Një vepër me tregime që pëlqehen dhe janë me interes për të vegjlit
Gjilan – Kësaj here, Hetem Arifi, autor nga Gjilani, na vjen me vepër e tetë me tregime “Përroi i Kanjushës” (2016). Kjo vepër ka 16 tregime (rrëfime) për fëmijë. Është vepër që pëlqehet nga e të vegjlit, sepse, aty ka rrëfime interesante për të kaluarën e popullit tonë, por ka edhe rrëfime të jetës së autorit e të tjera.
Andaj, ditë më parë, ky autori botoi veprën “Përroi i kanjushës”, një vepër e këndshme për lexuesit e vegjël e të moshave rinore. Siç dihet, autori, Hetem Arifi, krijues, në një kohë ka pësuar nga regjimi serb, i cili regjim barbar e ka përcjellë hap pas hapi punën e tij. Ky arsimdashës i vyer i shkollës shqipe, disa herë ka qenë i burgosur dhe i torturuar nga policia serbe. Në këtë vepër tregimtare të tij flitet apo rrëfehet jeta e kaluar e popullit shqiptar, i cili, siç dihet, gjer në mbijetesën e tij, ka vuajtur të zitë e ullirit.
Regjimi serb, popullin shqiptar nuk e ka dashur dhe, ai është munduar në çdo formë më perfide ta zhdukin nga faqja e dheut. Por, popullit ynë shqiptar, edhe në kohët e luftërave të shumta me regjimin në fjalë, asnjëherë nuk ka hequr dorë nga liria e tij e plotë. Kjo luftë është rrëfyer jo vetëm nga Hetem Arifi, krijues gjilanas, por është rrëfyer edhe nga dhjetëra e qindra autorë të tjerë shqiptarë.
Pra, lufta për liri, gjithmonë ka qenë temë e zjarrtë tek disa autorë tanë. Në veprën “Përroi i kanjushës” të Hetem Arifit gjejmë këtë tematikë të luftës apo të mbijetesë së popullit për liri e pavarësi. Bie fjala, tregimi i parë i veprës “Neca e pat mirë”, autori i kthehet jetës së përvuajtshme të njerëzve, të cilët, asnjëherë nuk e kanë harruar atë kohë të rëndë e të dhimbshme, por gjithnjë e ka përfolur duke thënë “Kurrë se kemi ngopur barkun me bukë” (f.5). ra, këtu bëhet fjalë për shtetin serb, ai i cili ushtroi dhunë më të ndryshme ndaj popullatës shqiptare. Ky regjim shovinist, popullatës shqiptare ia mori edhe bukën në magje. Në tregimin e parë nis dialogu në mes prindërit dhe djalit. Djali e pyet babën: “Babë, më mirë i vdekur, se pa shkollë”. Këto mesazhe i tingëllojnë jo mirë e drejtë djalit shkollar, se hoxha, sipas prindërit të tij, – po jep mesazhe të tjera se, mësimi i hoxhës ishte mëkat i madh dërgimi i fëmijëve në shkolla. Por, fëmija nuk e dëgjon prindin dhe vazhdon shkollën.
Një ditë i thotë prindit të tij, njeriu me shkollë, vlen sa një mijë të tjerë pa shkollë. Hoxha i kishte thënë prindërit të djalit se, “Ti po e çon djalin në shkollë e ai ka për të mbetur as qen as zagar”! Dialogu zhvillohet. Djali reagon dhe u thotë: “Unë e dijë se çka thotë “Kurani” se, “një njeri i shkolluar vlenë sa një mijë të pashkolluar”. Pra, atë kohë edhe feja ka ndikuar tek familjet shqiptare që të mos shkollohen, sepse, të rinjtë mbesin pa dinë e imanë. Ky tregim është një mesazh i mirë se, pa shkollë, s’ka jetë. Shkolla është dija e parë e njerëzimit.
Në tregimin “Te përroi i Kanjushës”, autori Hetem Arifi ndalet ta paraqes dashurinë e dy të rinjve. Personazhe të këtij tregimi janë: Dija dhe Neca. Dashuria e tyre është e zjarrtë, por me pengesa. Tek dy të rinjtë i bëjnë takimet te Përroi i Kanjushës. Aty ishte vendi i takimit tyre. Kur i qonin delet për të kullotur, ata mezi pritnin të takohen. Por, një gjë i pengonte se, ishin të rinj dhe ngurronin njëri tjetrit t’ia thonin fjalë se janë të dashuruar. Më në fund, ata dashurohen. Dashuria e tyre përfolet. Si është e mundur që kjo të realizohet? Të rinjtë ia japin besën njëri tjetrit. Asnjëri gjer në vdekje nuk do ta tradhtojnë. Neca ishte i ardhur nga Bungajt, ndërsa e dashura e tij, Dija, ishte e ardhur nga Molla e Kuqe.
