Patriotizmi i fjalëve (Letër vijuese)

Nga Shefik Shkodra – I nderuar, po ta dërgoj këtë letër në besim të madh. Dua t’i them nja dy a tri fjali njëherë në retrospektivë, e të shohim pastaj, si e vëzhgoi sogjetari këtë administrim të këtij vendi në një distancë kohe pre 20 – 30 vitesh. Shumë shkurt. Në këtë copë hapësire gjeografike, të cilës i del këmbë, anë e mbanë, për dymbëdhjetë orë. Në secilin kënd të këtij vendi dëgjon thënie të ndryshme…
Interesant! Nga një herë njeriu, thonë, dhe ashtu është, për një fjalë goje shkon “poshtë”. Në vend se të arrij për një kohë relativisht të shkurtër në pikën e qëllimit, e dyfishon madje edhe trefishon kohën. Mund edhe të mos arrij asnjëherë në cak. Po, për një fjalë goje mund të vish deri te një ngatërresë çuditërisht të paparaparë. Për një fjalë goje mbetesh i uritur, mbetesh pa strehë. Dhe kështu për një fjalë për këtë e për atë…gjithnjë, kur nuk di duhet të pyesësh tjetrin, por edhe ta dëgjosh e t’ia pranosh, nëse vërtet e qëllon. Ndoshta, më mirë shkon puna, rruga e qëllimi. Populli ka thënë: “Kush vetë, nuk tretë”. Nga një herë fjalët janë të mira, po nëse veç flasim dhe asgjë tjetër, atëherë, qytetarët nuk janë krejt pa mend.
Herë-herë të merr malli me i pa edhe ata që të kanë shkaktuar dëme e hidhërime në jetë. Ashtu, t’ia ri-shohësh atë surratin që e ke njohur. Po, jo! Të ndal zhgënjimi, kur e mendon se akëcili me intrigat e tij të shkaktoi lëndime e të preku në sedër në të kaluarën, dhe ndalesh…po qysh s’mbet gjë pa u përfolur krejt me nëpërkëmbje. Ngrihet si nga fundi e si nga fillimi i karriges, le që të mohon e ofendon me fjalë të pa “kripë”, por të vë tiketë aty për aty. Të shpallë “kundërrevolucionar”, “batakçi”, “shtet rrënues”, etj. Jo pse ka arsye e fakte, as nuk ka mend sa duhet, po pse ai/ajo thotë, ‘kam të drejtë’. Të linçon. Ashtu janë të mësuar nga mbeturinat e të kaluarës. Tipa që janë “sakat” në shpirt.
Ishim dikur në takimet e vocrra si të rinj i lexonim do vargje, herë nga pak romantike, e herë disi si patriotike. Sallat e klasave a korridoret, ku i bënim ato tubime, gumëzhinin nga duartrokitjet dhe thirrjet e ndryshme. Nëpër ato kohë, dikush nisi të shkruaj për ndonjë hero a për krye-hero kombëtar, që të nxeheshin zemrat rinore sa më shumë. Përpjekja ishte me disa shprehje si figurative, pa kurthërime, diçka që nuk del krejt për fushë, por gjithsesi, një zë ishte i përgjithshëm e për një qëllim. Pastaj, ndonjë ngjarje shumë emocionuese, e asnjëherë pa e harruar dashurinë për vendlindjen, shkollën, universitetin, e krejt Kosovën. Po, erdhi një kohë kur duhej të diferencohej vëllai prej vëllait. Kjo vinte nga spicat e guvernës sllave. Por, këtë e bënin edhe vetë shqipfolësit, disa duke shpreh vullnetin e lojalitetit të veçantë edhe kur nuk kishin aq shtrëngim nga ai pushteti i dikurshëm.
Pak më vonë, në gjysmë lirinë, në kohën paralelizmit administrativ, me të njëjtat mjete. E kur dilte ndonjë llafazan, fliste se si do të jemi së shpejti shtet, duart pas çdo fjale kërcitshin e mavijoseshin në këto tubime të ndryshme që, akëcili i mësonte përmendësh e pa ndërruar shprehje, si ndonjë vjershë me rimë e ritëm. Ndonjë herë, shpërthenin me jo aq bindje, por, autorët në fund përmendnin, “Kosova Republikë!” Qytetarët i rrëmbenin emocionet. Shpresa rritej, duke u mbështetur në ndonjërin prej këtyre folësve…Çohej tym e flakë, kërcitshin orenditë, karrige, banka e çka jo. Sikur bëhej republika përnjëmend në këtë vend. Mallëngjeheshin njerëzia, dikush edhe qante me drithërima. Duke menduar se, ky, ai diçka dinë dhe ndoshta, mund të na shpëtojnë…një numër nga gjenerata e jonë, deshëm t’i lenim këto punë të politikës, sepse, ka mjaft të rinj dhe shumë më energjik. Por, kishte edhe asi “tupavçash” që iknin prej disa personaliteteve më këmbëngulës e më aftë në politikë. Nuk dëshironin që t’u përzihej askush. Mos po ua marrin “duken” e “bukën”, mos po i “fishkëllejnë” si njerëz injorantë e të korruptuar shpirtërisht që ishin me kohë.
