Eko Higjiena

Një vepër me poezi të këndshme lirike

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Gjilan – Ditë më parë, Daut Maliqi, krijues nga Busavata, botoi veprën e radhës me poezi me titull”Kullat e krenarisë”. Është kjo vepër me vargje, e cila në vete ngërthen krijime të nduar-nduarta poetike, që janë “dallgë” shpërthimesh të autorit për kohën aktuale të realitetit tonë.

Siç dihet, ky autor, gjer më tani ka botuar disa vepra poetike, si janë: “Rrjedhë lumi”-(2005),, “Gjuhën ma patën prerë që në fëmijëri” – (2006), “Nu më doli ëndrra” – (2013), “Përmendore e zemrës” – (2013), “Toka ime”- (2014) dhe ditë më parë, ky autor botoi veprën e radhës me poezi me titull: “Kullat e krenarisë” (2016). Është kjo një vepër poetike, e cila është shkruar me një dashuri të flaktë që ka autori ndaj vargut poetik. Janë vargje të lloj-lloshme poetike, të cilat autori i ka shkruar me pasion për shumë tema që janë të lidhura me realitetin tonë të përditshëm. Këto poezi të kësaj vepre janë vlera të çiltërta poetike, të cilat shprehin botën përjetuese të ideve të autorit në fjalë.

Siç dihet, Daut Maliqi, krijues, ka një biografi të gjatë të jetës së tij në gazetari. Ai lindet më 1939 në fshatin Busovatë të Dardanës (Kamenicës). Më parë ka punuar si arsimtar në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj. Si njeri i lapsit, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në informim e “gjendjes” në kulturë, në krijimtari letrare dhe në publicistikë. Daut Maliqi ka punuar 28 vjet në gazetari në të përditshmen “Rilindja”. Mandej, ai qe gazetar që punoi në Radio Kamenica, Radio Premiera etj. Ishte pedagog i mirëfilltë i arsimit, i cili dha një kontribut të çmuar në procesin mësimor. Tash, në një kohë mjaft të shkuar, ai ka filluar të merrej me hartimin e vargjeve. Poezia e tij është një vokacion i lirë shpirtëror. Aty, në poezi, poeti gjen një “relaksim” shpirtëror apo lirohet nga temat e gazetarisë e jetës “tjetër” të një kohe.

Vepra e tij “Kullat e krenarisë” është padyshim një e arritur e merituar në artin letrar. Kjo vepër poetike ndahet në katër kaptina, si janë: Bredhje nëpër stinë, Kullat e krenarisë, Më shumë dashuri dhe e fundit, Vashat dhe djemtë e rinj. Këto “ndarje” teknike të veprës e rrumbullakësojnë një projekt mjaft në nivel artistik. Tek krijimet e Daut Maliqit vërehet optimizmi për jetë, por, aty këtu kemi edhe krijime të tjera krenarie dhe të botës subjektive. Vepra e poetit fillon me poezinë “Ne dhe bota”. Këtu janë dy botëra. Ne, si popull dhe bota si hapësirë. Poeti thotë se, njeriu (njerëzimi) dhe bota sikur jemi ndarë, sepse, “Edhe kur punojmë, sikur jemi në gjumë”, pra sikur s’na bëhet vonë”(f.7).

Pra, po të punohet, arrihen sukseset. Poezitë më artikuluese të kësaj vepre, janë: “Dëshmorët”, “Rrugës së lirisë”, “Urime Kosovë”, “Kosova legjendare”, “Dhembje e nënëlokeve”, “Hapi ynë”, “Gjenerata ime”, “Kullat e krenarisë” (kushtuar Mark Krasniqit), “Nyjat jetësore”, “Kultivoni”, “Skënderbeu” etj. Në kaptinën “Më shumë dashuri”, poezitë e kësaj vepre dallohen, si janë: “Më shumë dashuri”, “Ulurime e uqve”, “Bjeshkët e Nemuna”, “Nëna ime” etj. Ndërsa, në kaptinën e fundit: “Vashat e djemtë e rinj”, poezitë e kësaj vepre poetike, dallohen, si janë: “Dashuria”, “Kështjella e Rozafës”, “Kështjellat legjendare”, “Gjumi larg vendlindjes”, “Tokat arbërore”, “Krojet e bardha”, “Ujku do mjegull” etj.

