Hidromorava

Një realitet i panatyrshëm i lirisë

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arianit Bytyçi – Të gjithëve besoj na kujtohen pamjet televizive të një kolone të gjatë të luftëtarëve të lirisë së Kosovës, që ishte transmetuar në programin satelitor të Televizionit Shqiptar, si dhe në televizionet botërore CNN, Sky News, Euronews. Ishte kjo kolona e luftëtarëve të lirisë, që vinin nga vise të ndryshme të hapësirës shqiptare, të cilës i prinin dy komandantë, Fatmir Limaj dhe Sami Lushtaku.

Përmes këtij prezantimi impozant shfaqej fuqia dhe vendosmëria e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të luftuar deri në çlirimin definitiv të Kosovës. E gjithë ajo pamje ishte xhiruar në Carrallukë të Malishevës në verën e vitit 1998, në ceremoninë e varrimit të luftëtarit të lirisë, Ymer Krasniqi, i cili kishte rënë ditë më parë në betejë me armikun.

Shumë muaj më vonë, në njërën nga ditët e fillimvitit 1999, në fshatin Lladroc të Malishevës, në rrethana të vështira lufte ishte ftuar një konferencë për media. Në oborrin e një shtëpie që vendasit e kishin vënë në shërbim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kishin mbërritur numër i madh gazetarësh, fotoreporterësh dhe kameramanësh. Përballë tyre ishte vendosur një tavolinë oborri dhe tri karrige. Në këtë hapësirë, para medieve u paraqitën tri figura të luftës çlirimtare. Në mes, ishte ulur udhëheqësi i Drejtorisë Politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga bashkëluftëtarët e tij, Sylejman Selimi dhe Fatmir Limaj.

Shefi politik i UÇK-së në këtë paraqitje para medieve jepte mesazhet e unitetit dhe konsolidimit të UÇK-së dhe në të njëjtën kohë afirmonte mesazhet e partneritetit me botën demokratike. Konferenca për media mbahej para nisjes së delegacionit të Kosovës në Paris, në vazhdimin e Konferencës së Rambujesë.

Edhe shumë sekuenca tjera filmike të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më përsëriten çdo ditë në mendje. Nuk mund të mos i përmend edhe disa prej tyre. Pamja e luftëtarit të orëve të para të UÇK-së, Sahit Jashari në Drenicë, që u transmetua në emisionin e Ekipit të luftës të TVSH-së, emisionin e parë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Pastaj, prezantimi dinjitoz televiziv i Njësisë Speciale të Brigadës “Adem Jashari”, të udhëhequr nga luftëtari i dalluar, Jahir Demaku. Po ashtu, edhe një fotografi e hareshme e dy bashkëluftëtarëve, Rasim Kiçinës dhe Hysni Thaçit. E shumë pamje tjera, që çdoherë që i shohim na zgjojnë ndjenjat e krenarisë.

*****

15 vite më vonë, në vitin 2013, shumica prej protagonistëve të këtyre pamjeve të përshkruara në pjesën fillestare të këtij shkrimi, por edhe luftëtarë tjerë të lirisë, Fatmiri, Sylejmani, Samiu, Sahiti, Jahiri, Zeqiri, Hysniu, Avniu, Remi, Lata, Nazifi, Nexhi, Besimi, Naseri, Refkiu, Behluli, Arbeni, Sabiti, Shabani dhe luftëtarë të tjerë, tani përballen me rrethana të reja, të pa imagjinuara për një shoqëri dhe për një shtet të lirë dhe demokratik. Më shumë se një decenie pas luftës çlirimtare, vazhdon persekutimi dhe përndjekja e luftëtarëve të lirisë së Kosovës, të cilët sakrifikuan edhe familjet e tyre për çlirimin e vendit.

Edhe pas triumfit të dy proceseve gjyqësore në Tribunalin Ndërkombëtar në Hagë, që konfirmuan luftën e drejtë të UÇK-së, tani vazhdohet me arrestimin e luftëtarëve të lirisë dhe tema kryesore në Kosovë mbetet kjo, thuajse me të vërtetë problemi i qytetarëve të Kosovës janë bijtë dhe bijat që luftuan për lirinë e tyre.

