Një shkollë fshati me traditë të hershme të punës…
Gjilan – Dy ditë pas festës së Flamurit – 28 Nëntorit, u gjendem në Shkollën fillore “Agim Ramadani” në Zhegër. Një shkollë me traditë të hershme të punës. Këtu procesi mësimor ka filluar nga vitet 1945. Gati një shekull dituri e dije. Nga kjo shkollë fshati kanë dalë me qindra e mijëra arsimtarë, profesorë, mësues, pedagogë, gjuhëtarë, shkrimtarë, sociologë, matematikanë, por edhe figura të njohura të jetës letrare, si: Ibrahim Kadriu – shkrimtar, Sabit Rrustemi – poet, Bektesh Bekteshi – pedagog, Behxhet Haliti – gazetar, Sabri Kadriu – drejtësi e shumë emra të profileve të ndryshme të jetës.
Pra, Zhegra kaherë është e kthyer me fytyrë ka qyteti. E quajnë edhe sot Qytezë, për faktin se, kjo qendër e ka ndryshuar pak “dizajnin” e jetës për banorëve e kësaj ane. Në këtë qendër fshatare gravitojnë disa fshatra të Malësisë së Karadakut, si: Haxhaj, Llashtica, Lladova, Nasala, Kurexhaj, Shurdhani, Demiraj, Godeni, Isufaj, Pidiçi e Stançiqi. Jo vetëm kaq. Siç dihet, Zhegra e pas luftës po lëngon edhe nga dhembjet e kësaj kohet të vitit 1999.
Afro 400 shtëpi janë të djegura nga barbaria serbe. Po ashtu, në këtë lokalitet janë vrarë afro 13 vetë nga forcat e errëta policore çetnike serbe. I vrarë është edhe Milazim Idrizi, arsimtar i kësaj shkolle. Edhe pas kësaj gjendje jo të mirë, ky fshat ka bërë kthesa në jetën e përditshme.
Para pak vitesh është ndërtuar objekti i ri shkollor “Agim Ramadani”. Ky vend, ku është ndërtuar ky tempulli i dijes, e ka një rrëfim sa interesant e rrënqethës. Pse jo? Në këtë vend ka qenë Stacioni i policisë serbe. Ky Stacion policor në Zhegër ka shërbyer për keqtrajtimin e popullatës së kësaj ane të Karadakut. Sa e sa qytetarë shqiptarë janë maltretuar e keqtrajtuar gjer në vdekje nga policia serbe vetëm se janë shqiptarë. Ky vend, ku tash ngre shtat si nuse e re Shkolla fillore “Agim Ramadani”, është bërë një vend i arsimimit dhe edukimit të të rinjve të kësaj ane. Ky është një rrëfim në vete, i cili ka një histori të dhembshme për kohën, dje, por krenare, për kohën, sot. Objekti i parë i shkollës fillore ishte i ndërtuar buzë rrugës Zhegër- Shurdhan, i cili objekt jo vetëm që ishte i dëmtuar nga tërmeti i vitit 20014, por ishte vend i rrezikshëm për shkollarët e këtij lokaliteti.
Tash Zhegra, si qendër fshatare e Malësisë së Karadakut, ka ndryshuar pamjen nga jeta e djeshme. Ajo që po e shëmton këtë fshat qendër, është Shtëpia e Kulturës “Idriz Seferi”, e cila çdo ditë po rrëzbitet e po dëmtohet nga njerëzit e pandërgjegjshëm. Ndonëse ishte investuar mjaft në rindërtim, ajo sot ka një gjendje të mjeruar. Salla e manifestimeve kulturore nuk punon. Nuk punojnë edhe lokalet të tjera përcjellëse.
