Mobi Casa

Një vepër në prozë e rrëfyer në formë ditari…

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Libri i Ilaz Jasharit “Jeta e ka rrugën e saj” po e sheh dritën e botimit pas një kohe jo aq të largët, por edhe jo aq të afërme, në kohën kur autori gjendet në pension. Pra, kjo kohë “tjetër” e tij, sikur e ka kthyer autorin në retrospektivë të rrëfejë të gjitha ato rrjedha të papritura të kohës së përjetuar.

Pse jo? Ai, ditë më parë botoi veprën e parë të tij në prozë, e cila ngërthen në vete një materie interesante për kohën e kaluar, por edhe për kohën sot. Autori në këtë vepër ngjarjet i ka rrëfyer duke mos i lënë në harresë kohe, ndonëse ai është në moshën e shtyrë jete.

Duke lexuar veprën në fjalë, na është ngulmuar përshtypja se ngjarjet, që i ka përshkruar autori, janë rrëfime interesante dhe fort të përjetuara e reale të një kohe jo aq të largët. Ilaz Jashari, si i ri, duke punuar e jetuar si mësues në vendlindjen e tij, por edhe në shume mese tjera, sikur i ka lindur dëshira dhe motivi që këtë kohë të kaluar ta rrëfejë e ta ringjallë në një formë shkrimi autentik e dokumentar.

Kjo ka qenë motivi dhe dëshira e tij për ta shkruar një prozë të zhanrit dokumentar me një stil të tij të qartë dhe shumë joshës për të gjithë lexuesit. Ai si mësues i popullit e me një përvoje të gjatë, që ka punuar në shumë vende me ditar në dorë në Rrethin e Gjilanit, nuk hezitoi që këtë “jetë” të tijën ta rrëfejë në mënyrën e tij autentike për të mos mbetur e kaluara pa shenja e pa gjurmë të asaj kohe të rëndë të një pjese të popullit të Malësisë së Kardakut.

Siç vërehet në vepër, populli i kësaj ane të Karadakut ka pësuar shumë nga të huajt. Por, falë rezistencës së njerëzve të mençur të kësaj ane, si: Ramiz Cërnica, Bejtë Bekteshi, Hasan Alia, Fazli Haxha e disa figura të tjera shqiptare, asnjëherë popullata nuk është gjunjëzuar para armikut të kohës, por përherë ka bërë rezistencë për ta ruajtur njëri-tjetrin nga më e keqja e këtyre viteve të rënda jete.

Në anën tjetër, popullata e kësaj ane ka bërë përpjekje të vazhdueshme edhe në përhapjen e dritës së diturisë tek shkollarët e vegjël shqiptarë. Atë kohë, mësuesi Ilaz ishte një përkushtues i madh i punës me ditar në dorë ku punoi mbi 40-vjet të shenjta e të arta të punës së tij. Kjo punë e tij disa herë është shpërblyer nga populli, por ai kësaj here, me plot vullnet, sikur i lindi dëshira që në këtë moshë të shtyrë të lë një dokumentar në formë ditari, duke paraqitur jetën e tij të kaluar e të rrëfyer ashtu si ishte me të gjitha rrjedhat e kohës të viteve 1944 e gjer në shpalljen e Pavarësinë së Kosovës, 2008.

Kjo kohë e rrëfyer në veprën e I. Jasharit është me shumë ngjarje, me shumë të papritura jete, por edhe me shumë personazhe, të cilat janë më tepër reale dhe të vërtetë, ku, aty-këtu, disa prej tyre në roman autori i emëron me disa emra të tjerë, për faktin se nuk donë që t`i merr nëpër gojë, si thotë populli. Edhe ato personazhe të kësaj kohe, kanë qenë personazhe që vepruan dhe ndihmuan njëri tjetrin për të mos rënë në kthetrat e armikut bullgar, e më vonë edhe armiqve të tjerë serbë.

Siç dihet, autori i librit Ilaz Jashari me veprën e tij “Jeta e ka rrugën saj” është treguar një kronikan i rrëfimit të ngjarjeve të shumta që kanë ndodhur nëpër shumë fshatra të Karadakut, ku, kjo popullatë ka pësuar shumë dhe rëndë, madje edhe me vdekje. Romani është një histori e gjallë e jetës së kësaj kohe.

