UBT

Pedagogët zviceranë njohin Kosovën nga afër

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Në përballje të drejtpërdrejtë me realitetin kosovar, vizitorët vlerësuan të arriturat e qytetarëve në dobi të funksionalitetit të shtetit

Duke pasur parasysh hapësirën e vogël të shtetit të Kosovës, fitohet përshtypja se atë mund ta vizitosh brenda dy ditësh. Megjithatë, me gjithë programin e ngjeshur, edhe një javë e tërë nuk mjaftoi për ta vizituar tejembanë Kosovën rreth dhjetë mijë kilometërshe në katrorë. Sidoqoftë, “nuk më ka ndodhur asnjëherë që brenda një jave të mësoj kaq shumë për një vend, të cilin më parë nuk e kam njohur fare”, shprehet juristi zviceran Leo Scherer nga Cyrihu.

Ditë më parë, prej 6-13 tetor 2012 një grup vizitorësh nga Zvicra, kryesisht pedagogë socialë (pati edhe mjek e jurist) vizituan Kosovën. Pikësynim i tyre ishin institucionet shkollore, por edhe trashëgimia kulturore e fetare, si dhe gjithçka që Kosovën e bën më të njohur në Evropë.

Në përballje të drejtpërdrejtë me realitetin aktual kosovar, vizitorët vlerësuan të arriturat e qytetarëve të Kosovës në dobi të funksionalitetit të shtetit të ri të sapokrijuar.

Shkollimi cilësor i të rinjve nga Kosova është shpresa më reale që ky shtet të rrugëtojë krah për krah me shtetet simotra evropiane. Vizita në fakultete dhe institucione tjera arsimore si dhe arritjet e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës japin për të kuptuar se populli i Kosovës po ecën me hapa të sigurt drejt një shteti të qëndrueshëm dhe me perspektivë.

Sipas programit të paraparë, mysafirët nga Zvicra vizituan edhe Ambasadën zvicerane në Prishtinë me ç’rast u pritën nga ambasadorja Krysyna Marty dhe stafi i saj, sekretari i parë Norbert Ruetsche, atasheu për migracion Sylvain Astier dhe shefi i shërbimeve konsullare David Grichting. Ambasadorja Marty njoftoi mysafirët se Zvicra angazhohet në Kosovë që nga viti 1999, fillimisht në cilësinë e Zyrës ndërlidhëse dhe pas shpalljes së Pavarësisë edhe si ambasadë e shtetit zviceran në shtetin e Kosovës dhe se ajo tashmë është udhëheqësja e katërt me radhë e misionit.

Zonja Marty dha një pasqyrë përmbledhëse të angazhimit të Zvicrës në Kosovë me theks të veçantë në fushën e rindërtimit të Kosovës, por edhe në fusha të tjera, për të cilat më detajisht folën këshilltarët e saj.

Se, lufta e shqiptarëve për lirinë e vendit i ka rrënjët thellë në histori flasin edhe shumë monumente të tjera siç janë: Kulla e Haxhi Zekës, ajo e Ahmet Delisë dhe trashëgimia e gjithëmbarshme kombëtare gjithandej Kosovës deri te memoriali i varrezave të familjes Jashari në Prekaz, monumente këto, të cilat i vizitoi ky grup mësuesish nga Zvicra.

Fundamenti

Sakrifica e familjes Jashari, sado e dhembshme që është, është dëshmia më e mirë për peshën dhe nevojën e lirisë së këtij populli.

Një fushë tjetër të vizitës mysafirët parapëlqyen bukuritë natyrore të Kosovës. Kështu, gjithmonë sipas programit, ata vizituan Ujvaren e Mirushës me liqenet e saj magjepëse, pastaj grykën e Rugovës, burimin e Drinit, bjeshkët e Sharrit, shpellën e Gadimes, etj.

Në kuadër të trashëgimisë kulturore pedagogët socialë patën rastin të njihen me stilin e ndërtimit të shtëpive në periudha të ndryshme që nga koha e sundimit osman e deri në ditët e ndërtimit të sotëm modern. Përshtypje të veçantë u kishte bërë ndërtimi i kullave në Zonën e Dukagjinit si dhe përpjekja për ruajtjen e tyre si pasuri komëbëtare.

Objektet fetare siç janë xhamitë, kishat, tyrbet e ngjashëm mysafirët i shihnin si formulë e bashkëjetesës, të cilën e krahasonin me shumësinë kulturore-fetare në Zvicër, pa të cilën Zvicra nuk do të ishte ajo që është sot.

Një pikë referente vizitorët e dalluan turizmin rural, duke pasur parasysh fillimisht fshatin e transformuar ku ruhet tradicionalja dhe ndërtohet modernja, por edhe ku mundësohet një jetë qytetare me avantazhet e saj në fushën e arsimit, shëndetësisë, komunikimit etj.

Vizitorët, një paradite ia kushtuan jetës fshatare, kështu që përzgjodhën fshatin Rogaçicë të komunës së Kamenicës (Dardanës) me rreth 3500 banorë, një e treta e të cilëve punojnë dhe jetojnë në Zvicër. “Nuk e kam pritur që një fshat të jetë kaq i transformuar, duke pasur në vete shkollën fillore e të mesme, pastaj postën, Qendrën e mjekësisë familjare, tregun dhe rreth 150 biznese përcjellëse, por edhe vetëdijen e lartë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Është kënaqësi që në dy kilometra ecje nëpër fshat të dalin gra e burra nga oborret e tyre, të shprehin mirëseardhje dhe të të ftojnë për kafe ose edhe për drekë”, thotë Marianna Eichenberger, mësuese në pension nga qyteti Reinach i kantonit Argau.

“Përmes këtij udhëtimi unë kam akumuluar forcë për ta vazhduar punën time në projektin e Rrjetit për integrim, sidomos për t’i ndihmuar edhe më tutje shqiptarët. Ky popull nuk e ka lehtë, as në vendlindje e as në diasporë. Ne duhet të kemi durim dhe mirëkuptim për këta njerëz, por edhe të komunikojmë qartë se ne kemi nevojë për pjesëmarrjen e tyre në këtë projekt, në mënyrë që ata të mundë të ecin përpara”, shprehet pjesëmarrja më e moshuar e këtij delegacioni, zonja Eichenberger.

Pas një javë qëndrimi në Kosovë mysafirët u kthyen në Zvicër me bindjen se Kosovën u dashka vizituar nga afër për të pasur perceptimin real pozitiv dhe jo përceptimin e ndikuar nga mediet ose nga paragjykimet e krijuara nga antikosovarët.(albinfo.ch)