shtëpia botuese “Kurora”, Gjilan 2006.

Sa ju përket poezive: “Zonja Lushë”, që gjendet në librin “Koncert në lëndinë”, i botuar në vitin 2002, dhe “Zonja Drenushë”, që gjendet në librin “Ju flas me zemër”, i botuar në vitin 2006, këtu gjithçka e sqaron viti i botimit. Pra poezia “Zonja Drenushë” është plagjiaturë klasike, thuajse kopje e poezisë “Zonja Lushë”. Pasi e kisha shkruar me kompjuter poezinë e dytë të paren e shkrova shumë shpejtë, sepse fillimisht shkova copy-paste, pastaj i shtova në secilin varg fjalët që i kanë shënuar “autorja” dhe redaktori, ose vetëm redaktori. Nuk besoj që ka nevojë ta zgjas më shumë për ta dëshmuar se në këtë rast ekziston plagjiatura.

Mobi Casa

Ajo që bie në sy është se redaktor si i librit të Salih Shkodrës, ashtu edhe i librit të Fitore Bunjakut është poeti Hysen Këqiku, i cili në kohën e botimit të librave ka punuar mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në një shkollë fillore të Gjilanit. Për plagjiaturën që i është bërë poezisë së Fejzi Bojkut nuk mund të shfajësohet Salih Shkodra, “autor” i librit “Koncert në lëndinë”, por në asnjë rrethanë nuk mund të shfajësohet as redaktori i librit Hysen Këqiku. Me që është poet, autor i disa librave me poezi, pastaj arsimtar i lëndës gjuhë dhe letërsi shqipe nuk mund të besoj që Këqiku nuk e ka hetuar se poezia e Shkodrës është plagjiaturë e poezisë së Bojkut. Sot botohen shumë poezi, shumë libra… dhe redaktorët mund të mashtrohen nga “autorët” , porse në rastin konkret e kam vështirë të besoj që një poet, një mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe i cili në kohën e botimit të librit ka punuar në një shkollë fillore, nuk ka mundur t`i përcjell dhe identifikojë së paku poezitë e përfshira në libra të leximit. Pra nuk është për t`u besuar që redaktori nuk ka ditur për plagjiaturën në fjalë.

Në rastin midis poezisë së Salih Shkodrës dhe Fitore Bunjakut, me që është redaktor edhe i njërit e edhe i librit tjetër nuk ka dilema Këqiku nuk ka mundur të mos dijë për plagjiaturën, gjegjësisht kopjimin e poezisë së Shkodrës nga “autorja”. Në kohën e botimit të librit të saj Fitore Bunjaku ka qenë e re gjashtëmbëdhjetë vjeçare. Një vajzë entuziaste që i ka shkruar disa poezi , aq sa ka ditë, dhe ka dashur ta botojë një libër. Poezitë e shkruara nga Bunjaku ende nuk kanë qenë të atij niveli artistik për t`i shpaguar shpenzimet e botimit.

Pra ende nuk kanë pas vlera minimale sa për t`i botuar një botues pak më serioz, që boton vlera. Në këtë rast redaktori e ka pas për detyrë të bisedoj me Fitoren , t`i tregoj se duhet të punosh ende për ta kompletuar një libër që ia vlen të botohet, t`i bëj vërejtje, t`i jap këshilla, sugjerime etj. Aq më tepër kur në rastin konkret redaktori ka qenë pedagog, ndërsa autorja nxënëse. Por duket që redaktorit i cili tanimë e kishte themeluar shtëpinë botuese “Kurora” nuk i kanë interesuar shumë gjërat tjera, përveç shumës së parave që do t`i fitonte. Andaj i ka hy punës për kompletimin e librit, duke marrë pak nga një libër e pak nga libri tjetër, pastaj duke i krijuar disa vargje vet etj.

E di që shtëpia botuese “Kurora”, pronar i së cilës është Hysen Këqiku deri tani i ka botuar disa dhjetëra libra me autorë fëmijët dhe të rinjtë nga komunat: Gjilan, Dardanë, Bujanoc, Preshevë… Këtë veprimtari Këqiku e ka ushtruar edhe para themelimit të shtëpisë botuese. Disa fëmijë, kryesisht nxënës të shkollës fillore, shumica femra, janë përpjekë të shkruajnë poezi. I kanë shkruar disa vargje, strofa, ua kanë vënë titullin dhe kanë menduar që kanë krijuar poezi. Zakonisht prindërit e fëmijëve në fjalë, të afërmit duke mos qenë të informuar mbi vlerat poetike kanë krijuar bindjen se fëmija i tyre ka arrit diçka të jashtëzakonshme , ka shkruar poezi të bukura, është bërë poet. Për ta verifikuar këtë kanë rënë në kontakt me redaktorin, gjegjësisht editorin e shtëpisë botuese “Kurora” .

