ARKATANA

Një vepër me poezi të larmishme për dallgët e jetës sonë

/ 11 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Thonë, poetët janë qenie shumë interesante në jetë. Ata e shohin botën më shumë se të gjithë të tjerët. Ata dhe vetë ata janë pjesa më e ndjeshme e popullit. Pse jo? Çdo dhimbë të popullit, ata e shpërfaqin hapur me anë të krijimeve të tyre letrare e artistike. Andaj, s’ka me artin e bukur, poezinë. Ajo është mbretëresha e artit poetik. Me poezi e jetuan jetën, si: Lasgushi, Migjeni, Bajroni, Zerembe e shumë të tjerë. Edhe Shefik Arifi, 43-vjeçar nga fshati Zarbincë, sapo ka hyrë në botën e arti. Ai me veprën e parë të tij “Dallgët e jetës”, po shënon një hap të guximshëm në rrugën e quajtur – art poetik. Ky poet, kësaj herë po del para lexuesve me veprën në fjalë, e cila vepër ngërthen në vete tema e motive të ndryshme nga jeta jonë. Ajo që na lë përshtypjen e parë është fakti se, poezia e veprës “Dallgët e jetës” është e temave te vuajtjeve tona. Por, ajo aty-këtu na del edhe vepër protestuese e revoltuese.

Krejt këto “gjëra” janë përjetime të thella të poetit, i cili në këtë vepër poetike i ka shpërfaqur para lexuesve me gjuhën artistike. Është kjo një poezi e tij reale, por edhe e sinqertë, e frymëzuar nga jeta e rëndë e kaluar në fshat. Kur flitet për këtë poezi, s’ka se si t’mos të thuhet se ajo diku-diku këndohet si një lloj kënge popullore. Pra, Shefik Arifi, kriujes, e ka të njohur thesarin popullor, nga i cili ka edhe një “prekje”, e cila nuk e dëmton poezinë, përkundrazi, por e bën edhe më të fuqishme me muzikalitet, me shijen dhe me ritëm që posedon.

Bie fjala, poezia “Dashuria”, ajo ka një koncept abstrakt, por ka shije poetike. Poeti, shton: “Dashurin e hedhin për dhe/ Ajo prapë ngrihet si rrufe/ E zhytin thellë në llum/ Ajo fluturon prapë si pëllumb”. Kjo është madhështia e dashurisë, e cila ngrihet dhe prapë vjen si pëllumb i shkruar.

Tek vepra e “Dallgët e jetës” të Sh. Arifit, gjejmë poezi me motiv shoqëror e motive të tjera. Dihet, populli ynë, në një kohë të hershme, ka vuajtur shumë. Ai përherë ka bërë jetë skamnore. E populli shton se, skamja është derë e hekurit. Edhe poeti i ka kënduar kësaj “gjendje” me titull “Varfëria derë e hekurit”. Është kjo një poezi që e “rrëfen” skamjen e familjeve shqiptare. Poeti shton: “I ka vrarë jeta si mos më keq/ E tërë familja ndanë dy kuleq/ Prindërit të uritur ikin në shtrat/ Që fëmijëve t’ua lën ndonjë kafshatë”.

Por, aty vërejmë revoltën e prindërit të fëmijëve, të cilën nuk duan të dalin në rrugë e të kërkojnë, por: “Dua punë po ku të punoj/ E as nuk pres mëshirë i shtrirë/ Thjesht dua një jetë pak më të mirë”. Ky njeri i varfër kërkon mbështetje për pak lëmoshë, se varfëria e ka kapluar dhe jeta e bën të vetën. Por, edhe fëmijët duhet rritur, por jo si shton autori “me mish, por me groshë”.

Autori i veprës, Sh. Arifi e ka përjetuar jetën, të cilën, sot, ai e përkujton me nostalgji. Ai thotë se ato net ishin “netët e arta”, kur dashuritë janë të zjarrta. Pra, paraqet zjarrin e tij ndaj dashurisë në kohën e rinisë. Vjen në shprehja se, s’ka njeri, pa dashuri. Por, ajo kohë, për poetin, është kohë e kaluar. Tash është tjetër kohë, kohë kur “ka ndryshuar e gjithë bota”.

