United Hospital

Hekrem Maliqi, një jetë në shërbim të medias dhe diasporës shqiptare

Hekrem Maliqi, një jetë në shërbim të medias dhe diasporës shqiptare

Gjilan / Gjenevë – Në një kohë kur ruajtja e identitetit kombëtar dhe informimi i mërgatës marrin rëndësi jetike, rrugëtimi i Hekrem Maliqit dëshmon se si një angazhim i nisur dekada më parë mund të shndërrohet në një mision të vërtetë për shoqërinë tonë.

Kontributi i tij publik daton që nga vitet e bujshme 1991–1998, periudhë gjatë së cilës ai shërbeu si bashkëpunëtor i rregullt i Qendrës për Informim të Kosovës (QIK) në Gjenevë. Si informaticien, bashkëadministrator i rrjetit kompjuterik, kameraman dhe fotograf, ai dokumentoi me përkushtim aktivitetet e Qendrës dhe jehonën e veprimtarisë së mërgatës shqiptare në Zvicër. Ky kontribut vullnetar në mbështetje të çështjes së Kosovës u vlerësua lart edhe nga ministri Xhafer Shatri, i cili e cilësoi atë si një bashkëpunëtor të palodhur, atdhetar dhe të besueshëm.

Vlen të theksohet se gjatë luftës së viteve 1998–1999 në Kosovë, ka qenë aktiv në teren, duke raportuar drejtpërdrejt nga kampet e refugjatëve në Stankovec, Çegran dhe Bllacë. Po ashtu, në bashkëpunim me KFOR-in Amerikan, ai ka mbuluar ngjarjet në të gjithë territorin e Kosovës, duke dokumentuar zhvillimet e pasluftës përmes fotografive dhe materialeve filmike.

Mobicasa

Raportimet e tij, të realizuara çdo ditë nga terreni dhe të përcjella në Gjenevë, kanë shërbyer si dëshmi të rëndësishme të realitetit në Kosovë. Ato janë publikuar përmes agjencisë së lajmeve Kosova Info dhe portalit Trepça.net, ku përgjegjës ishte Lufti Kelmendi, njëkohësisht veprimtar i çështjes kombëtare.

Këto angazhime dëshmojnë përkushtimin e Hekrem Maliqit në dokumentimin e ngjarjeve historike të Kosovës dhe në përcjelljen e së vërtetës për zhvillimet në vend gjatë dhe pas luftës.

Gjatë periudhës 1996–2001, Hekrem Maliqi ishte i angazhuar si mësimdhënës i Informatikës dhe njëkohësisht anëtar i Kryesisë së Universitetit Popullor Shqiptar (UPSH) në Gjenevë, institucion i themeluar nga Ueli Leuenberger, ish-këshilltar nacional i Zvicrës.

Në kuadër të projekteve të OSAR-it (Organizata Zvicerane për Refugjatë), ai organizoi dhe mbajti kurse të Informatikës për refugjatët, duke kontribuar në aftësimin e tyre profesional, përvetësimin e njohurive të reja dhe lehtësimin e integrimit të tyre në shoqërinë zvicerane. Ky angazhim pasqyronte përkushtimin e tij jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në mbështetjen dhe fuqizimin e komunitetit shqiptar në Gjenevë.

Nga një ide e guximshme te themelimi i Alb’swiss TV

Fryma e aktivizmit nuk u ndal aty. Historia e themelimit të Alb’swiss TV lindi si nevojë praktike në vitin 2016, kur vështirësitë për të siguruar transmetimin e një aktiviteti humanitar nxitën idenë për krijimin e një platforme të pavarur televizive në Gjenevë. Projekti mori jetë në kuadër të Shoqatës Kulturore Shqiptare “Iliria”, duke u mbështetur fillimisht te investimet vetanake, vullneti i hekurt dhe besimi i njerëzve që panë tek ky medium një dritare shprese për komunitetin.

Nën udhëheqjen e Hekrem Maliqit, dhe në bashkëpunim të plotë me Kryeredaktorin, Avni Azizi, televizioni u shndërrua në një zë të pavarur të kulturës dhe informimit shqiptar, duke kapërcyer sfidat e shumta financiare e teknike dhe duke u bërë shtyllë e rëndësishme e jetës në diasporë.

