Nobeli për letërsinë: Shqipëria , SHBA dhe Japonia në garë

Gazeta e madhe kiliane ‘La tercera’ botoi më 4 tetor, një shkrim të gjatë dhe të argumentuar për laureatët e mundshëm të Nobelit për letërsinë për këtë vit. Kritikë dhe shkrimtarë botërorë shprehen aty për trofeun e Nobelit, që shpallet të enjten e ardhshme. Midis të preferuarve, emrat më të përmendur janë shqiptari Ismail Kadare, amerikani Philip Roth dhe japonezi Murakami.
Haruki Murakami
Pas nominimit që revista e famshme amerikane “World Literature today” bëri në 14 gusht të këtij viti, kur botoi shkrimin “Pse Kadare duhet ta fitoje Çmimin ‘Nobel’ për letërsinë më 2013’, ky është lajmi tjetër i rëndësishëm që vjen nga kontinenti amerikan, më saktë nga amerika jugore, e cila përmend të parin emrin e shkrimtarit shqiptar ismail Kadare. Mandej vijnë Filip Roth nga Shtetet e Bashkuara dhe Murakami nga Japonia. afro dy muaj para shpalljes së fituesve, Kadare ishte i pari emër që u shqiptua për çmimin Nobel për këtë vit.
Philip Roth
Vlen të theksohet fakti se propozimi për Kadarenë për Nobelin e këtij viti vjen nga kritika amerikane, nga ajo e Veriut dhe e Jugut. Kjo është mjaft domethënëse. Gazeta kiliane, duke folur për kandidatët e këtij viti, shkruante ndër të tjera: “Ngjante si një shaka. Vitin e shkuar, shkrimtari kinez Mo Yan mori Çmimin Nobel për letërsinë dhe shitësit e librave mblodhën supet.
Ismail Kadare
Mo Yan, kush është ky? dekadën e fundit, Çmimi Nobel në vitin 2010 për Mario Vargas Llosa-n ishte ai më i afërti për një vepër të njohur. J. M. Le Clezio (Nobel 2008), Herta Muller (2009) dhe transtromer (2011) ishin emra të vështirë për t’u shqiptuar dhe librat e tyre të vështirë për t’u gjetur. Pas marrjes së çmimit, veprat e tyre filluan të botoheshin dhe, të paktën, u kuptua se Çmimi Nobel ka një efekt komercial: ndihmon që laureatët e tij të shiten”.
Por përtej kësaj, Çmimi Nobel, që është ndoshta çmimi më i madh në botën e letërsisë, çmim që është dhënë duke filluar nga viti 1901 nga akademia Suedeze, e ka humbur njëfarësoj relevancën e vet. Kritikat përsëriten para zgjedhjes së laureatit të ri, i cili do të shpallet javën që vjen, sipas traditës së dhënies së lajmit nga Stokholmi të enjten e dytë të tetorit.
Faktori gjeopolitik është një nga kritikat më të shpeshta: Vargas Llosa e mori çmimin 20 vjet pas meksikanit Octavio Paz. a do të duhet të kalojnë dy dekada të tjera që një shkrimtar latino-amerikan të marrë çmimin?
Komponenti ideologjik është një tjetër faktor: Kritiku Harold Bloom ka thënë se Philip Roth (1933), i cili nuk botoi më pasi kishte shkruar 31 vepra, dhe nuk do të botojë më, sepse është “shumë pak korrekt politikisht ndërsa akademia është kaq korrekte politikisht, saqë ngjan e pamundur”. Në vitin 1993, toni Morrison ishte autori i fundit që iu dha çmimi.Kritiku i “the New Yorker”, James Wood, gjithashtu i ka hedhur “fishat e bastit të vet” për Kadarenë.
Në librat e tij më të famshëm, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Nëntori i një kryeqyteti”, autori pasqyron kohërat e turbullta që përjetoi populli shqiptar gjatë Luftës së dytë Botërore. “Më pëlqen për alegoritë e tij të errëta, zbavitëse, frikësuese dhe komplekse për efektet e deformimit të tiranisë së shtetit tek individi”, thotë Wood-i, i cili veçon titullin autobiografik “Kronikë në gur” (1970) të Kadaresë. “Është një tablo shumë e bukur e një qyteti shumëfetar të fëminisë së tij”, shton ai.
Në garë: Tre shkrimtarë, tre shtete apo tre kontinente?
Në renditjen e kryesuesve të garës së ‘Nobelit’ për këtë vit kemi si asnjëherë tjetër një garë shumë të fortë dhe gjithëpërfshirëse. Duke qenë një çmim planetar, tre emrat e nominuar nga gazeta amerikanolatine përfaqësojnë tre shtete: Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë. Mirëpo, përtej këtyre shteteve janë tre kontinente: Europa, amerika dhe azia. Është nder për ne që një shkrimtar i yni, përfaqëson në këtë kompeticion botëror, jo vetëm Shqipërinë, por edhe Europën. E fiton apo jo ismal Kadare Nobelin, është tjetër çështje. Kjo është punë e Jurisë së Nobelit në Stokholm. Por edhe kjo renditje është mjaft domethënëse dhe duhet të na mbushë me krenari si shqiptarë. Pra më shumë se tre shkrimtarë dhe tre shtete, në garën e sivjetme janë tre kontinente. Është nder për letërsinë shqipe që shkrimtari ynë i famshëm e ka bërë vendin tonë të përmendet para Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë.
