Lutfi Haziri kritikohet nga aktivistët e LDK-së në Gjilan: I kërkojnë më shumë të rinj dhe angazhim me bazën
Gjilan – Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, Lutfi Haziri, është përballur me kritika nga komentues të ndryshëm pas një postimi lidhur me zhvillimet dhe përgatitjet e brendshme të partisë për zgjedhjet e ardhshme.
Haziri kishte bërë të ditur se LDK-ja në Gjilan po vazhdon debatet e brendshme dhe procesin e konsolidimit të përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme partiake.
Megjithatë, postimi i tij ka nxitur reagime kritike nga persona që kanë komentuar në profilin e tij, duke kërkuar më shumë përfshirje të të rinjve, angazhim me bazën partiake dhe ndryshime në organizimin e partisë.
Shkëlqim Ramadani i ka kërkuar Hazirit që krahas respektit për gjeneratat e vjetra, t’u jepet më shumë hapësirë të rinjve.
“Ku janë të rinjtë, o kryetar i nderuar? Respekt për gjeneratat dhe duhet nderuar gjithë jetën, ama mos u nis në zgjedhje kështu se nuk e besoj se dalim mirë hiç”, ka shkruar Ramadani.
Kritikë ka shprehur edhe Naser Imeri, i cili ka vënë në pikëpyetje përgatitjen e partisë për të marrë përgjegjësi qeverisëse.
“Keni katër vjet kohë me u përgatit për zgjedhje, ama s’jeni bre vëlla për qeveri!”, ka komentuar ai.
Ndërkaq, Bilall Kosumi ka përmendur edhe zhvillimet në nivel qendror të LDK-së, duke shprehur pakënaqësi ndaj figurave të partisë.
“Suksese o kryetar! Po i keni dy turistë politikë aty, Vjosa dhe Lumiri, që me këmbëngulje dojnë me na qitë nën 5 për qind. A nuk po i shihni se e shkatërruan LDK-në”, ka shkruar Kosumi.
Në anën tjetër, Gani Lipa Ahmetaj ka kritikuar mungesën e komunikimit dhe angazhimit me strukturat partiake.
“E keni harru bazën, shumë pak punohet me të”, ka shkruar ai.
Reagimet e komentuesve nxjerrin në pah pakënaqësi lidhur me përfaqësimin e të rinjve, funksionimin e strukturave dhe raportin e udhëheqjes me bazën e partisë në Gjilan, në kohën kur LDK-ja po zhvillon përgatitjet për proceset e brendshme partiake./rajonipress/

