Eko Higjiena

Organet institucionale nuk përkrahin vlerat kapitale

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Demir Krasniqi – Ashtu sikur në të gjitha regjimet e kaluara , edhe sot e gjithë ditën krahina rurale e Malësisë së Gollakut, për organet institucionale nuk paraqet asgjë më tepër se sa një “zorrë qorre” në hartën gjeografike të Kosovës .

Kjo krahinë, ka një begati shumë të çmuar të resurseve natyrore, por edhe të trashëgimisë kulturore, por që fatkeqësisht, as njëra, as tjetra nuk janë shfrytëzuar kurrë në të mirën e popullatës së asaj ane, as në të mirën e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran .

Kjo krahinë, ka kushte shumë të mira për zhvillimin e bujqësisë, blegtorisë, xehetarisë, hotelerisë dhe turizmit rural, por që asnjëra prej tyre kurrë nuk e kanë gëzuar as përkrahjen minimale të organeve institucionale ?!

Pikërisht, nga këto rrethana , banorët e kësaj Malësie, pa dëshirën dhe vullnetin e tyre, u detyruan që t’i braktisin njëherë e përgjithmonë vatrat e tyre stërgjyshore dhe shekullore , në kërkim të kushteve më të mira për jetesë , qoftë nëpër qendrat urbane, qoftë edhe në mërgim ! Derisa dikur nëpër fshatrat e kësaj Malësie, jehonte kënga e malësorëve, këngët e barinjve, këngët e shkollarëve, këngët e kosëtarëve, këngët e të korrave, këngët e dasmave …sot po të rastisi që të kalosh nëpër këto fshatra, do të merr malli që ta takosh së pakut një njeri për të biseduar me te !

Shumë shtëpi kanë mbetur të shkreta, shumë prej tyre janë rrënuar tërësisht dhe shumë shkolla kanë mbetur pa asnjë nxënës !…

Krahas begative tjera dhe resurseve të pasura natyrore, Malësia e Gollakut tradicionalisht ka qenë shumë e pasur edhe me vlera të pa krahasueshme të trashëgimisë shpirtërore kulturore .

Vlerat e trashëgimisë shpirtërore kulturore në këtë Malësi, po thuajse nuk janë vjelë e shijuar nga asnjë dorë profesioniste për t’u ruajtur , botuar e kultivuar nga brezat e pasardhësve të kësaj Malësie .

Vlerat e para të trashëgimisë shpirtërore kulturore nëpër disa treva e krahina të Kosovës, i patën mbledhë e botuar të ndjerët : Demush Shala dhe Lorenc Antoni, por që në Malësinë e Gollakut nuk kishte shkelur kurrë këmba e asnjë etnografi, apo etnomuzikologu !

Nisur nga këto rrethana , unë Demir Krasniqi, i lindur në fshatin Tugjec të kësaj Malësie, që nga rinia e hershme me tërë mundin dhe vullnetin e pa thyeshëm, pa përkrahjen minimale të askujt tjetër, i hyra punës për mbledhjen e këngëve burimore dhe të folklorit tradicional të fshatrave të Gollakut .

Fundamenti

Për t’i mbledhë këto vlera shpirtërore kulturore, nuk e kisha aspak të lehtë, nga se kisha të bëjë me një shtresë të vjetër të fanatizmit shekullor, e mbi të gjitha me protagonist të cilët ishin analfabet që nuk dinin as shkrim, as lexim !

Prej një lagje në një lagje, prej një fshati në një fshat dhe prej një rrethi në një rreth, punova hiq më pak se sa plot 40 vjet, ku nga folklori burimor i Malësisë së Gollakut, arrita që t’i mbledh, t’i shënoj dhe t’i deshifroj hiq më pak se sa 1216 këngë të cikleve të ndryshme, kryesisht këngë dasmore , të cilat i rrumbullakova në një përmbledhje unike nën titullin:”LIRIKA POPULLORE E GOLLAKUT”.

Kjo përmbledhje këngësh burimore ka gjithsejtë 560 faqe shtypi dhe është tërësisht e gatshme për shtyp, por çka ndodhë më tutje me fatin e botimit të sajë?

Që nga përfundimi dhe rrumbullakimi i kësaj vepre kapitale për shtyp, nuk lash derë, as institucion relevant në Kosovë, pa trokitur për të kërkuar ndihma dhe përkrahje për botimin e saj, por që të gjitha përpjekjet e mia ranë në ujë dhe veshë të shurdhër?!

Iu drejtova Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan, disa herë, por kot së koti! Iu drejtova disa herë Institutit Albanologjik të Kosovës, por kot së koti! Iu drejtova e edhe Ministrisë për Kulturë të Kosovës, por as ajo nuk e mori parasysh kurrë kërkesën time ?!

Për hir të realitetit, dua të sqaroj para lexuesve të nderuar, se qëllimi im kurrë nuk ka qenë për përfitime materiale, apo karrieriste nga botimi i kësaj vepre kapitale, por ka qenë ideali i shenjtë që të botohet ky material i mbledhur plot 40 vjet, nga njerëzit, motrat, nënat dhe gjyshet tona nëpër fshatrat e Malësisë së Gollakut, të cilat shumica prej tyre sot nuk janë të gjalla, e ata që janë të gjallë , sot nuk jetojnë nëpër ato fshatra dhe nuk ka ma se kush t’i këndojë ato vlera, nga se në atë Malësi të boshatisur, sot vështirë se mund të gjenden as sorrat, se jo më banorët e saj !

Pra, qëllimi im final ishte dhe është, që këto vlera të mbledhura nga krijimtaria gojore e njerëzve të asaj Malësie, të mos mbesin të shkruara vetëm në sirtarët e arshivës sime personale , si pronë e imja private, por të shohin dritën e botimit nga ana institucionale dhe të shfrytëzohen nga studiuesit dhe kultivuesit e brezave të ardhshme të trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore !

Nga gjithë kjo që u tha më lartë, shihet qartazi se veprat kapitale nuk e gëzojnë përkrahjen institucionale, e bashkë me to edhe ata pak njerëz që mundohen me mish e me shpirt që ta japin kontributin e tyre !

Apo, mos vallë “Lirika popullore e Gollakut”, mbeti pa u botua pikërisht nga fakti se është mbledhur në krahinën “Zorrë qorre” të Kosovës, ku edhe mbledhësi i këtyre vlerave i takon kësaj krahine ?!