Fundamenti

Një përmbledhje kumtesash – si dëshmi e realitetit të hidhur dhe e krenarisë sonë

/ 17 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Bahtijar Kryeziu – Përmbledhja e punimeve, nga aktiviteti shkencor: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – dje, sot dhe nesër, mbajtur më 21-23 tetor 2013, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, botuar në Prishtinë, më 2015, të cilën përmbledhje e kemi sot në duar dhe e kemi bërë objekt trajtimi e përurimi, përmban një numër të madh kumtesash me rëndësi teorike e praktike për Luginën e Preshevës, apo siç e thotë këtu, më të drejtë, Profesor Baraliu, për Kosovën Lindore.

Fjalë me rastin e përurimit të Punimeve nga aktiviteti shkencor: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – dje, sot dhe nesër, mbajtur më 21-23 tetor 2013, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës. Botoi IAP, Prishtinë, 2015.

Përmbledhja e punimeve, nga aktiviteti shkencor: Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – dje, sot dhe nesër, mbajtur më 21-23 tetor 2013, organizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, botuar në Prishtinë, më 2015, të cilën përmbledhje e kemi sot në duar dhe e kemi bërë objekt trajtimi e përurimi, përmban një numër të madh kumtesash me rëndësi teorike e praktike për Luginën e Preshevës, apo siç e thotë këtu, më të drejtë, Profesor Baraliu, për Kosovën Lindore.

Është kjo një pasqyrë e territorit, edhe ashtu të tkurrur sot, që përfshin tri bashki: Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, me një sipërfaqe prej 1250 km², si vazhdimësi e Ilirikut të dikurshëm – pjesë ballkanike e sotme, e Luginës së Preshevës ose e Kosovës Lindore, siç e quajnë shqiptarët, sidomos kohët e fundit, të cilin territor serbët e njohin si Južna Srbija (Serbia Jugore), herë-herë edhe si Preševska dolina (Lugina e Preshevës) e tani, si kundërvënie ndaj emërtimit të shqiptarëve “Kosova Lindore”, ata i thonë edhe Jug centralne Srbije (Jugu i Serbisë Qendrore), një emërtim me karakter hegjemonist që le të kuptojë se Serbia shtrihet edhe më: në të djathtë e në të majtë, meqë Jugu i Serbisë Qendrore na qenka te Presheva, Bujanoci e Medvegja!

Se si do ta quajnë ata, kjo nuk ka edhe aq rëndësi, kur dihet historia dhe e vërteta e saj e hidhur: një degë e prerë (padrejtësisht) për vite e vite nga trungu i Shqipërisë etnike – pra, një Çamëri e dytë, ashtu siç do të mund të thuhej edhe për trevat shqiptare të Malit të Zi, të Maqedonisë Perëndimore e deri dje edhe të Kosovës, edhe pse të parët e shqiptarëve, mbështetur në studimet me të reja historike, arkeologjike dhe ato gjuhësore, del se shtriheshin “në tërë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, që nga rrjedha e lumenjve Moravë e Vardar në lindje, e deri në brigjet e Adriatikut e detit Jon në perëndim; që nga lumi Savë në veri, e deri tek gjiri i Ambrakisë në jug, pra deri në kufijtë e Helladës së vjetër” (Ëikipedia).

“Amputimet” e tilla i deshën shqiptarët apo i imponuan të mëdhenjtë?
Përgjigjja thuaja është e ditur: na e kushtëzuan të tjerët, por unë do të thosha, jo edhe pa “fajin e papërgjegjësinë” tonë. Edhe “Paqja” e Shën Stefanit – Traktati i Shën Stefanit (3 mars 1878) dhe vendimet tjera të fuqive të mëdha, edhe Marrëveshja e Ohrit (13 gusht 2001), edhe Marrëveshja e Konçulit (20 maj 2001), po edhe ato të Brukselit për Mitrovicën (këto 2 vitet e fundit), nuk dimë nëse janë paqe – marrëveshje apo plagë të hapura me fqinjët tanë. Janë marrëveshje apo mosmarrëveshje? Paqe apo një sherr i pafund dhe lak në fyt për gjeneratat e ardhshme.