Fenomeni ‘Kadare’
Që ismail Kadare është sërish një nga kandidatët më potencialë për ‘Nobelin” nuk përbën lajm. Shkrimtari ynë me famë botërore ka më shumë se një çerek shekulli që nominohet dhe përmendet ndër emrat më pretendues të çmimit. Që nuk e ka fituar këtë çmim,mund të radhiten shumë arsye, pavarësisht se askush nuk mund të thotë me saktësi arsyen e vërtetë. Fakt është që, duke u nisur nga përvoja botërore e nominimeve, Ismail Kadare përbën vërtet një histori më vete dhe të rrallë të këtij çmimi. Vështirë të gjesh në historinë e dhënies së këtij çmimi një shkrimtar tjetër që të jetë nominuar kaq shumë herë dhe t’i jetë afruar kaq shumë titullit.
Por rasti Kadare gjithsesi është krejt i veçantë nga emrat e tjerë. dhe ja përse: Në historinë e Nobelit mund të gjenden emrat e dhjetëra shkrimtarëve të nominuar, madje dhe pranë laurimit, të cilët pasi kanë dështuar një apo dy herë, kanë zbritur shumë në listën përkatëse derisa janë harruar ose nuk janë nominuar më tej.
Me Kadarenë ka ndodhur e kundërta. Jo vetëm që ai nuk është harruar, por janë shtuar ata që kërkojnë që shkrimtari ynë të laureohet dhe Kadare është ngjitur gjithnjë në renditje. Shumëkush ka arsyetimin e tij për këtë dukuri dhe mund ta argumentojë sipas mënyrës së vet.
Unë mendoj se qoftë dhe nominimi i një shkrimtari që vinte nga Shqipëria përbën një sukses. Mirëpo, kur ai u nominua për herë të parë dhe për shumë vite më pas, shkrimtari ynë ishte i njohur kryesisht në botën frankofone. Ndërsa dihet se një nga përparësitë e atyre që e kanë fituar çmimin e madh është njohja dhe botimi i tyre në botën anglishtfolëse.
Shkrimtari ynë ka çarë me vonesë, por me një sukses të admirueshëm në botën anglofone, në Shtetet e Bashkuara, në Angli dhe më tej, vetëm këto 10-15 vitet e fundit. Me këtë unë lidh dukurinë që,në vend që ismail Kadare të zbriste vende në klasifikimin e përgjithshëm, është ngjitur vazhdimisht, aq sa tani të renditet në krye të listës, bashkë me amerikanin Filip Roth dhe japonezin Murakama.
Të munguarit e mëdhenj
Kritika kryesore për akademinë Suedeze, të përbërë nga 18 anëtarë të përjetshëm, ndër të tjera është se nuk ka nderuar figura kyçe të letrave, si Tolstoi, Prusti, Xhejms Xhojsi, Kafka, Nabokovi dhe Borgesi. “Tolstoi u skualifikua si pesimist”, tha Kjell Espmark, ish-kryetar i Komitetit për çmimin “Nobel”, në librin e tij “Çmimi Nobel për letërsinë” (2008). “Nëse nuk ia jepni kurrë çmimin Borgesit, atëherë nuk dua t’ia di fare se kush e merr çmimin Nobel”, thotë autori amerikan Francisco Goldman. Skepticizmi dhe pakënaqësia ndaj akademisë shtohet. Këtu, një sërë shkrimtarësh dhe kritikësh japin mendimin e tyre për të parapëlqyerin e tretë në radhë. a do të jetë ai vallë emri i të cilit do të shpallet të enjten në Stokholm?
Shqiptari ismail Kadare dhe amerikani Cormac McCarthy janë të preferuarit e autorit salvadorian Horacio Castellanos Moya. “Megjithëse shumë të ndryshëm për nga tematika, që të dy kanë një vepër komplekse, që zbulon marrëdhëniet e ndërlikuara ndërmjet njerëzve. Secili nga të dy e meriton çmimin”, thotë ai.
Cormac McCarthy
Richard Ford
Ndërsa Richard Ford dërgon vetëm një mesazh të shkurtër: “Kushdo që ta fitojë çmimin Nobel do të ketë një ditë të mirë. Për të gjithë kolegët e mi, një ditë e mirë është mjaft e rrallë”. Dhe në rast se Kadare e fiton Nobelin, kam bindjen se askush nuk do të pyesë me habi: Kush është ky?!
(Dita)