Kjo është një pasqyrë jo e mirë e këtij fshati. Kur u afruam afër qendrës, ku ndalet autobusi lokal, donim ta dimë rrugën për te shkolla e re. E pyetëm një zhegras, ai na tregoi cakun tonë e na pyeti: “Për ku jeni nisur…?” Përgjigjja jonë ishte: “Jemi nisur te Shkolla fillore “Agim Ramadani”. “E ktheni makinën në të majtë dhe, mu kjo rrugë ju qon drejt te shkolla në fjalë”. Për pak minuta, u gjendem aty te caku i kërkuar. Ja vërejmë një objekt shkollor i ndërtuar mbi një kodër pa drunj. Objekt modern.
Nga hyrja vërejmë se ka njerëz që bëjnë roja dhe punë të jetës së përditshme. Po nga ky vend i lartë, gjysma e Zhegrës duket si në shuplakë të dorës. Aty në hyrje qëndron krenar busti i heroit të kombit, Agim Ramadani.
Një bust i heroit të “gjallë”, i cili të përkujton kohën e luftës së Kosharës legjendare, kur djaloshi i Karadakut e i Kosovës bëri kthesë të madhe në thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar. Pranë bustit vërehen disa lulet, të cilat simbolizojnë lirinë. E takojmë në hyrje të shkollës Rrahman Agushin, drejtor i shkollës në fjalë. Na priti me zemër: “O gazetar, mirë se na keni ardhur! Nuk ka pak minuta sa erdha nga paralelet e ndara: Haxhaj e Lladovë. “Unë nuk mundem të rrij duarkryq. Dua ta shoh se si bëhet puna në këto shkolla. Pa punë, s’ka rezultate. Ku punohet, rezultatet janë evidente. Shihni këto dekorata, medalje, fletëlavdëruese e mirënjohje, nuk janë të miat, por të shkollarëve të kësaj shkolle. Kjo na inkurajon. Kur e shoh se punohet, zemra më bëhet mal. Unë kam pak kohë që jam bërë drejtor shkolle. Po i shoh “sendet” si shkojnë. Dola sot gjer në Haxhaj, ku ka pak probleme. Ua bëra me dije se, kur është kohë e ftoftë, ka nevojë të ndezet koftori, e jo të mërdhinë shkollarët. Edhe në Lladovë u bëra vërejtje. Nuk kemi aq lëndë djegëse, andaj duhet ta kursejmë këtë lëndë për ngrohje për kohën e ftoftë”.
Kur e pyetëm sa ka shkollarë ka kjo vatër e dijes, ai na u përgjigj: “Tash për tash, tha Rrahman Agushi, drejtor, – kjo vatër e diturisë, me paralelet e ndara në Nasalë, Lladovë, Selishtë e Haxhaj, ka 861 shkollarë të rregullt. Vetëm nga ky fshat mësimet e rregullta i vijonë 633 shkollarë. Nga Lladova kemi 140 vetë, Haxhaj 69 vetë, Selishtë 6 vetë dhe Nasalë vetëm 11 shkollarë nga klasa e parë gjer në klasën e IV-të.
Me këta shkollarë punojnë 73 mësimdhënës të rregulltë e punëtorë”. Aty në zyrën e drejtorit u gjend edhe ish nxënësi im, Nezir Neziri, arsimtar i shkencave kompjuterike. U gëzua dhe na tha: “Ja profesori im, i cili më ka dhënë mësim dy vjet në paralelet e gjimnazit të Zhegrës. E kam çmuar atë kohë, por e çmoj edhe tash.
Ai po më frymëzon ta vazhdoj traditën e punës së tij, sepse na ka ndihmuar dhe na ka afruar punë e dije për gjendjen ku jemi sot. Edhe sot kjo shkollë ka shumë shkollarë që janë shembull. Çdo ditë po punojmë me plan-programe të reja, të cilat po kanë efekt dhe po përcillen me ëndje nga të rinjtë shkollarë”.