Në kontekst të kësaj, mund të shtrohen edhe pyetjet: A njeh historia, deri në këtë dhjetëvjetësh, që dikush nga shqiptarët, sidomos për këto 2 marrëveshjet e fundit, që kanë të bëjnë me Luginën dhe Mitrovicën, të ketë vënë gishtin për nënshkrim që këto territore të mbeten me këtë status dhe pozitë administrative që kanë sot? A nuk nënkupton kjo se ne, me dorën tonë sikur ia kemi dorëzuar subjektivitetin, tapitë dhe të drejtën historike e etnike të këtyre pjesëve dikujt tjetër – në këtë rast Serbisë?! A e kap rradakja që motrat Mustafa prore të këndojnë këngën “Hajde ta vallëzojna – vallen e Rugovës // Deri te Molla Kuqe – kufini Kosovës” e ne të imagjinojmë në këtë? A duhet që Shkurte Fejza, për mosndarjen e Mitrovicës, të na mbajë me shpresë vetëm me vargjet: “Pa u farue djem e qika // Jo nuk ndahet Mitrovica”, sakaq andej Urës së Ibrit edhe pas 16 vjet lirie, nuk mund të kalojë as ushtri e as polici e Kosovës. Tani ndoshta ka ardhur kohë tjetër dhe duhet kënduar këngë tjetër: Kufiri i Kosovës – te Çezma Konçulit //… ose dhe “Dëshmorëve tanë le t’ju shkojë kjo fjalë, se kufirin e kemi pranë, jo më larg se Ura e Ibrit tonë”.

Sigurisht se këta rreshta janë paksa provokues dhe shumëkush ose dikush do të thoshte: të fortit na urdhëruan – ne zbatuam. Po, jam i vetëdijshëm për këtë, ama besoj se me një strategji tjetër, UÇPMB-ja do të kishte ulur armët, pjesëtarë të së cilës ushtri flijuan edhe jetën – por për një qëllim më të lartë, e jo për një nëpërkëmbje edhe më të madhe se dikur. Po edhe për Mitrovicën, me një mençuri e diplomaci më të mirë e largpamëse, shpirtrat do të ishin qetësuar, duke zgjedhur një moment, apo edhe një ditë më të mirë, më të favorshme për ne, sepse, unë, siç ka thënë Migjeni, “E ndjej nga Dielli (alegorik) valën”.

Përmbledhja e punimeve në fjalë, ka 40 kumtesa nga më të ndryshmet, në të cilat, thuaja se për herë të parë, në mënyrë aq të hapët e profesionale, është shpërfaqur e vërteta dhe realiteti për këtë trevë, ashtu siç ka qenë dhe ashtu siç është sot, mbështetur në fakte historike e shkencore, arsimore e kulturore. Në fjalën e vet të mbylljes së Konferencës, drejtori i IAP, profesor Matoshi, atëbotë, me të drejtë pati theksuar se për dy ditë, sa zgjati konferenca, “u trajtuan tema që kanë të bëjnë me statusin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, me pozitën e tyre gjeostrategjike, me të drejtat e nëpërkëmbura njerëzore e kombëtare të shqiptarëve të këtyre trevave, me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit dhe faktorizimin e shqiptarëve, me kontekstin e ndarjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nga pjesa tjetër e hapësirës shqiptare”, si dhe me probleme të arsimit, të kulturës, të historiografisë, të onomastikës etj.

Ç’është e vërteta, edhe më parë ka pasur studime për Luginën, por jo për të ndriçuar të vërtetën e shqiptarëve të këtyre tërthoreve, ashtu siç ishte, por për ta mjegulluar, errësuar e mohuar atë skajshmërisht dhe, në anën tjetër, për “t’u ndriçuar e vërteta” për serbët, nga “shkencëtarët” propagandistë serbë, të cilët në vazhdimësi qenë të urdhëruar nga institucionet shtetërore, të organizuar nga ato shkencore e të këshilluar nga institucionet religjioze, për një mision të tillë.

