Fundamenti

Pabarazia e shpërfillur

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Albin Kurti – Pas krizës financiare të vitit 2008 që u quajt edhe krizë globale, janë shtuar aq shumë studimet që tregojnë se rritja e pabarazisë në shoqëri e rrit numrin e vrasjeve, numrin e të burgosurve për 1.000 banorë, dhunën në përgjithësi, obezitetin, problemet shëndetësore, numrin e tinejxhereve shtatëzëna, analfabetizmin, etj. Kur analizojmë ekonominë është pabarazia ajo së cilës i duhet kushtuar shumë më tepër vëmendje dhe jo vetëm bruto produktit vendor e bruto produktit vendor për kokë banori. Mirëpo, Qeverinë e Kosovës sigurisht që nuk mund ta kemi aleate: synimi ekonomik i saj nuk është punësimi i popullsisë (si njerëz), por rritja ekonomike (si shifër).

Pabarazia e qytetarëve në aspektin socio-ekonomik është ose pabarazi në të ardhura, ose pabarazi në pasuri, ose të dyja këto (jo vetëm për shkak se vijnë të ndërlidhura). Dallimi në të ardhura përkthehet në dallim në pasuri, i cili mandej rritet: fundja, dallimi në qera e rrit dallimin e pronave që ipen me qera.

Pabarazia socio-ekonomike që mbetet e paadresuar konsiston edhe në sistem legal e juridik të pabarabartë, i cili më shumë sesa që i korrigjon pabarazitë, i formalizon dhe i pasqyron ato në jetën politike, shoqërore dhe institucionale duke i sforcuar ato.

Dëshira për të bërë para e individëve, dëshira e pervertuar sepse e kufizuar te mjeti i shkëmbimit, nëse nuk kufizohet nga institucionet dhe shoqëria, i shpie në theqafje të dyja këto. Është pikërisht tatimi progresiv ai i cili na shpëton të gjithëve, madje edhe të pasurit. Duke i pasur njerëzit të pabarabartë në shoqëri, nuk paraqet kurrfarë drejtësie shoqërore trajtimi i barabartë i njerëzve.

Kjo është arsyeja pse Alternativa Qeverisëse e Lëvizjes VETËVENDOSJE! parasheh tatim progresiv në të ardhura duke mos i parë të ndara Shtetin Zhvillimor dhe Shtetin Social, përkatësisht prodhimin dhe barazinë. Natyrisht që me qeverisjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk do ta bëjmë tatimin progresiv në llogari të luftimit të informalitetit, por njëkohësisht duke e luftuar në mënyrë të pakompromis informalitetin e duke e zgjeruar bazën tatimore. Prandaj, Shteti Zhvillimor dhe Shteti Social e kanë të bashkangjitur aty edhe shtyllën tjetër – Shtetin e së Drejtës.

RCCOLA

Barazia në ekonomi nuk është thjesht çështje etike e zelli moralizues, por edhe funksionim efikas e sukses përfitues. Tregu kosovar gjithsesi do të funksiononte shumë më mirë e do të rritej ndjeshëm nëse do të kishim më shumë barazi. Të pasurit blejnë pse munden edhe gjëra që nuk iu nevojiten, sidomos gjëra që nuk iu nevojiten. Shpenzimet kryesore i kanë për mallra luksi të cilat nuk i prodhojmë ne vetë në Kosovë. Më shumë barazi në Kosovë, do të rriste edhe fuqinë blerëse aktuale, edhe kërkesën agregate, edhe prodhimin vendor.

Pabarazia është ofenduese. Kur njerëzit trajtohen në mënyrë të pabarabartë, ata fyhen dhe vuajnë. Kjo mandej lë pasoja në ndërtimin dhe zhvillimin e tyre emocional dhe intelektual. Duhet të kemi mirëkuptim për njerëzit që janë të kushtëzuar nga rrethanat e vështira jetësore, por edhe për ata që vuajne pasojat e zgjedhjeve të gabuara në jetë. Ky mirëkuptim i yni duhet të shprehet në politikat sociale dhe ndarjet buxhetore.

Ata që janë të pasur a të sukseshëm, përgjithësisht, besojnë që kjo është për shkak se ata janë të veçantë (për të mirë) përkundër sistemit (i cili është aq larg nga të qenit i përsosur). Mirëpo, po këta njerëz nuk duan t’i shohin të varfërit a të pasuksesshmit si viktimë të po atij sistemi (aq të papërsosur), por sërish si njerëz të veçantë (për të keq). Tipike neoliberale: gjykim i të varfërve me moralin e të pasurve. Kundrim i asistencës sociale duke presupozuar e duke ua përshkruar të tjerëve lakminë e vetvetes së tyre. Mirëpo, s’do mend se kjo gjë tashmë është kontradiktore.

Individualizmi, të cilin e kanë aq shumë për qejf neoliberalët, shikon e thekson dallimet midis njerëzve e jo ngjashmëritë dhe të përbashktën e tyre. Individualizmi mbetet i verbër për sa i përket shkakut dhe karakterit të suksesit të individëve. Nuk e sheh dot qysh edhe aftësia njerëzore, edhe produktiviteti njerëzor, janë shoqërore për nga natyra. Multimiliarderi amerikan, Warren Buffett, është ndër të paktit i cili e pranoi këtë gjë kur deklaroi se po të kishte lindur në Bangladesh, nuk do të bëhej tjetërçka përveçse bujk.

Duke e konsideruar pabarazinë fakt të kryer dhe duke ia vënë barrën e argumentimit dhe arsyetimit atyre që afirmojnë idealin dhe nevojën për barazi, kjo njëmend dëshmon që shoqëria jonë ideologjikisht ndodhet nën kthetrat e neoliberalizmit, por, njëkohësisht, edhe dëshmohet se te pabarazia si fakt i kryer s’ka asgjë të natyrshme dhe gjithçka është e imponuar.