Përpjekja e opozitës për të ndalur Specialen po konsiderohet e kotë
Dërgimi i lëndës nga ana e tri partive opozitare Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar se a kishte shkelje të procedurave në rastin e miratimit të Gjykatës Speciale nga ana e Kuvendit, po shihet me skepticizëm dhe si një përpjekje e fundit e opozitës nga shoqëria civile.
Mirëpo për të dërguar këtë lëndë, analistët nga shoqëria civile vlerësojnë se opozitës nuk i ka mbetur shumë kohë për ta dërguar në Kushtetuese, pasi që nga dita e miratimit të amendamentit kushtetues janë vetëm tetë ditë për të kontestuar këtë vendim, atëherë kur edhe është afati ligjor kur presidentja duhet të nënshkruajë ndryshimet kushtetuese.
Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) tha për KosovaPress se me tejkalimin e këtij afati ligjor, deputetët opozitarë nuk do të mund të kontestojnë vendimin e Kuvendit për themelimin e Speciales.
“Në bazë të Kushtetutës 10 deputetë të Kuvendit të Kosovës mund të ngrehin një çështje në Gjykatën Kushtetuese nëse konstatojnë se janë shkelur procedurat gjatë marrjes së një vendimi të Kuvendit apo gjatë miratimit të një ligji. Lënda ose kërkesa në Gjykatën Kushtetuese nga deputetët duhet të dorëzohet në afatin prej 8 ditëve dhe pas kalimit të afatit nuk do të mund që të kontestohen procedurat që janë ndjekur nga ana e Kuvendit”, tha Krasniqi.
Ai më tej ka theksuar se Kushtetuesja në rast se opozita ka mjaft argumente mund të vendosë një masë të përkohshme pezulluese ndaj vendimit që është marrë nga ana e Kuvendit për shkak se mund të ketë efekte të parikuperueshme për funksionimin e institucionit të Kosovës. Krasniqi kujton se një masë e tillë e parakohshme është marrë në rastin e zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar i Kuvendit gjatë vitit të kaluar, atëherë kur ishte koalicioni paszgjedhor në mes të LDK-së, VV-së, AAK-së dhe Nismës, apo koalicioni i ashtuquajtur VLAN.
E tërë kjo sipas Krasniqit mund të ndikojë në zvarritjen e procesit të themelimit të Speciales, por se KDI sipas tij vlerëson se pretendimet e opozitës si të tilla nuk janë të qëndrueshme.
“Konsiderojmë se pretendimet e opozitës nuk janë të qëndrueshme sepse nuk janë shkelur procedurat të cilat parashihen për ndryshimin e amendamenteve të Kushtetutës dhe kryetari i Kuvendit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për mendim për të parë nëse janë në harmoni me kapitullin dy për të drejtat e njeriut, nëse shkelen në rast se miratohet”, tha Krasniqi.
E për Fidan Kalajën nga organizata FOL, ky është veprimi i fundit nga ana e opozitës për të vazhduar kundërshtimin e themelimit të Speciales, dhe se nuk pret që kjo nismë e tyre të ndryshojë realitetin e krijuar pas 3 gushtit.
“Në fakt ky është veprimi i fundit ose mjeti i fundit i opozitës që të parandalojë atë që e kanë pasur si objektiv, pra mosmiratimin e ndryshimeve kushtetuese që kanë dërguar në miratimin ligjit për themelimin e Gjykatës Speciale. Në parim unë nuk pres ndryshim të situatës, për shkak të shumë rrethanave, sidomos për shkak të presionit ndërkombëtar, i cili është jashtëzakonisht i madh, ka qenë jashtëzakonisht i madh që Kosova sa më shpejtë të procedojë me themelimin e Gjykatës Speciale për shkak të afateve që kanë paraparë në themelimin e kësaj gjykate dhe unë nuk besoj që do të ketë ndryshim të situatës”, tha Kalaja.
Kuvendi i Kosovës me 3 gusht në seancën e jashtëzakonshme që është mbajtur deri në orët e vona të natës ka miratuar ndryshimet kushtetuese për krijimin e Gjykatës Speciale, dhe po ashtu ka miratuar dy projektligje, atë për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe projektligjin për ndihmë juridike dhe financiare për të akuzuarit potencialë nga Gjykata Speciale.
http://koha.net/?id=27&l=69468