Veprra nis me një histori të fshatit Noset, me disa emra të këtij lokaliteti, të cilët u gjenden përballë vështirësive të kohës dhe e ndihmuan popullin duke mos pësuar aq keq. Po ashtu në vepër flitet për Brigadën e XVII partizane, e cila pati qëllim të parë likuidimin e një masës së gjerë të fshatarëve të kësaj ane, me të vetmin qëllim, që të pakësohet numri i shqipfolësve.

Mandej, autori flet për koçakun e fundit të kësaj ane, Hasan Alinë, për likuidimet e krerëve shqiptarë, por flet edhe për shumë figura të mëdha të kësaj ane, të cilat, me mençurinë e tyre, e kanë shpëtuar popullin shqiptar nga lakejt e huaj barbarë.

Eco Higjiena

Në libër rrëfehet puna dhe angazhimi i Ramiz Cërnicës, një figurë e madhe e kombit, i cili, atë kohë ishte kryetar i komunës së Parteshit. Ai e ruajti popullin shqiptar. Një emër që meriton të mos harrohet kurrë në historinë e popullit.

Mandej, flet për Fazli Haxhën, njeriun që ka kontribuar mjaft në mbrojtjen e popullatës së kësaj ane të Karadakut. Po ashtu, autori flet për kohën e Aleksandër Rankoviqi, i cili bëri plane për asgjësimin e masës shqiptare me anë të formave më brutale të dhunës barbare serbe. Në prozën e tij flitet për shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore; për demonstratat e studentëve të vitit 1968; flitet për tifonë, një sëmundje e rëndë, e cila i merrte njerëzit nga jeta e rëndë e tyre.

Po ashtu, autori flet për ndërtimin e shkollës në fshatin Noset, për OZN-n, marrëveshjen serbo-turke të vitit 1954, ku qeveria serbe bëri marrëveshje për shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, që është një kohë e dhimbshme dhe shumë dramatike e një kohe.

Autori, I. Jashari flet për kohën e Sigurimit Shtetëror, ai i cili i ftonte njerëzit më të mirë të popullit në biseda informative dhe i dënonte me burg. Në veprën e autorit bëhet fjalë për Sinan Hasanin, Veli Devën, Fadil Haxhën, aksionin e armëve, Bejtë Bekteshin, që ishte një figurë e dalluar e popullit, por autori flet për shkollën e parë shqipe 1945-1946, për mësuesin Gani Dalipin, për ndryshimet Kushtetuese, për Kushtetutën e vitit 1974, kohën e Sllobodan Millosheviqit e ngjarje të tjera të kësaj kohe.

Gati të gjitha personazhet, që bashkëveprojnë në veprën e tij, janë njerëz të një kohe, të cilët autori i ka njohur dhe i ka ditur për ti paraqitur në veprën e tij. Ilaz Jashari i ka rrëfyer ngjarjet lehtë, sa ia fillon nga ditët e para të aksioneve vullnetare të fshatarëve të tij, të cilët, për mungesë të shkollës, grinden në mes vete, sepse nuk ia din vlerën arsimit shqip.

Por, këtu kishte gisht politika serbomadhe, e cila nuk e ka dashur hapjen e shkollave shqipe. Dhe, vjen koha dhe vetë autori, me vendasësit e tij, organizon aksionin e parë vullnetar me të rinjtë e fshatit dhe ndërtojnë shkollën e tyre, ku fillon për herë të parë rrugëtimi i arsimit shqip.

Më në fund, vepra e Ilaz Jasharit është një dokumentar i romanizuar në stilin prozaik, i cili flet dhe paraqet shumë ngjarjeve të njëpasnjëshme të një kohe të rëndë të popullit tonë shqiptar të anës së Karadakut jetik të Idriz Seferit.

Lexuesi do të vërejë në vepër shumë ngjarje që përcillen me data, kohë, emra të personazheve reale, ngjarje këto që autori e sjell tek koha, pra koha sotme, e cila u kurorëzua me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Pra, vepra flet për sakrificën e popullit shqiptar për ta fituar lirinë e shtrenjtë e shumë të pritur. Është një vepër në prozë që të lë mbresa të thella për të njohur të kaluarën tonë të përvuajtshme nëpër të cilën ka kaluar populli ynë shqiptar. /Tefik Selimi/rajonipress/