Qemajl Mustafa: Opozita në Gjilan u zgjua vonë për “Bulevardin”, lotët e krokodilit nuk e ndalin projektin
Gjilan – Qemajl Mustafa ka kritikuar ashpër opozitën në Gjilan për reagimet e saj të vonuara lidhur me projektin e “Bulevardit të Qytetit”, duke vlerësuar se kundërshtimet e ngritura tani janë vetëm “lot krokodili” dhe dëshmi e mungesës së angazhimit institucional gjatë viteve kur projekti është diskutuar dhe planifikuar.
Në një reagim të gjatë publik, Mustafa ka thënë se projekti është paralajmëruar prej vitesh nga pushteti komunal dhe se subjektet opozitare kanë pasur kohë të mjaftueshme për të kërkuar transparencë, për të ngritur çështjen në Kuvendin Komunal dhe për të mobilizuar opinionin publik, nëse kanë pasur dyshime apo kundërshtime ndaj tij.
Sipas tij, reagimet që po bëhen tani, kur punimet tashmë kanë hyrë në fazën intensive të realizimit, janë të pakuptimta dhe tregojnë paaftësinë e opozitës për të ushtruar rolin e saj mbikëqyrës.
“Fjala pas kuvendi dhe pushka pas lufte nuk bëjnë punë”, ka theksuar Mustafa, duke pyetur publikisht se çfarë kanë bërë përfaqësuesit opozitarë në vitet e fundit për ta sqaruar projektin para qytetarëve dhe për të kërkuar llogaridhënie nga ekzekutivi komunal.
Ai ka ngritur një sërë pyetjesh për LDK-në, PDK-në dhe subjektet e tjera opozitare, duke kërkuar të dihet se cilat iniciativa konkrete kanë ndërmarrë për transparencën e projektit, çfarë presioni institucional kanë ushtruar ndaj pushtetit lokal dhe cilat janë rezultatet e angazhimit të tyre.
Mustafa ka vlerësuar se mungesa e dëshmive për veprim konkret e bën çdo reagim aktual një farsë politike, ndërsa ka akuzuar opozitën se po përpiqet të fitojë pikë politike pasi procesi tashmë ka avancuar.
Një pjesë e kritikave të tij është drejtuar edhe ndaj figurave të caktuara politike nga opozita, për të cilat ai ka thënë se gjatë periudhave kur kanë ushtruar pushtet kanë dëmtuar zhvillimin urban të qytetit, ndërsa sot paraqiten si mbrojtës të trashëgimisë dhe interesit publik.
Megjithatë, Mustafa ka theksuar se kritikat ndaj opozitës nuk e përjashtojnë përgjegjësinë e pushtetit aktual, duke shtuar se transparenca ndaj qytetarëve duhet të jetë e plotë për çdo projekt me rëndësi të madhe publike.
Ai ka përshëndetur reagimin e fundit të opozitës kundër iniciativës për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të tokës komunale, duke nënvizuar se prona publike nuk duhet të jepet pa analiza të detajuara, pa konkurrencë dhe pa transparencë të plotë.
Në fund, Mustafa ka theksuar se opozita duhet të jetë aktive gjatë gjithë kohës dhe jo vetëm kur projektet kanë hyrë në fazën e realizimit, duke shtuar se përgjegjësia për zhvillimet në Gjilan bie para së gjithash mbi pushtetin, por edhe mbi të gjithë aktorët politikë e shoqërorë që nuk kanë reaguar në kohë./rajonipress/


