Osman Behluli dhe vepra e tij “Kuriozitete”
Gjilan – Thonë, jeta shkruan romane. Kjo është e vërtetë. Për jetën, në përgjithësi, krijuesit e artit kanë shkruar vepra të shumta e të lloj-llojshme. Jeta është një sfidë e njeriut. Pse jo? Secili njeri e posedon një roman për jetën e tij. Pra, jeta si “fenomen” jetësor, njeriut i “falë” tema e forma më të ndryshme të të shkruarit.
Edhe Osman Behluli, publicist gjilanas, ndonëse është me profesion biolog, ai me kohë ka hyrë në botën e artit e shkrimit. Ai e do artin letrar e publicistik. Shkrimin e ka pasion për zemër. Me publicistikë Osmani ka filluar të shkruajë qysh nga vitet 1969. Ndërsa, botimin e veprave letrare e publicistike e ka filluar nga viti 2012. Jo vetëm kaq.
Osman Behluli – Ilinca është i lindur më 1948 në fshatin Ilincë, komuna e Preshevës. Në këtë vend ka të kryer shkollën fillor, ndërsa shkollimin e mesëm – gjimnazin, e ka mbaruar në Preshevë. Pas shkollës së mesme, është regjistruar në Akademinë Ushtarake Tokësore në Beograd. Nga kjo Akademi shpejt është tërhequr, sepse, me kohë kishte vërejtur e përgjuar “gjendjen” se aty s’kishte perspektivë për atë. Pas kësaj, Osman Behluli kthehet dhe regjistrohet në Akademinë Pedagogjike – grupi Biologji – Kimi në Shkup, të cilat studime i kryen me sukses. Ai si e mori diplomën e arsimtarit të biologjisë, i kthehet jetës arsimore me ditar në dorë. Jo vetëm kjo! Ai, pas pensionimit, i është kthyer jetës publicistike.
Edhe Osman Behluli, krijues nga Gjilan, këto sfida të jetës po i “përballon” jo vetëm me fjalë të përditshme jete, por ai po merret edhe me vepra publicistike. Shih për këtë, ai gjer më tani ka botuar disa vepra publicistike, të cilat vepra, ngërthejnë në vete lloj-llojshmërinë e jetës së njeriut e të vetë autorit.
Në veprat e këtij publicisti “rrëfehet” e kaluara e njeriut tonë e të vetë autorit në fjalë. Tek veprat e autorit në fjalë vërejmë ngjarje, personazhe reale, sfida të njeriut për të mbijetuar si qenie njerëzore, por tek ky autor gjejmë edhe rrëfime të dhimbshme të krajatave të njeriut tonë, i cili dëshiron të jetojë e të mbijetojë, përkundër gjendjes së tij të skajshme.
Ditë më parë, Osman Behluli, gjilanas, doli me veprën e radhës me titull “Kuriozitete”. Autori i veprës në fjalë është ndalë të krijojë vepra të tjera, të cilat e joshin lexuesin tonë artdashës. Kjo është një vepër pak më ndryshe se veprat e tij të botuara më parë, për faktin se, në këto vepra ka “materje” krejt tjetër nga ato që janë rrëfyer më heret. Këtu nuk ka rrëfime, as ngjarje, as personazhe e as kohë e data, por ka një lloj “ushqimi” shpirtëror për lexuesin e veprës që të relakson duke lexuar veprën në fjalë.
Osman Behluli, autor, me veprën e tij “Kuriozitete”, sikur po e then një shabllon të të shkruarit të veprave publicistike. Këtu autori është ndalur tek mbledhja e kurioziteteve të ndryshme që i ka gjetur apo lexuar nëpër gazeta e revista të ndryshme, të cilat i ka formësuar në një vepër publicistike. Me fjalë të tjera, këto kuriozitete janë një lloj mirësjellje e njerëzve në jetë, të cilët, nga përdorimi apo përkujdesja e lexuesve, sikur përfitohet e bukura apo filozofia e tyre.
Autori i veprës në fjalë, këtë lëndë të bollshme e të pakufishme e ka vjelur për ta grumbulluar nga mjetet e informimit, ku autorët burimorë të këtyre kurioziteteve janë shkencëtarët apo dijetarët e ndryshëm, të cilët kuriozitete autori i ka tubuar dhe i ka përmbledhur në një vepër për t’i dhënë jetëgjatësi këtyre thënieve të “vërteta”, të cilat, si të tilla, artikulojnë realitetin e “ngjarjeve” me atë një dozë filozofike e mendimtarë.
Bie, fjala, autori “vjelë” kuriozitetin rreth ndërtimit të Kanalit të Panamasë, ku këtu lexuesi do të mësojë për flijimin e mijërave njerëzve për ndërtimin e kanalit në fjalë.
Apo një shembull tjetër: “Një burrë nga Angola ka gojën më të madhe në botë, sa që arrin ta fusë kanatën në gojë”(f.37). Mandej, shembuj të tjerë, si janë: “E hëna është dita ma stresuese e javës”, “Një nënë u dënuar për 12 vite bur, pasi e shiti virgjinitetin e vajzës së vet”, “Në Japoni quhet shkelje e ligjit nëse je mbipeshë”, “Të dish me i ra instrumentit muzikor, ngadalëson plakjen”, “Njerëzit që jetojnë në qytet ku ka dritë të fortë, kanë probleme me gjumin”(f.167).
Ja shembuj të tjerë kurioziteti, si: “Në gjirin Persik deri në vitin 2018 pritet të ndërtohen hotele me dhoma gjumi nënujë, ku klientët do të flejnë të rrethuar nga kafshët e ujit” (172); “Për t’i bërë fëmijët që t’i dojnë librat, një berber i qeth falas, me kusht që t’ia lexojnë ndonjë pjesë të librit”, “Gjatë vitit 2016 kemi 52 raste në Kosovë, ku femrat i sulmojnë burrat” (f.131);
“Historiani i artit italian Silvana Vicenti mendon se, Mona Liza është një ndërhyrje e të dashurës së Da Vinçit”, “Muzika i qetëson njerëzit, por dhe kafshët”, “Onigofist quhen njerëzit që i hajnë thonjtë e tyre”, “Fjala shkollë vjen nga greqishtja e lashtë “kohë e lirë”, “Shakira nuk u pranua në korin e shkollës, pasi mësuesja konstatoi se zëri i asaj ishte si i dhisë”, “Lëngu i qepës me mjaltë ndihmon për ta larguar kollën”, “Njerëzit që kanë shumë nishana në trup, kanë gjasa të jetojnë më gjatë” e shumë kuriozitete të tjera e të ndryshme.
Pra, kjo vepër publicistike e përgatitur dhe e punuar nga Osman Behluli, është një “prurje” e re në artin e shkrimit. Këtu, në vepër gjejmë këshilla nga jeta, por edhe aforizma e filozofema të holla nga njerëzit e ditur, të cilët i ka mësuar përvoja e jetës për t’i shpërfaqur në jetë. Andaj, autori e ka përdorur në parathënie një citat kur shton: “Lindja është gjëja ma e vështirë në këtë jetë, kurse e para është djegia për së gjalli” (f.6).
Në veprën e O. Behlulit “Kuriozitete” janë tubuar apo këshilla, thënie apo mendime nga të tjerët, të cilat janë të lëmive më të ndryshme, si nga biologjia, kimia, fizika, psikologjia, logjika e nga vetë jeta. Vepra ka mbi 2300 kuriozitete. Këto kuriozitete kanë zënë vend 304 faqe të veprës së autorit në fjalë./tefik selimi/rajonipress/