Grupet që marshuan vullnetarisht, do u rritën, do u plakën, po me të njëjtat shprehje, gjithnjë duke rrah kraharorin, se, qe ‘ne jemi shpëtimtarët’ e askush tjetër. Dhe vërtet bën diçka, po më shumë fjalë se sa vepra…Këta tipat nëpër parti të ndryshme, këtu te ne, mendojnë që i urren( j ), për shkak se filani po udhëheq. Dëshirojnë që t’ua lavdërojnë të tjerët “punën” e tyre, ndryshe do të hakmerren. Jo. Të neveritin palaçot, kur duan të ta mbyllin gojën ngase nuk janë të drejtë në punën e tyre.
Të kam thënë i dashur, mos na çaj kokën me britma e fjalë boshe. Sikur do të nxirrje jashtë jo veç frymën, por edhe zorrë e mushkëri. Ti nuk more vesh kurrë. Këndove pa u ndalë si t’ishe kalorës mbi të gjithë kalorësit. Dhe unë ta di për nder se, njeriu kur rrëfen dashuri ndaj vendlindjes si ndaj atdheut është shenjë e mirë. Është edukim i popullatës dhe me qëndrim uzdaje. Njeriu kur e lavdëron vendin me virtyte të mira e me vepra, qoftë edhe të pa sakta herë-herë, megjithatë, i rrit pamjen e i shton shpresat njerëzimit. Megjithatë, nuk duhet harxhuar energji të madhe për diçka që nuk çon në kandar për të gjithë, apo shumicën!
Zyrtarët e institucioneve tona flasin para këtij populli edhe atë që duhet e s’duhet. Është e tepërt të flitet për vizat se, ne jemi në “hall” për to. Në mungesë të ndonjë pune që është e rëndësishme, flasin për këto viza dhe thuhet se, fajin kryesor e kanë evropianët. Dhe kjo s’është e vërtetë fare. Faji kryesor është te institucionet tona. Evropa të gjitha veprat e njerëzve tanë i di. nuk
T`i i nderuar nuk reagoje, kur bëheshin diferencime të individëve, pa ndonjë ‘hak’. Nuk e the një fjalë kundër padrejtësive në këtë truall, që jemi të mësuar t’i shprehim ndaj njëri-tjetrit, por edhe t’i durojmë prej kah do që vijnë…A e di vëlla si kemi menduar për të ardhmen?! A të kujtohet se si jemi gjetur në ato kohë të vështira? Nejse, s’ka rëndësi! Ishte si na ishte…
Së fundi: Kuvendi dhe institucionet tona të “pavarura”, janë “përlye” si duket. Të nxitur se, kush do të thotë fjalë më të mëdha, se, kush është më i “dashuri” dhe më i “afërti” për t’u “sakrifikuar për këtë popull”, ti mbetesh midis turmës “send” i pa vlerë e i pahetueshëm. Kështu dëshirojnë fjalamanët për t’u fsheh si pas ndonjë lënda të madhe fizike. Kur e pyet ndonjërin prej këtyre se, çfarë është programi yt ekonomik?! Përgjigjet me “problemi është politik” dhe nuk po na lejohet…po mirë, si është puna e privatizimit? E Punësimit…? Ku janë mjetet financiare, etj.
Marrëveshja dhe Ligji për amnisti, gjithsesi se, është dashur të ndodhë në mes Serbisë dhe Kosovës, por me siguri edhe Marrëveshje gjithnjë është e diskutueshme. Prandaj, edhe Ligji për Amnestinë (s’ka nevojë pas gjithaq diskutimesh të shpjegohet) ka qenë i domosdoshëm, por amnistia nuk duhej t’i përfshijë edhe kriminelët ordiner: për lëndime e vrasje, për plaçkitje e vjedhje, për kontrabandë ekonomike dhe korrupsion. Vetëm ata që ishin kundërshtarë të shtetit, protestuesit dhe organizatorë për rezistencë. Analistë e shoqëri civile mirë e kanë thënë deri më tash.
Edhe një fjalë. Si duket shteti i Kosovës është vetëm për një pjesë të vogël të qytetarëve, atyre që janë të inkuadruar në institucione. Të tjerët…po ikin prej këtij vendi. Të mbetet vetëm një përqindje e vogël në këtë vend? Ata të jetojnë me familjet dhe rrethin e tyre të ngushtë. Nuk ka opozitë të mirëfilltë te ne, pos VV, këta sa mirë i identifikojnë dhe i hedhin në dritë dobësitë politike, ekonomike, etj. veç duhet ta fshijnë protestën me dhunë dhe reagimet…Të gjitha partitë tjera në opozitë nuk kanë asgjë të re në asnjë sektor, pos fjalëve dhe arritja e qëllimit të tyre për të marrë institucionet e vendit, ose, së paku të futen atje ku u leverdis.