Për Komunë të shumicës në Republikë të shumicës
Nga Albin Kurti – Në Kosovë zgjedhjet janë përherë të jashtëzakonshme dhe gjithnjë e më të jashtëzakonshme. E para, për shkak të situatës së rëndë edhe politike e institucionale, edhe sociale e ekonomike. E dyta, për shkak të situatës e cila sa vjen e rëndohet, në të gjitha këto aspekte të përmendura e në secilën prej tyre. Mbase problem kryesor në Kosovë nuk është e keqja si e tillë por përkeqësimi i vazhdueshëm. Nuk mund të nisin proceset e mbara për të mirën e qytetarit dhe interesin e përgjithshëm pa e ndalur njëherë këtë regjim i cili gjërave dhe zhvillimeve ua imponon kahun aktual.
Politika sigurisht se ka të bëjë me çështjet e jetës dhe jetesës së popullsisë, si në nivelin qendror po ashtu edhe në atë lokal. Të ardhurat e qytetarëve dhe shërbimet për qytetarët varen nga botëkuptimet, modelet dhe projektet e pushteteve. Nga bujqësia te industria, nga ushqimi te punësimi, nga arsimi te shëndetësia, nga pastërtia te strehimi, nga kultura te sporti, nga ujësjellësi te kanalizimi, nga trotuaret te transporti, nga kinematë te muzetë, nga gjelbërimi te bibliotekat, gjithçka ndikohet e varet nga qeverisjet aktuale. Kështu është gjithandej nëpër botë e në çdo kohë.
Mirëpo, ashtu siç nuk është gjithkah nëpër botë e në secilën epokë, çështjet e jetës e të jetesës në Kosovë për shumicën dërrmuese të popullsisë janë çështje të mbijetesës. Pikërisht për këtë arsye edhe Republika e Kosovës edhe komunat e Kosovës nuk janë Republikë e komuna të shumicës por janë Republikë e komuna të pakicës. Me fjalë të tjera, në kuptimin përmbajtjesor, ne kemi veçse Republikë të pakicës që do të thotë se ende nuk e kemi Republikën përnjëmend dhe, krejtësisht njësoj, kemi komunë të pakicës andaj akoma nuk kemi as komunë me gjithë mend. Republika e pakicës është principatë kurse komuna e pakicës është feud. Republikë është republika e shumicës ashtu qysh edhe komunë është komuna e shumicës. Edhe Republika edhe komuna qysh në etimologjinë e fjalës por edhe në domethënien e tyre si historike gjithashtu edhe normative konsistojnë te e përbashkëta, te kolektivja, te publikja.
Prandaj, zgjedhjet nëpër komuna në Republikën e Kosovës janë të jashtëzakonshme edhe sipas përkufizimit. Përveçse të jashtëzakonshme për shkak se shumica e popullsisë më parë mbijeton nga muaji në muaj sesa që jeton dinjitetshëm për çdo ditë, zgjedhjet janë të jashtëzakonshme meqenëse nuk janë thjesht përzgjedhje opsionesh brenda komunave por dilemë nëse komunat nominale do të bëhen edhe substancialisht e konkretisht të tilla apo do të vazhdojnë të lëngojnë praktikisht si feude. Çështja është ajo e vjetra dhe e përjetshmja: të jesh, apo të mos jesh? Do të ketë Kosova komuna të vërteta, pra, a do të kemi më në fund komuna të shumicës, apo do të vijojmë me këso komunash të pakicës ku kryetari, familjarët e tij, militantët partiakë dhe miqtë biznesmenë të partisë sundojnë të tjerët?
Pushtetet e tanishme nuk kanë interes për ta bërë komunën ashtu siç quhet e siç duhet. Jo vetëm pse ato i kanë degraduar e degjeneruar komunat në të tilla çfarë i shohim e njohim, por për shkak se këto pushtete komunale mbijetojnë për veten e tyre pikërisht duke mospasur komuna. Kush e do komunën nuk mund t’i pëlqejë këto pushtete komunale dhe anasjelltas: kushdo që i do këto pushtete nuk ka se si ta dojë komunën tjetërfare përveçse si feud. Pakica ia ndan vetes edhe punësimet edhe tenderët, ndërkaq i eviton shërbimet publike që (nuk) i jep. P.sh. pushtetarët kosovarë i shkollojnë fëmijët e tyre përgjithësisht në shkolla private ose jashtë vendit ndërsa kur sëmuren ata ose familjarët e tyre, nuk shkojnë në spitalet publike të Kosovës por drejt e në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës për në vendet perëndimore.
Duke qenë komuna komunë e pakicës ashtu sikurse edhe Republika republikë e pakicës, sigurisht që aty shumica do të jenë në gjendje të rëndë sociale dhe ekonomike. Shumica e shpronësuar politikisht dhe materialisht dhe komuna e Republika e pakicës paraqesin të njëjtën gjë të thënë dy herë me emërtime të ndryshme. Shumica e shtypur politikisht dhe e shfrytëzuar ekonomikisht nuk sheh komunë me qeverisje lokale aty por pushtet pa komunë fare. Prandaj, zgjedhjet me 3 nëntor janë të jashtëzakonshme sepse hapin mundësinë formale për shprehjen e shumicës e cila përndryshe nuk zgjedh gjë asnjëherë por vetëm vuan pasojat e kushtëzimeve që vijnë nga vendimet e pakicës.
Data 3 nëntor shënon në kalendarin vjetor një ditë të zakonshme, por për Kosovën kjo datë shënon një mundësi të jashtëzakonshme. Republika e kapur e komuna e zaptuar nga pakica duhen liruar. Pakica pavarësisht pushtetit dhe parave mbetet pakicë në numër dhe pakicë në mundësi. Numri dhe mundësia janë këtej pushtetit, te qytetari. Punëtorët, bujqit, studentët, arsimtarët, profesorët, mjekët, minatorët, ndërtimtarët, zejtarët, të papunët, ata që detyrohen ta lënë shkollën, ato që nuk mund të dalin nga shtëpia, janë shumica e pakënaqur.
Këta janë ata që ia vendosin themelet Republikës së përbashkët, dhe që e ndërtojnë komunën e përbashkët. Këta janë 99% që të përbashkëtën, kolektiven e publiken e kanë parakusht të ekzistencës. Këta janë ata që e duan dhe kanë nevojë për shtetin e komunën. Të pakënaqurit i kanë të gjitha: mundësinë, dijen, fuqinë. Krejt çfarë na duhet është të organizohemi. Le të angazhohemi masivisht, le të votojmë masivisht, le të fitojmë masivisht, le të ngadhënjejë shumica. Në Komunë dhe në Republikë, për Komunën dhe për Republikën.