Një vend të merituar në veprën e autorit zë vend motivi i dashurisë. Andaj, në poezinë “Përse rri e mërzitur”, autori i veprës shpërfaq dashurinë e tij të parë, e cila i duket se Ajo i është larguar dhe “rri e zbehur”, apo “flokët fare si ke krehur”. Ky është portreti i të dashurës së tij, ku tash ai brengoset se mos dikush ia ka thyer zemrën. Poeti, shton: “më mungon buzëqeshja jote/ që më shoqëron për mote”. Apo i drejtohet asaj: “Ti e dinë e dashur/ se sa shumë të kam dashur…” Kjo poezi ta përkujton poezinë e Zef Sefembes, “Më të bukurës në Strigar” etj.

Po ashtu, edhe poezia “Ma vrave dashurinë”, në vete ngërthen zhgënjimin e një ëndrre të poetit, i cili ka dashur që përherë e dashuria e tij të jetë e lumtur. Por, ajo me fjalë të bukura e ka mashtruar poetin, ku i thotë “më zhyte në një moçal të vështirë”. Është motiv dashurie, por një dashuri e heshtur dhe e “vrarë”, e cila, poetin e ka mbuluar një lloj trishtimi (ëndrre), ku poeti do të donte që ajo heshtje të ishte vetëm një ëndërr.

Përkundër kësaj dileme, poeti ka optimizëm. Optimizmi i tij nuk hiqet nga zemra. Ai tash ndërron “gjendjen” e tij shpirtërore. Kështu, në poezinë “Le të duam”, ai është për një dashuri të sinqertë, reale, të zjarrtë… dhe, shton: “Në këtë jetë ka vend për dashuri/ Tek unë, tek ti dhe çdo njeri/ Nuk jemi asnjë zemër hekur/ Dashuria shuhet kur kemi vdekur”. Pra, tek autori ekziston optimizmi për dashuri, sepse, kjo jetë kalon dhe duhet dashur sa njeriu të jetojë. Ai shton: “Le të duam sa nuk jemi tretur/ Për aq kohë sa na ka mbetur/ Dashuria le t’na shoqërojë në jetë”.

HW

Tek poezia “Takimi i parë” poeti na rrëfen për takimin e tij të parë. Ky takim është i freskët, si “si bora e bardhë”. Pra, një takim i sinqertë dhe pa lajka e trillime. Ai shton: “Trupi im është plotë aromë/ Shpirt e zemër ti dhuron/ Ç`mos do bëj që të zgjatet jeta/ Nga nektari im të jetosh si bleta”.

Mërgimi është tema kryesore në veprën “Dallgët e jetës”, të Sh. Arifi, poet. Bie fjala, tek kjo poezi, ku Zogu është vetë poeti, i cili e jeton jetën larg familjes. Ai shton: “I rash botës anë e kënd/ Që nga lindja në perëndim/ Mu dukë vetja si pa mënd/ Pse ika nga vendi im?!” Kjo poezi është sa poetike, po aq është me tone të dhimbshme. Poetike, se poezia ka art që ta pushton shpirtin, dhe, e dhimbshme, është se, aty flitet e rrëfehet jeta e mërgimtarit, i cili e merr malli jo vetëm për familjen, por edhe për gurët e therrat e vendlindjes. Kjo jetë e ka syrin e njeriut të pangishëm. Andaj, autori shton: “Bota është shumë lajkatare/ Të premton plot hambare/ Nuk gjen tjetër përpos halle/ Trupit dhimbjet i shtohen si male”.

Edhe tek poezia “Ngelem pa gjurmë varri”, poeti qan e rrënkon për vendlindjen, sepse, duke punuar larg familjes, i ka harruar njerëzit e saj, të cilët mbesin edhe pa gjurmë varri. Poeti ia thotë vargjeve, si: “Ish mërzit mali për malin/ E pret vendlindja birin e tij/ Ashtu si mërzitet nëna për djalin/ Mirësevjen birë në shtëpi”! Pse jo? Vendi i huaj është i huaj dhe s’bëhet yni. Poeti përsëri shton: “Vendi huaj s’bëhet kurrë i joti/ Në mërgim mallin se shuajmë/ Kështu ka qenë mot pas moti/ Këtu dhimbjen në shpirt e vuajmë”. Apo: “Nëpër botë bredh mërgimtari/ Në dhe të huaj ngelet pa gur varri/ Vendlindje të qofsha falë/ Te kam nënë e më ke djalë”! Kjo tingëllon bukur, por edhe dhembshëm. Është kjo kohë tragjike.