Më në fund, Dija i thotë Nices, nëse na dalin pengesa, dije se unë e mbys vetën “e nuk e marrë dikë tjetër për burrë”(f.18). Ia kishin dhënë besën njëri tjetrit te Përroi i Kanjushës. Këta dy të rinj e vazhduan jetën, e Përroi i Kanjushës mbeti krenar për besën e dhënë e të mbajtur. Ata u bashkuan. Ky tregim përkon me këngën popullore “Hasan Aga” e ndonjë tjetër.
Është me interes se, ky autori, në disa tregime të tij, subjektet i merr nga Malësia e Karadakut. Dihet, kjo anë ka pasur “zhvillime”më të ndryshme në një kohe të perënduar. Në tregimin “Kodra e Luleve”, autori rrëfen për një vend ku tregtarët preshevarë pushojnë në këtë vend që është çeltinë. Vend ku ka lule, bari e asnjë bimë tjetër. Aty, në çeltinë, nuk rriten as therrat. Bëhet fjalë për Xha Ukën, i cili e di për emrin e Kodrës ë Luleve. Ai, si i moshuar, të rinjve u rrëfen pse e ka marrë këtë emër.
Sipas Kanunit të Lekës, krejt padrejtësitë e popullit janë zgjidhur sipas këtij ligji. Xha Uka, si plak, u shton të rinjve se, shqiptarët kanë dy fe, të cilat, disa prej shqiptarëve këto fe i keqpërdorin. Pra, lindin problemet, sidomos rreth martesës së të rinjve. Këtu, në tregimin në fjalë, bëhet fjalë për Shpendin, një djalë që i përkiste fesë islame. Ai ishte i dashuruar në vajzën e Rronit, Edlirrën e fesë katolike. Dashuria e tyre kishte qenë e mëshehur nga prindërit. Por, të rinjtë ia kishin dhënë besën njëri tjetrit se kurrë në jetë nuk do të ndahen. Kundërshtimi qe i madh jo vetëm nga prindërit, por edhe nga masa popullore. Të rinjtë vendosin jetën e tyre të pandarë, madje edhe me vdekje.
Në tregim citohet Fishta, kur ka shtuar: “Ne shqiptarët festojmë Bajram e Pashk, por Shqipërinë e kemi bashkë”. Në tregim thuhet se, edhe Zoti ka thënë “fenë zgjidhe vetë”. Të rinjtë, shumë dëshpërohen. Vendosin të largohen nga shtëpia e të shkojnë në mal të shpeshtë me drunj. Te dy vendosin të mos ndahen nga njëri tjetri gjer në vdekje. Dhe, ashtu bënë. Qëndruan në mal te Kodra e Luleve gjer sa i dhanë fund jetës së tyre. Kur i gjejnë këta dy të rinj, ata ishin ngjitur në mes vete, sa askush nuk mundi ti ndajë. I varrosen ashtu të bashkuar. Aty, mbi varrin e të rinjve mbollën trëndafile të bardhë e të kuq.
Pra, autori e ka trajtuar këtë temë se, dashuria nuk njeh kufinj. Ajo s’duhet të pengohet. Në veprën e autori janë edhe disa tregime që kanë mesazhe të mira, të cilat ia vlejnë të lexohen e të vlerësohen. Tregimet të tilla të autorit janë “Lavdi”, “Qoftë e harruar ajo kohë”, “Takimi i dhimbshëm”, “Një laps nga Zvicra” etj.
Por, të shtojmë se, ka tregime që nuk janë aq në nivel artistik, për faktin se atyre u mungon rrëfimi apo përjetimi artistik nga krijuesi. Të tilla tregime janë “Biseda me detin”, Rëndë shumë rëndë përjetuam kurbetin” e ndonjë tjetër. Pse e themi këtë? Dihet: tregimi nuk është informacion. Ai është narracion i buruar nga talenti i autorit, i cili syzheun e “rrëfen” me fjalë e fjali paksa emocionale dhe të shkurtëra. Ja psh. Te tregim i autorit, i cili nuk është rrëfim artistik, kur shton: ‘”Kah vitet e 70, Enti për Inkuadrim, filloi për t’i dërguar, kryesisht të rinjtë, në punë të “përkoshme” jashtë atdheut, siç thonë ata. Atëherë, udhëheqësia lokale, ishte gati e gjitha me serbet.
Ky lloj punësimi ishte me dy teha”(f.52) etj., etj. Ky tekst nuk është tregim, por tekst informativ apo gazetaresk.
Megjithatë, libri në fjalë ia vlen të lexohet dhe ka disa tregime apo rrëfime që e kanë shijen e artit. Aty, lexuesi gjen ngjarje dhe nga këto “ngjarje-histori”, ai merr mesazhe të forta të asaj kohe, të cilën i ka rrëfyer autori në fjalë. Vepra “Përroi i Kanjushës” i ka 71 faqe. Është vepër e ilustruar nga disa piktorë tanë. E botoi Shtëpia Botues “Kurora”, në Gjilan, 2016./tefik selimi/rajonipress/