Duke mos gjykuar dhe dënuar pjesëtarët e aparatit gjenocidal shtetëror serb, ata që me të vërtetë bënë krime të tmerrshme në Kosovë, që vranë e masakruan burra, gra, fëmijë e të moshuar, drejtësia nuk po e çon misionin e saj në drejtimin e duhur dhe në këtë mënyrë po e humb besimin e qytetarëve të Kosovës dhe opinionit ndërkombëtar.
Me gjykime të dështuara qysh në fillim dhe të përsëritura dhe të ripërsëritura disa herë me radhë, po humbet kohë dhe energji e panevojshme. Duke mos luftuar krimin e vërtetë gjenocidal që dërmoi Kosovën në vitet 1998-1999, e që solli edhe intervenimin e NATO-s, po tentohet të vendosen baraspeshime mes gjenocidit shtetëror të Serbisë dhe luftës çlirimtare të UÇK-së, baraspeshime këto të rreme, të cilat nuk mund të vendosen asnjëherë dhe në asnjë mënyrë, ngase është dëshmuar disa herë se nuk janë reale.

Uji Dea

Është thënë dhe shkruar shumë herë edhe nga studiues të mirënjohur ndërkombëtarë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte projekt më serioz i shqiptarëve në përpjekjet për çlirim dhe mëvetësi. Lufta e drejtë, orientimi i duhur strategjik dhe ndërtimi i partneritetit me demokracitë perëndimore e bën Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës vlerën më të çmuar të shqiptarëve.

Lufta çlirimtare e viteve 1998-1999, e udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, që në përmbyllje të saj rezultoi me mbështetjen që i dha NATO përmes fushatës ajrore të bombardimeve, ndikoi shumë edhe në çlirimin e rajonit nga mentaliteti dhe ndikimi i Millosheviqit. Kjo luftë dhe ky partneritet i UÇK-së me perëndimin nuk mund të trajtohet tani 14 vite më pas ndryshe. Historia e kësaj lufte nuk mund të ndryshohet dhe të trajtohet varësisht nga nevojat ditore të shantazheve politike kundër njerëzve që i takojnë filozofisë politiko-ushtarake të UÇK-së.

*****

Duke i takuar gjeneratës që jemi rritur dhe edukuar me ndjenjat më të larta të mbështetjes dhe të krenarisë për luftën dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dua të potencoj që e ardhmja demokratike dhe zhvillimore e Kosovës nuk ka asnjë kuptim me vazhdimin e përndjekjes dhe persekutimit të luftëtarëve të lirisë së Kosovës.
Ky realitet i vrazhdë i rrethanave aktuale nuk është në funksion të forcimit të rendit demokratik, pasi po akuzohen dhe po burgosen ata që e luftuan krimin e vërtetë dhe ata të cilët në rrethanat e lirisë dhe pavarësisë kontribuuan shumë për forcimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Ndoshta do të vazhdohet të humbet kohë dhe energji e panevojshme për t’i mbajtur të persekutuar luftëtarët e lirisë, por e vërteta për drejtësinë e luftës dhe sakrificës së UÇK-së më bën të besoj se shumë shpejtë edhe këto sfida do të përfundojnë me lirimin e plotë luftëtarëve të lirisë dhe ata do të fillojnë ta gëzojnë me të vërtetë lirinë e Kosovës.

Institucionet e shtetit të Kosovës kanë nevojë për këta njerëz, për energjinë dhe vizionin e tyre për zhvillimin dhe integrimin e vendit. Këto procese zhvillimore nuk mund të çohen përpara me njerëz që nuk kanë sakrifikuar asgjë për vendin e tyre, që nuk e kanë mbështetur luftën çlirimtare, e madje as demonstratat studentore të viteve 1968, 1981 dhe 1997.

Një mik imi, veprimtari i kahershëm i çështjes kombëtare, Halil Selimi, shkruante para disa ditësh në një rrjet social kështu: “Kosova në vend se ta gëzojë, po e vuan lirinë. Dheu i lirë i Kosovës po i han luftëtarët e vet, ndërsa Kosovën po e hanë maskarenjtë”.

Jam më se i bindur se ky realitet nuk do të vazhdojë gjatë, ngase është i panatyrshëm për botën e civilizuar, është i panatyrshëm për Kosovën. Kosova me të vërtetë do ta gëzojë lirinë.