ARKATANA

Recensenti i kësaj vepre, Rrahim Sadiku, në një shënim të tij, ka shtuar se, Daut Maliqi, krijues, “…ai këtë radhë na vjen me një bagazh të madh temash, formash shprehëse dhe thyerjesh stilistike, duke e bërë gjithnjë të pazakonshëm edhe vargun më të zakonshëm, siç mund të na duket në shikim të parë. Këtë ia ka mundësuar përvoja jetësore, përjetimi i shumë ndryshimeve që ndodhën në këtë vend dhe kontakti i vazhdueshëm me njerëzit e kësaj toke, me të cilët ishte në çaste vuajtjesh e në çaste ngjarjesh madhështore”.

Pra, poezia e Daut Maliqit është plot frymëzim jete, plot sharmë të ëndërrimeve poetike. Është poezi e vlerave joshëse për të gjithë. Këtu buron jeta, puna, dashuria, por aty e gjejmë edhe kritikën e njeriut tonë, krenarinë e të qenunit etnos i lashtë, madje edhe vargje për vendlindjen e dashur, ku poeti ka jetuar në ato male, fusha plot gjallëri jete. Duke kënduar kështu, D. Maliqi nuk e harron figurën e madhe të Mark Krasniqit, njëriut e krijuesit të shquar të letrave shqipe. Këtë figurë, poeti e quan Kullë krenarie dhe, shton: “Hyre si në legjendë/ mjeshtër, u bëre kullë krenarie/ nga ata gurë të vjetër/ nga ato kohë lashtësie/ nxorre rrënjë shqiptare”(f.26).

Edhe poezia “Urime Kosovë”, poeti i qaset edhe me vargje aktualitetit politik, ku nga zemra Kosovës ia uron festat e fundvitit, por shton: “/Pa “zajednicën”/ pa gaz lotsjellës në Parlament/ pa protesta të dhunshme në kryeqytet/ pa korrupsion e kryeneçësi në pushtet/ Pa shitblerje të diplomave në Universistet!(f.15). Apo poezia “Gjenerata ime”, “rrëfen” kohën e autorit, e cila kohë është pak më “ndryshe” se kjo jona- sot. Ajo kohë, e autorit, ishte kohë e besës, e mikpritjeve, fytyrë qeshur, pritje me bukë e kripë e zemër. Te poezia “Skënderbeut”, poeti D. Maliqi ndalet t’na “rrëfejë” të bërat e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut” ku shton se, “në themelet e kombit/ jeton e rritesh”. Ja si ia thotë këngës: “Vepra jonte përherë e më e pavdekshme/ Rrezaton dritë lirie/ O i shenjti Skënderbe/ O trim i trimave Gjergj/ O frymëzues i shqiptarizmës/ Je kudo ku jemi ne! (f.32).

Në poezinë “Gjykimi”, poeti ngre zërin e protestës kundër barbarisë serbe, e cila, me makinerinë kriminale, në luftën e fundit (1999), në krye më kasapin e Ballkanit, Milloshin, vrau e torturoi me mijëra shqiptarë të pafajshëm, vetëm e vetëm se ishin shqiptarë. Poezia ia thotë: “Do t’jugjykojnë/ për gjenocidin e krimeve të bëra/ Juve, kasap të Ballkanit”(f.62). Janë edhe disa poezi me interes që flasin qartë e bukur për Kështjellën e Rozafës, për poetin e Rugovës, Azem Shkrelin etj. Me fjalë të tjera, autori, të gjitha këto “ngjarje” që i ka artikuluar në veprën e tij në vargje, sikur këto “ngjarje” i ka ndryrë në vete dhe i ka shpërfaqur për t’mos i harruar njëherë e përgjithmonë tek lexuesi ynë. Veprën e botoi Shtëpia Botuese “Rozafa” në Prishtinë, 2016./tefik selimi/rajonipress/