150 familje në nevojë përfitojnë pako ushqimore dhe miell, Komuna vlerëson kontributin e “Jetimat e Ballkanit”
Gjilan – Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëpunim me Shërbimin e Asistencës Sociale pranë Qendrës për Punë Sociale, ka realizuar një aktivitet humanitar në mbështetje të familjeve me kushte të vështira ekonomike dhe sociale.
Në kuadër të këtij aktiviteti janë shpërndarë 150 pako ushqimore dhe 150 thasë me miell, të dedikuara për familjet në nevojë në komunë. Donacioni është siguruar nga organizata humanitare “Jetimat e Ballkanit”, e cila vazhdimisht ka kontribuar në mbështetjen e familjeve dhe kategorive sociale që përballen me vështirësi ekonomike.
Nga Komuna është shprehur mirënjohje për organizatën “Jetimat e Ballkanit” për këtë kontribut, duke vlerësuar gatishmërinë e saj për të ndihmuar familjet në nevojë dhe për të qenë pjesë e aktiviteteve me karakter humanitar.
Komuna ka falënderuar gjithashtu të gjithë personat dhe institucionet që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe kujdesit ndaj familjeve që kanë nevojë për mbështetje.
“Humanizmi nuk matet vetëm me atë që japim, por edhe me kujdesin që tregojmë për njëri-tjetrin”, thuhet në mesazhin e komunës, duke nënvizuar se solidariteti shoqëror mbetet një vlerë e rëndësishme në përballimin e sfidave sociale dhe në krijimin e një komuniteti më të kujdesshëm e më solidar./rajonipress/