Bashkëpunime të gjera dhe mbulim gjithëpërfshirës

Sot, Alb’swiss TV nuk është thjesht një hapësirë transmetimi, por një urë e fuqishme komunikimi mes diasporës dhe vendlindjes. Puna e mediumit shtrihet përmes bashkëpunimeve të ngushta me shoqatat e shumta shqiptare në Gjenevë, Zvicër, por edhe më gjerë në diasporë, duke u dhënë hapësirë nismave që fuqizojnë komunitetin.

Fushat kryesore të veprimtarisë së Alb’swiss TV

Që nga viti 2017, Alb’swiss TV ka përcjellë dhe dokumentuar një gamë të gjerë aktivitetesh me rëndësi kulturore, shoqërore dhe kombëtare, duke i kushtuar vëmendje të veçantë jetës, veprimtarisë dhe arritjeve të komunitetit shqiptar në mërgatë.

Kultura, gjuha dhe identiteti kombëtar

Mbulimi i manifestimeve të shumta kulturore, artistike dhe kombëtare, duke kontribuar në promovimin e trashëgimisë sonë kulturore, ruajtjen e gjuhës shqipe dhe përcjelljen e vlerave e traditave shqiptare te brezat e rinj në mërgatë.

Çështjet sociale, integrimi dhe të drejtat

Mbulimi i konferencave, debateve dhe aktiviteteve informuese që trajtojnë të drejtat e punëtorëve, të drejtat e të huajve, sigurimet shoqërore, barazinë gjinore dhe të drejtat e grave. Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe integrimit të komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane, përfshirë pjesëmarrjen në jetën politike e qytetare, njohjen e të drejtave politike dhe promovimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet dhe proceset demokratike të Zvicrës.

Mbështetja e komunitetit shqiptar

Prania dhe mbështetja e vazhdueshme dhe e pakushtëzuar e manifestimeve, aktiviteteve dhe nismave të organizuara nga shoqatat dhe organizatat shqiptare në mërgatë, duke u dhënë hapësirë mediatike veprimtarive të tyre dhe duke kontribuar në forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit brenda komunitetit.

Sporti dhe aktivitetet rinore

Mbulimi i ngjarjeve dhe garave sportive, promovimi i sportistëve shqiptarë dhe i aktiviteteve që nxisin pjesëmarrjen, angazhimin dhe zhvillimin e të rinjve në mërgatë.

Sukseset dhe arritjet e shqiptarëve në mërgatë

Informimi dhe promovimi i arritjeve të të rinjve dhe të rejave shqiptare në fushën e arsimit, shkencës, kulturës, artit, sportit, sipërmarrjes dhe fusha të tjera, duke u dhënë hapësirë historive të tyre frymëzuese dhe kontributit të tyre në shoqërinë ku jetojnë.

Solidariteti dhe veprimtaritë humanitare

Përcjellja e nismave humanitare dhe aktiviteteve solidarizuese që pasqyrojnë frymën e bashkëpunimit, përkushtimit dhe ndihmës së ndërsjellë brenda komunitetit shqiptar.
Përmes kësaj veprimtarie të vazhdueshme, Alb’swiss TV ka shërbyer jo vetëm si një platformë informimi, por edhe si një urë lidhëse ndërmjet shqiptarëve në mërgatë, duke i dhënë zë kulturës, identitetit, të drejtave, sfidave dhe sukseseve të tyre.

Puna që fshihet pas ekranit

Ndërsa publiku sheh vetëm produktin përfundimtar lajmin, intervistën apo transmetimin e drejtpërdrejtë pas ekranit fshihet një angazhim i madh organizativ. Për një drejtues si Hekrem Maliqi, mbajtja gjallë e një mediumi të pavarur kërkon koordinim të përditshëm të redaksisë, përgatitje të përmbajtjeve cilësore dhe besim te puna ekipore.

Në një mjedis ku mediat e diasporës përballen çdo ditë me sfida të mëdha, angazhimi i Hekrem Maliqit mbetet dëshmi e qartë se larg atdheut mund të ndërtohen (ma afer atheut me angazhimin) Puna e tij për median shqiptare është, në thelb, punë për gjuhën, kujtesën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar, një mision që meriton respekt dhe vlerësim të përhershëm./rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.