RCCOLA

Një votë për dinjitet

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Nga Imer Mushkolaj – Fotografia e Kosovës së keqqeverisur tash dy dekada nuk duket bukur si në posterët e politikanëve. Fotografia e saj është e zymtë dhe produkt i mashtrimeve të atyre që kanë qenë në pushtet. Lavdin e të kaluarës e kanë mbuluar me rrena, ashtu si dhe rrugën drejt së ardhmes. Të tillëve duhet treguar vendin me votë. Me votën për dinjitet.

Mjafton një verifikim i premtimeve të partive politike në zgjedhjet e kaluara, për të parë se sa shumë është gënjyer e mashtruar ndër vite, sa premtimet janë bërë e nuk janë realizuar.

Fushatat parazgjedhore edhe ashtu janë arena të premtimeve megalomane, veçanërisht në Kosovë, e shumë premtime të kësaj fushate janë veç reciklim i të kaluarave. Vetëm se të ambalazhuara ndryshe, më bukur.

Tash e gati dy dekada janë dëgjuar premtime marramendëse për zhvillim ekonomik e hapje të vendeve të reja të punës. Por ekonomia vazhdon të jetë përtokë, e njerëzit të vetmet vende pune të sigurta po i gjejnë në perëndim, duke e braktisur Kosovën.

Flasin për shëndetësi moderne e integrime europiane, ndërkohë që kosovarët mbeten të vetmit qytetarë në Europë pa sigurime shëndetësore. Flasin për investime në arsim, ndërkohë që testi PISA na rendit në fund të pusit, shkollat janë të mbushura me militantë partiakë, universitete politike janë hapur gjithandej vendit e diploma pa vlerë shpërndahen pa pra.

Flasin për të ardhme të ndritur të fëmijëve, ndërkohë që vazhdojnë t’ua vjedhin atë, vazhdojnë t’ua shkatërrojnë mjedisin ku jetojnë. Flasin për vlera në kulturë, e i promovojnë e kultivojnë antivlerat. Flasin për zhvillim të bujqësisë, përderisa shpërndajnë miliona euro grante tek të vetët. Flasin për fonde zhvillimore, e më së shumti ndër vite janë zhvilluar “fondet” e hajnisë e korrupsionit.

* * *

E premtja është dita e fundit e premtimeve. Dita e fundit e rrenave të ambalazhuara bukur. Natyrisht, nuk është gjithçka zi. Janë kryer edhe disa punë të mira, sidomos në infrastrukturë. Punë që janë përcjellë edhe me dyshime për përfitime të majme nga ata që kanë “qëlluar” aty të japin tenderë e të fitojnë tenderë.

UBT

Por shumica e premtimeve nuk janë realizuar. Ato vazhdojnë të barten nga zgjedhjet në zgjedhje, e politikanët provojnë t’i bindin qytetarët se “kësaj radhe e kanë seriozisht”. Shumica e premtimeve kanë dalë të jenë mashtrime, karrem vetëm për të fituar vota, përdhosje e vullnetit të qytetarëve.

E premtja është dita e fundit kur do të dëgjohen premtime për luftimin e korrupsionit nga ata që e kanë kultivuar atë. Është dita e fundit kur do të dëgjohen premtime për punësim e zhvillim ekonomik, nga ata që me politikat e veta kanë shtyrë njerëzit ta braktisin vendin dhe e kanë

shkatërruar ekonominë. Është dita e fundit kur do të dëgjohen premtime për integimin europian, nga ata që kanë vepruar kundër vlerave europiane, që e kanë izoluar vendin. Është dita e fundit kur do të dëgjohen premtime për çkapjen e shtetit edhe nga ata që kanë kontribuar që shteti të kapet. Dita e fundit kur do të dëgjohen premtime për drejtësi e barazi nga ata që e kanë në dorë sistemin e drejtësisë, ndërkaq pabarazinë e kanë parim të qeverisjes. Dita e fundit kur dëgjohen premtime për shanse të barabarta për të gjithë edhe nga ata që i kanë shkelur këto parime duke u pasuruar e mos u ngopur në kurriz të qytetarëve të varfër.

* * *

Të premten është dita e fundit kur qytetarët ftohen që me votën e tyre ta bëjnë ndryshimin. Këtë thirrje e bëjnë edhe ata që ndryshim e konsiderojnë zëvendësimin e emrave të përveçëm, e jo fillimin e ndryshimit të mendësisë qeverisëse, fillimin e ndryshimit në sistemin e kapur nga politika.

Janë disa pyetje legjitime që qytetarët duhet t’ia shtrojnë vetes. A mund ta bëjnë ndryshimin ata që kanë kontribuar që ky ndryshim të mos ndodhë deri tash? A është ndryshim vetëm ndërrimi i figurave të konsumuara politike me të tjera më pak të tilla? Çka do të ndryshojë në jetën e secilit?

A do të mund të gjejë punë një i ri që diplomon, pa e siguruar paraprakisht një librezë partiake? A do të jetë i lirë sistemi i drejtësisë për të ndëshkuar të gjithë ata që kanë vjedhur e mashtruar? A do të jetë e mundur që sistemi i arsimit të vihet në binarë dhe të depolitizohet? A do të jetë e mundur që qytetari të sigurojë shërbime solide në spitale, pa pasur nevojë të kërkojë shpëtim jashtë vendit? A do të kenë punëtorët e sektorit privat të drejta sipas ligjit e të mos trajtohen si skllevër nga shefat e tyre? A do të sundojë rendi e ligji apo politika do të vazhdojë ta sundojë rendin e ligjin? A do të ketë transparencë e llogaridhënie për paranë publike. Dhe, më e rëndësishmja, a do të ketë liri? Liri për të vepruar si qytetarë të dinjitetshëm, në një vend normal.