Mobi Casa

Studiuesit serbë, të cilët e kanë pasur në syzim këtë krah, kanë shkruar shumë herë më tepër: me dhjetëra e dhjetëra trajtesa, studime, monografi e vepra tjera. Vetëm mua, me rastin e realizimit të një projekti studimor, më ka takuar të kem në duar mbi 25 vepra e studime të autorëve serbë*, ndërkaq trajtesat dhe studiuesit shqiptarë, deri me publikimin e kësaj Përmbledhjeje, mund të numërohen në gishtat e njërës dorë**.

Kumtesat e përfshira në këtë botim, për të cilin edhe jemi takuar sot, pos Fjalës së hapjes dhe Fjalës së mbylljes të drejtorit të IAP, prof. dr. Hysen Matoshi (të thëna me një thellësi e shprehësi të lartë mendimesh, që kapin 8 faqe teksti) dhe Fjalës së hapjes në ekspozitën me fotografi nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja të z. Xhemaledin Salihu (të shprehur në 4 faqe, me një kronologji shumë precize dhe të një punimi për Trashëgiminë kulturore dhe natyrore të komunës së Preshevës, në shtrirje prej 57 faqesh, me shumë fotografi të kalave, xhamive, kishave, manastireve, tumave, lokaliteteve dhe objekteve të vjetra, të përmendoreve, busteve, lapidarëve etj.), nga 542 faqe sa ka botimi, pa përmendur këtu edhe një shtojcë fotografish nga punimet e Konferencës, u përkasin 3 fushave kryesore të trajtimit e studimit, që më vete pleksin aspekte nga:
1. Socio-historiografia dhe çështjet ekonomike e politike – aktuale ose nga e kaluara
2. Gjuhësia – onomastika dhe nga
3. Kultura e arsimi

Për shkak të natyrës së këtij prezantimi dhe për hir e respekt të auditorit të nderuar, sot këtu nuk do të ndalemi në elaborimin e çdo kumtese veç e veç të të gjithë autorëve. Kjo mbetet, sigurisht, një punë për një rast tjetër trajtimi e botimi, andaj edhe kërkojmë mirëkuptim.

Në grupin e parë të kumtesave: Socio-historiografia dhe çështjet ekonomike e politike – aktuale ose nga e kaluara, kemi radhitur 23 studiues me kumtesat e tyre, të cilët në mënyrën më të mirë, mbështetur në të dhëna e argumente shkencore kanë treguar se me gjithë trysnitë e pareshtura ndaj etnisë sonë “nëpër këto troje etnike shqiptare edhe sot e kësaj dite, përkundër dëmeve, zullumit dhe barbarive të vazhdueshme të pushtuesve të huaj, ende vazhdon të frymojë, ekzistojë dhe fuqimisht të mbahet me kokë lart – elementi autentik, autokton, relativisht homogjen dhe vital i popullit tonë”- siç citon profesor Mazllum Baraliu (faqe 15), por i cili në mënyrë shumë eksplicite, mbështetur në ligje e nene, ka treguar edhe për shkeljet e pandërprera të të drejtave të shqiptarëve në këtë anë nga regjimi serb, si dje, ashtu dhe sot. Ndaj një gjendjeje të tillë, të diskriminimit të shqiptarëve, në shkrimin e vet reagon me plot të drejtë autori tjetër – prof. dr. Kudusi Lama, kur kërkon “që politika e Tiranës, e Kosovës dhe politika e krahinës duhet të bëjnë një plan sekret” (faqe 45) për të ndryshuar gjendjen e rëndë politike, ekonomike, arsimore e kulturore, e të cilën, me vite e vite po e përjeton popullata e këtij krahu.
Derisa prof. dr. Emin Kabashi shkruan për luftën e drejtë të UÇPMB-së, si luftë për çlirim e jo okupim; dr. Jusuf Osmani, mbështetur në të dhënat arkivore, rreth ndryshimeve territorialo-administrative Kosovë – Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë pas LDB-së, thotë se “Treva e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës përherë ishte pjesë përbërëse e trevave etnike shqiptare” (f.55), porse me ndryshimet e ligjeve nga viti 1947 – 1949 të tri këto komuna dhe fshatra që sot u përkasin këtyre komunave kalojnë nën administrimin e Serbisë.