Edhe tek poezia “Biri nënës” poeti shpërfaq dashurinë e nënës, e cila, kur i largohet biri në mërgim, ajo shton se, djali i saj shpejt iku në mërgim, por lotët i mbetën të patharë. Andaj, poeti shton: “Po ti u rrite shpejt e ike në mërgim/ U ndamë me shumë lot e hidherim/ Tani kam ngelur vetëm në trishtim/ E lodhur nga hallet rënkon shpirti im”. Ose: “Më ka marrë malli për fytyrën tënde/ Që ta përkëdhel në çdo ëndërr/ Kur do vish, o biri im?/ Kthehu nga i ziu mërgim”. Kjo është skenë sa trishtuese, po aq e dhimbshme. Nëna e pret djalin që të kthehet e ta shoh edhe njëherë, si shton ajo: “Të të shoh edhe një herë e pastaj le të vdes”.

Tek poezia “Mërgimtarët”, poeti Sh. Arifi e qan hallin se si janë shpërndarë nëpër botë. Kjo poezi na përkujton poezinë ”O moj Shqipëri” të Vaso Pashës. Tek ky poet shohim këngëtimin e tij në stilin e poetit në fjalë. Ja si shton autori: “Jemi shpërndarë nga çdo anë/ Si zogjtë e korbave nëpër botë/ A s’të vjen turp o vendi im/ Që as njëherë s’na mblodhe dot?/ Dikur ke qenë një zonjë e rrallë/ (kupto: Shqipëria), E sot ke ngelur rrenjëdalë/ Ishe si klloçka me zogjtë rrotull/ Tani të shpërndarë pa vend e vatër!/ Kemi lënë nënat me duar në gji/ Luten kthehuni o fëmijët e mi/ Kthehuni në vendin ku keni lind/ Ejani gjallëroni ju prap shtëpitë/ Që të kthehem në timen vatër/ Edhe bukë e kripë në vendin tim/ Do jetë më e ëmbël se mjalti në mërgim”! Me këtë motiv, autori ka edhe disa të tjera.

Por, në veprën “Dallgët e jetës” të autorit në fjalë, hasim edhe poezi rebeluese. Poeti, në poezinë e tij “Zgjohu shoqëri”, ai donë ndryshime në jetë. Kjo poezi “preket” tek arti migjenian, kur poeti e do një zgjim tjetër, sepse kishte ardhur koha që populli të zgjohet për të pasur ndryshime jete. Pra, poeti e sjell një gjendje që të ketë zjarrmi dhe e fton shoqërinë të zgjohet nga dehja. Ai shton: “Zgjohu shoqëri nga dehja zgjohu/ Nga dehja e kënaqësive ku ke hyrë/ Zgjohu nga ëndrrat e gënjeshtërta/ Që të mbajnë lidhur me zinxhirë/ Dalë e bërtas kudo se ka një shpresë/ Nuk dua që kjo shoqëri të vdesë/ Zemra e tyre i mbyll portat me dryrë/ E nuk lejojnë që drita tek ata të hyjë”.

Në veprën “Dallgët e jetës”, autori i këndon qytetit Beratit, lashtësisë së tij. Por, ai i këndon edhe Çamërisë”, të cilin vend e quan Jerusalemi im. Ai këndon: “Çamëri, o qiell me yje/ Si një tempull bukurie/ Ku kam farë e ku kam fis/ Atje i kam rrënjët si një lis/ S’gjej qetësi mbi ketë dhe/ Gjersa ti e lirë nuk je/ Sa të jesh ti në robëri/ Jerusalemi im, o Çamëri!” Kjo është një poetikë e rrallë e poetit, e cila gjakon me të qenunut tonë si etnos.

Autori, Shefik Arifi ka shkruar edhe për qytetin shqiptar, Korçën, të cilën poeti e quan qytet i Shkronjave. Ky qytet ka mbetur në histori. Dhe, historia e tij njihet me hapjen e shkollës së parë shqipe. E poeti Sh. Arifi, ne poezinë “Korça ime”, ai bukur këndon: “Qyteti i mikpritjes dhe bujarisë/ I grave nikoqire dhe pastërtisë/ Korça ime simbol i bukurisë/ Qëndron si kurorë mbi kokën e Shqipërisë”. Por, poeti i veprës në fjalë nuk e harroi as Kosovën, ku ai këndon, por ngre zërin e protestës, e këngës ia thotë: “Edhe pse i zhgënjyer e zemër thyer/ Edhe pse larg nëpër shtegtime/ Askund tjetër veç te ti Kosovë/ Do të mbetët zemra ime”.

Vepra “Dallgët e jetës” e Shefik Arifit është vepër poetike që ka vlera të rralla e të rëndësishme artistike e letrare. Ajo është një tufë poezish të këndshme dhe joshëse për lexuesit tanë. /tefik selimi/rajonipress/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.