PDK: Qeverisja komunale po i keqpërdor hapësirat publike të komunës

Gjilan – Qytetarë, mos i përkrahni brejtësit e komunës e të shtetit. Keqpërdorimi i pushtetit komunal vazhdon… Sikur përgjatë gjithë këtyre viteve, po sidomos në fushata zgjedhore, kreu i komunës Lutfi Haziri dhe stafi i tij primitiv, skajshëm e politizon qeverisjen komunale në të gjithë sektorët e saj thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Gjilan.
Ai e bën këtë duke i keqpërdorur hapësirat publike të komunës si dhe duke bërë shpenzime të paarsyeshme nga paraja publike e qytetarëve tanë.
Kryetari i komunës mban fushatë elektorale në tempullin e dijes, në bibliotekën rajonale.
Këtu ai me vite mban takime e promovime politike, ndërsa në këtë fushatë edhe hapur, në orar të punës, duke penguar studentët dhe nxënësit për të cilët është e destinuar kjo bibliotekë.
Në vazhdën e këtyre shkeljeve, para disa jave ka filluar punësimi për nevoja elektorale në secilin sektor të komunës dhe tashmē ka angazhuar disa dhjetëra militantë dhe nevojtarë për kompensim me votë zgjedhore.
Kryetari, pamëshirshëm dhe me vite të tēra e bën brejtjen, gërryerjen dhe rrënimin e kësaj komune që ishte shembull i rregullit, i respektit dhe i zhvillimit.
I ftojmë me këtë rast dhe i lusim sinqerisht qytetarët e komunës tonë që në këtë proces zgjedhor (dhe asnjëherë tjetër) tē mos i përkrahin degraduesit e përhershëm të shtetit e të komunës. Ata përherë na përvidhen në këto procese dhe na kanë ardhë në maje të shtetit. Mos ti lejojmë së paku tani e tutje thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Gjilan./rajonipress/