Hidromorava

Një vepër për gjenealogjinë e familjeve Kadriu dhe Tahiri nga Zhegra e Gjilanit

/ 7 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Thonë, familja është e shenjtë. Dhe, vërtetë, ajo është e shenjtë! Ajo , si e tillë, duhet të respektohet dhe të vlerësohet nga të gjithë. Pse jo? Kur familja respektohet, aty ka rend e ka kuvend. Por, aty ka edhe traditë të mbarë, ku ruhen vlerat e familjes së shenjtë.

Andaj, tradita dhe historia e familjes nuk mund të ruhet ndryshe, pos me vlera të shënuara dokumentare. Sado që rrëfehet tradita dhe ngjarjet e një familjeje, ato do të ishin të pakta dhe të pa vlera, nëse ato nuk shënohen e hudhen në letër. Kur rrëfimet, ngjarjet dhe traditat e mira familjare hudhen me laps në letër, aty pushojnë fjalët. Tash flet dokumenti. Fjalët heshtin. Dhe, s’ka me shkrimin e dokumentuar!

Andaj, para pa kohe, tre autorë familjarë: Mehdi Kadriu, Sami Kadriu e Musi Kadriu, zhegras, kanë botuar monografinë e parë të këtij lloji me titull “Familja Kadriu e Tahiri (1800-2016)” nga Zhegra. Kjo monografi është shkruar nga vullneti dhe dëshira e autorëve që i takojnë familjeve në fjalë, të cilët, pa hezitim, ia kanë hyrë punës për të lënë një gjurmë të pashlyeshme në familjet e tyre. Kjo ka qenë dëshira e vetme dhe madhe e tyre ku kanë shtuar se, “kemi dashur që të njohim brezin e ri me të gjitha të dhënat burimore nga fushat e ndryshme jetësore, mbi punët e të arriturat të anëtarëve të familjes si në zhvillimin arsimor, kulturor e sportiv, që kanë arritur brez pas brezi, Zeqirovitët që më vonë kanë marrë mbiemrin, Kadriu dhe Tahiri”(f.5).

Pra, autorët e kësaj vepre shtojnë edhë këtë se, “… është njëra ndër familjet më të mëdha (numerikisht) dhe më në zë dhe me autoritet e këtij fshati që është njëri ndër fshatrat më të mëdha të komunës së Gjilanit”(f.5). Duke vlerësuar këtë “gjendje” se është familja më autoritative në këtë lokalitet, autorët e veprës ia kanë hyrë punës për ta ndriçuar këtë fakt me të vetmin qëllim për ta ndriçuar zanafillën apo trungun e hershëm familjar që në një kohë dhe tash e kanë pasur synim për të shkruar, në mënyrë që të mos harrohen ngjarjet, njerëzit, gjeneratat, të cilat po vijnë pas tyre.

Shkrimi i këtyre monografive është i një rëndësie të madhe jo vetëm për familjet e një trungu, por është me rëndësi edhe për rrethin ku jeton dhe bashkëvepron. Të tilla shkrime dokumentare si shkruara mund t’i qëndrojë kohës. Më mirë të shkruhet një vepër e tillë, se sa të mos shkruhet asnjë fjalë.

Njerëzit që posedojnë kulturë e dije, këto “sende” i bëjnë për të mirën e familjeve të tyre. Ata sikur e kryejnë një borxh në jetë, sepse, jeta është një vazhdimësi që nuk ndalet, ndërsa njerëzit vijnë e shkojnë, janë të përkohshëm.

Sipas autorëve të veprës në fjalë, kjo familje njihet nga fillimi i shekullit të XIX-të apo diku rreth 200 viteve më parë. Në fillim autorët shtojnë pak fjalë për historikun e fshatit Zhegër, Malësia e Karadakut. Ky fshat, si pas autorëve, ka një histori të gjatë si vendbanim. Zhegra, si fshat apo lokalitet, gjendet në Grykën e Karadakut e rrethuar me kodra, male e fusha pjellore. Fshati është si vendbanim i tipi të grumbulluar. Ka një sipërfaqe prej 2.327 ari e 89 m. Këtë lokalitet të kësaj Malësie e përbëjnë lagjet, si janë: Gërgjolltë, Shabajt, Demajt,
Goshnjantë, Petliqt, Pecolltë, Arrnort, Jesiqtë, Bellovtë, Doshlakt si dhe familjet e ardhura të kësaj ane: Serfer, Shurdhan, Muçibabë, Pidiq, Selishtë, Nasalë, Kurexhaj etj.