Fadil Ajvazi, arsimtar i gjuhës shqipe na tha se, grupi letrar i shkollës “Agim Ramadani” po punon dhe ka rezultate të lakmueshme pune. Ai rreth këtij grupi ka grumbulluar disa nga letrarët e vegjël. “Po, tha ai,- mendojmë ta botojmë një revistë shkollore me emrin e të madhit hero, Agim Ramadani. Qysh tash jemi kah e mendojmë se si t’ia fillojmë punës. Kjo revistë do të botohet në kuadër të Manifestimit tradicional “Ditët e Agimit”, që mbahet përherë më 2 e 3 maj në Zhegër. Është një punë që ia vlen, për faktin se, Agimi ishte e mbeti hero i kombit. Ai meriton të nderohet e të çmohet nga të gjithë”. Xhelil Rrahmani, z. drejtor shkolle na tha se, kjo shkollë ka rezultate të mira pune. Sidomos, shkollarët nga lënda e edukatës sportive po ecin përpara dhe kanë rezultate të mira. Por, edhe arti figurativ po tregon punë të mrekullueshme.
Në nivel vendi, shkollarët e kësaj vatre të dijes kanë zënë vendin e parë në ping pong. Ky është Diart Sherifi, nxënës i kësaj shkolle. Në nivel të Republikës së Kosovës, shkolla jonë ka zënë vendin e dytë në hendboll. Ja disa mirënjohje, diploma dhe fletëlavdërata, të cilat flasin për angazhimin e punës së shkollarëve.
Po i cekim disa klasa që janë shpërblyer në vitin e kaluar, të cilat janë shembull për të mirë, si: klasa IX-3, VIII-1 dhe VII-1. Rrahman Agushi, drejtor tha se, ajo që e dallon këtë shkollë është fakti se, disa arsimtarë janë udhëtarë të përditshëm, por nuk kanë mungesa në procesin mësimor. Bie fjala, Shqipe Bucaliu, arsimtare e artit muzikor, udhëton çdo ditë nga Gjilani gjer në Zhegër. Ajo s’ka mungesa. Nuk kanë mungesa edhe këta arsimtarë, si: Bekim Ademi, arsimtar i edukatës fizike, udhëton çdo ditë nga Gjilani gjer në Zhegër dhe është i rregullt. Po ashtu, Akile Musliu, është udhëtare nga fshati Malishevë dhe jep mësim në fshatin Haxhaj; Teuta Bajrami, arsimtare e mësimit klasor, ajo udhëton nga Gjilani dhe jep mësim në Selishtë, e cila udhëton nga Zhegra gjer te shkolla disa km.
Po ashtu, Teuta Hoxha, arsimtare e matematikës, udhëton rregullisht nga Gjilani gjer në Zhegër; mandej, Afërdita Kadriu, arsimtare e matematikës, udhëton nga Gjilani dhe jep mësim në Haxhaj e Lladovë, kurse Vallbona Haliti udhëton nga Përlepnica dhe jep mësim në shkollën e këtij fshati, Zhegër. Të gjithë janë punëtorë shembull, të cilët udhëtojnë dhe punën e bëjnë punë. Atë ditë, kur sapo kaloi Festa e Flamurit, shkollarët u kishin përveshur punës drejt shtigjeve të dijes. Edhe mësimdhënësit e tyre vraponin nga një klasë në tjetrën për të dhënë kontributin e tyre në shkollën e quajtur – dije e jetë. U larguam nga kjo shkollë, por kryet na mbeti kah busti i Agim Ramadani, i cili sikur na përcjellte hija e tij gjer sa na humbasëm pas kthesës së rrugës për t’u kthyer te rruga për Gjilan. E, atë kohë, gjer sa ne ktheheshim nga vizita që ia bëmë këtij tempulli të dijes, shkollarët vinin varg e vijë në shkollë për të vazhduar mësimin e pas ditës…E kaluam një ditë në shkollën me traditë pune e jete../tefik selimi/rajonipress/