Redaktori pasi i ka lexuar poezitë ua ka forcuar bindjen se fëmija i tyre ka bërë punë të mrekullueshme duke i këshilluar që gjithqysh të gjejnë mjete për t`ia botuar librin. Pasi është marrë vesh për shumën e mjeteve që duhet t`i paguhen për redaktimin dhe botimin e librit, i njëjti i ka hy përpunimit të poezive deri në atë masë sa thuajse nuk ka mbet asgjë nga krijimtaria e fëmijëve. Në shumë raste poezitë i ka krijuar duke bërë plagjiaturë të plotë ose të pjesshme. Duke marrë pak nga një libër, pak nga një tjetër, pak nga një revistë, pak nga një portal, pak… dhe kështu e ka përfunduar librin. Pastaj është organizuar promovimi i librit, me shkrime e lexime që fëmijën ose të riun e kanë ngrit në qiell, si talent i jashtëzakonshëm, si gjeni. Prej dhjetëra e dhjetëra fëmijëve dhe të rinjve librat e të cilëve i ka botuar “Kurora” nuk e di as edhe një fëmijë apo të ri i cili më vonë e ka botuar librin e dytë, qoftë edhe të dobët, e të mos flasim për ndonjë libër me vlera artistike. Pra po shihet që thuajse të gjithë ose nuk kanë qenë fare talente ose edhe nëse ka qenë ndonjë talent është punuar aq keq me të sa që është shuar si i tillë.

Se librat janë kompletuar edhe duke marrë pak nga një libër, pak nga një tjetër, pak nga një revistë, pak nga një portal, pak… e dëshmojnë shembujt e mësipërm. Kur e kam pa se përmes plagjiaturës është përvetësuar poezia e një poeti të njohur siç është Fejzi Bojku, madje një poezi e cila gjendet në librin e leximit të klasës së tretë fillore, të cilën poezi e kanë lexuar dhe e lexojnë gjenerata e gjenerata të nxënësve, e lexojnë dhe shpjegojnë me qindra arsimtarë të mësimit klasor; pastaj kur e kam pa se ka ndodhë plagjiaturë mbi plagjiaturë duke u përvetësuar plagjiatura e Salih Shkodrës derisa redaktori është i njëjtë, kam mbet i habitur.

Kam mbet i habitur sepse kur dikush ka guxuar të bëj plagjiatura të tilla, të cilat zbulohen me shumë lehtësi, kam arsye të plotë besoj se i njëjti ka bërë edhe shumë e shumë plagjiatura të tjera për zbulimin e të cilave kërkohet më shumë punë, më shumë angazhim. Jam i bindur se poqë se ndonjë profesionist e hulumton më shumë këtë dukuri të shëmtuar do të gjejë aq shumë raste prej të cilave do të mbetemi të befasuar.

Për ta argumentuar edhe më atë që e shkrova më lartë, po ua prezantoj edhe një shembull të plagjiaturës. Kësaj herë është vjedhë një pjesë e poezisë time.

Sinan SADIKU

LE TË VIJË PRANVERA
Le të vijë pranvera
lulja le të mbijë
le të vijë blerimi
bilbili të arrijë
të arrijë bilbili
me këngë e mallëngjime
të çlodhet ndonjëherë
dhe kjo zemra ime
nga shpresat e lënduara
të ngrirat ëndërrime
Le të vijë pranvera
pranvera le të vijë…

Poezia është botuar në faqen 9 të librit “Rrobat e engjëllit”, autor i së cilës është Sinan Sadiku, botues “Nostit” Kamenicë, 1999.
Fitore BUNJAKU
Të arrijnë bilbilat
Me këngë e mallëngjime,
Të çlodhet çdo plagë
Mu në zemrën time

Kjo është strofa e fundit e poezisë “Krismat në Drenicë” e cila ndodhet në faqen 43 të librit “Ju flas me zemër”, autore e së cilës është Fitore Bunjaku, botues Shtëpia botuese “Kurora”, Gjilan 2006.

të arrijë bilbili
me këngë e mallëngjime
të çlodhet ndonjëherë
dhe kjo zemra ime

Të arrijnë bilbilat
Me këngë e mallëngjime,
Të çlodhet çdo plagë
Mu në zemrën time

Gjykojeni vet të nderuar lexues.