Fundamenti

Autorët e kësaj monografie flasin për shumë aspekte të jetës të qytetarëve të këtij lokaliteti. Flasin për mikro-toponiminë, mandej flasin për familjet e ngushta të tyre duke i zënë në fjalë me emra e mbiemra.

Bie fjala, familja Zeqiri, e cila, siç thuhet, daton nga vitet e para të shekullit 19-të, të cilën njihet me emrin Zeqiri. Autorët e monografisë e zbërthejnë këtë “lindje” të kësaj familje të tyre dhe mundohen që të partë e tyre të kenë data të lindjes, të vdekjes dhe shënime të tjera.

Ajo që është e çmuar e këtyre punëve të autorëve është fakti se, monografia është e plotësuar me fotografi, të cilat ia hijeshojnë formën dhe aspektin dokumentar, njëherit e bëjnë veprën më të ilustruar dhe më të kapshëm si vepër publicistike- dokumentare. Nuk ka faqe të monografisë që nuk ka fotografi për të ilustruar tekstin. Kur është fjala tek fotografitë, ato diku janë të bukura dhe kanë faktin e shënimit të kohës, se janë të vjetra dhe dëshmojnë, por diku, këto fotografi, nuk dalin ashtu si do të duhej të ishin të pastërta, në të kundërtën, ato janë pak të “deformuara” e të zbehta.

Autorët janë munduar që familjeve të tyre t’ua lënë një dokumentar me disa shënime historiografike. Këtu gjejmë shumë emra të familjarëve, të cilët kanë kryer shkolla, janë martuar, vendet ku gjenden e shumë të tjera. Autorët kanë merita, sepse, të shkruash një vepër të tillë, jo vetëm që kërkon përkushtim, vjelje të materies në fjalë, por është një punë e vështirë dhe me përgjegjësi. Por, ja vullneti dhe dëshira për ta ndriçuar një të kaluar të hidhur të familjes së tyre, e cila, me këtë dokumentar, ka kurorëzuar një vepër madhore për familjen dhe pjesëtarët e tyre kuqo që veprojnë.

Edhe populli e thotë fjalën: Më mirë vonë, se kurrë!” Në monografinë “Familja Kadriu dhe Tahiri” autorët në fjalë nuk i kanë anashkaluar me dhjetëra emra të familjes së tyre që kanë ecur përpara me shkollim dhe sot janë shembull në jetë. Nga këto familje kanë dalë shumë shkollarë të dalluar, mësues, arsimtarë, doktorë, edukatore, ekonomistë, profesorë e profesione të tjera në jetë.

Në monografi, autorët kanë bërë fjalë edhe për luftën e fundit 1999, e cila luftë, ka dëmtuar jo vetëm në njerëz, por edhe ekonomitë e tyre familjare. Këtu autorët e kësaj vepre kanë dokumentuar foto të shtëpive të djegura e të dëmtuara nga barbaria serbe. Mandej, në këtë vepër bëhet fjalë edhe për dhunën e regjimit serb, i cili, ato vite të rënda, ua mbylli të rinjve shkollën e këtij lokaliteti, të cilët, mësimet i vazhduan në ashtuquajtura “Shtëpi- shkollë”. Në këtë lokalitet të kësaj Malësie pati edhe vrasje e dhunë të paparë nga regjimi i egër e barbarë serb.

Pra, monografia në fjalë, është një dokumentar i rëndësishëm për familjarët, por është i rëndësishëm edhe për lexuesit tjerë të këtij lokalitetit, sepse, është monografia e parë e kësaj ane të këtij lokaliteti më të madh të Malësisë së Karadakut të Gjilanit. Monografia në fjalë ka 177 faqe dhe 354 fotografi për ilustrim të teksteve./tefik selimi/rajonipress/