Një xhelat për kulturën
Nga Blerina Rogova Gaxha – Po të shtrohej pyetja, pa provuar për ta sofistikuar aspak, cila do të ishte përgjigjja se ç‘është kulturë e ç’është art? Një pikturë e varur në mur ose një libër i vënë diku në raft. Përgjigjja e menjëhershme do të mund të ishte kjo. Ceremonitë e dasmave dhe ato të vdekjeve…sigurisht. Dija mbi socializmin e fashizmin, osmanizmin e evropianizmin.
Stepat ruse kah kanë shëtitur faktet e historisë apo i ftofti që ngriu ushtrinë gjermane? Një film dokumentar i pazakontë, një film i moçëm bardh e zi apo një aksion i sotëm? Një “Grand Hotel” apo një Greta Garbo? Një këngë që të fut në ritëm apo një klasikë që të rrëqethë. Kupolat e kishës, minaret e xhamisë apo gurët mijëvjeçarë të arkitekturës antike. Kuzhina dhe shujtat e shtruara bukur, dizajnet, paradat dhe ngjarjet e komunitetit.
Frizura e Rihanës dhe atletet e Ritës? Pulat e Petritit, tabuti i Anri Salës, apo tavolina e përmbysur e Sislej Xhafës. Një iphone apo një galaxy. Makiato a një expresso pasdite pas punës. Një intelektual me kollare apo një e kulturuar me fustan elegant. Një festival në rrugë a një kinema mbi lumë.
Një “homoseksual” të cilin s’do të guxoje ta quaje ‘peder’ por do të doje ta gjuaje me gur, apo një film erotik në shtëpi, ku femrat mund të jenë çkado. Një yll roku, një reper, një kuller, apo një zotni e një zojë klasike. Nga përrallat e rrëfimet tradicionale deri te storiet e kompjuterizuara. Një pinokio i drurit dhe një pinokio robot.
Nga qilimi i kuq deri te piramidat e Egjiptit, dhe mijëra vjet më parë. Çfarë e bën botën e madhe të artit e të kulturës? Përkufizimi i ” artit dhe kulturës ” është gjithëpërfshirës. Kështu do të thonë të gjithë. Jo vetëm një pikturë varur në mur. As edhe një raft mbushur me libra, një film, teatër, valle a çfarëdo kreaturë tjetër vizuale…por gjithçka e përtej. Diçka si sufizmi, si mënyra e të jetuarit, frymë siç marrim dhe krejt çka jemi e ç‘dukje kemi.
Por, a është duke i vrarë shqiptarët kultura e politikës, apo politika pa kulturë, apo ndoshta po i vret kultura e mospunës, sepse po shndërrohen në kombin më dembel të kontinentit.
Sa për artin, Pikaso spanjoll do të shkruante se “Të gjithë e dimë se arti nuk është i vërtetë. Arti është një gënjeshtër që na bën të kuptojmë të vërtetën që nuk na është dhënë ta kuptojmë. Artisti duhet të dijë se si t’i bindë të tjerët për vërtetësinë e plotë të rrenës së tij”, por që duhet të jetë një rrenë e bukur patjetër!
Në anën tjetër, sa të vetëdijshëm jemi për ndikimin e kulturës në sjelljet dhe në mënyrën e të menduarit? Mbase ndonjëherë do të duhej që të ndalemi dhe të mendojmë për sistemin e vlerave të cilat i marrim si të garantuara, t’i shohim ato nga një tjetër perspektivë.
Cili është roli i sistemeve dhe ideologjive në jetën tonë. Cili është roli i religjioneve. Cili është roli i traditës dhe historisë ndër ne…Ose cili është rreziku i dekulturalizimit të komunitetit.
Përmbysja e, pothuaj, të gjitha vlerave dhe formave të funksionimit si shoqëri ose komunitet, dhe shndërrimi i interesave individuale në vlera absolute, ka bërë që Kosova dhe shqiptarët të mos e kuptojnë më as kulturën e komunitetit, as artin e entitetit. Kjo ka bërë që shumica prej nesh të mos kemi as fuqi as dije që t’i përgjigjemi pyetjes së shtruar në fillimin e këtij shkrimi, ç‘është kulturë e ç‘është art”!
Kjo, sigurisht nëse pajtohemi se hajnia nuk mund të ngrihet në art, se hipokrizia nuk mund të shndërrohet në kulturë. Apo ndoshta në jemi populli i mjeshtrisë artistike të hajnisë dhe hipokrizisë!