Dëshmisë për jetëgjatësinë e shqiptarëve në këtë pjesë, i kontribuon edhe trajtesa e Mr. Qani Halitit me titull “Monumentet kulturore-historike në Kosovën Lindore”, kurse për veprimtarinë shkencore të intelektualit të parë nga Kosova Lindore, profesor Ibrahim Kelmendi, i cili objekt trajtimi kishte prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe autoktoninë e këtij etnosi, jo vetëm në trojet ku gjëllin sot, shkruan prof. dr. Nebi Dervishi. Ndërkaq, me kontributin e klerikëve preshevarë: Sheh Maksut Efendiu II dhe Mulla Sinan Maxhera në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare 1878-1912, e pos tjerash, edhe si pjesëmarrës të Kuvendit historik të Prizrenit, si dhe të veprimtarëve të shquar nga kjo nahi, gjithashtu pjesëmarrës në këtë ngjarje të rëndësishme: Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga dhe Haxh Abazi, merret studiuesi Nuridin Ahmeti. Veprimtaria atdhetare e Ali Aliut – Preshevës, kësaj radhe është vënë nën prizmin e venerimit të Selatin Novosellës, ku autori shpjegon se ky ideolog i Kosovës Lindore, që më 1942, në Durrës, kishte dhënë betimin e vet “Kurrë s’do ta tradhtojë kauzën për çlirimin kombëtar dhe barazinë sociale”, të cilin qëndrim e sublimoi edhe për vite të tëra gjatë jetës së vet, me gjithë burgosjet dhe torturat e përjetuara në kazamatet serbo-sllave.

Në këtë hulli shkojnë edhe trajtesat e paraqitura në faqet pasuese të kësaj përmbledhjeje, ku janë analizuar, trajtuar e shpjeguar shumë çështje që kanë të bëjnë me pozitën gjeostrategjike dhe shtrirjen e kësaj krahine; me luftërat, masakrat, por edhe me qëndresën heroike të popullatës shqiptare të kësaj ane dhe të statusit të saj sot. Rezultatet e gjithë kësaj pune të hollësishme e voluminoze janë shpërfaqur , pos në punimet e përmendura më sipër, edhe në trajtesat: Informimi shqip dhe roli i tij gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit XX në Luginën e Preshevës (Dr. sc. Ferid Selimi); Kazaja e Preshevës gjatë periudhës osmane – shtrirja dhe ndarja e saj në tapitë osmane (Dr. Hatixhe Ahmedi); Presheva me rrethinë në prag të shekullit XX (Memli Sh. Krasniqi); Kazaja e Preshevës sipas sallnames (vjetarit) të vilajetit të Kosovës të vitit 1896 (Mead Osmani); Lufta e parë ballkanike në Luginën e Preshevës (Skënder Latifi); Kryengritja e vitit 1912 dhe pjesëmarrja e anës (kazasë) së Preshevës (Prof. dr. Xheladin Shala); Komiteti i Kosovës dhe Presheva (Prof.dr.Lush Cufaj); Masakrat bullgare në Preshevë dhe Bujanoc 1942-1943 (Dr. Qerim Lita); Shqiptarët e Medvegjës në kthesë historike (Prof. Rexhep Abazi); Disa ide për përmirësimin e gjendjes në krahinën shqiptare të mbetur në administrimin e Serbisë (Refik Hasani); Krizologjia e Luginës së Preshevës – vazhdë e pasjugosllavizmit (Mr. Shkodran Ismaili) etj.

Vëmendjen e lexuesit të këtij botimi kujtojmë se mund ta tërheqin edhe kumtesat e grupit të dytë Gjuhësi – onomastikë, si: Disa tipare të së folmes së Karadakut (Akademik Mehmet Halimi), i cili në përfundim të kumtesës së vet, shpreh bindjen se ka arritur të japë “tiparet karakteristike të së folmes së Karadakut dhe të dëshmojë për koloritin dhe fizionominë e kësaj të folmeje dialektore” (faqe 271), ashtu siç ka veneruar edhe studiuesja Pranvera Osmani në kumtesën: Sistemi vokalik në të folmen e Preshevës. Ndërkaq, dy studiuesit e onomastikës: Prof. dr. Rexhep Doçi, Gjurmë pellazge-ilire-shqiptare në onomastikën e Kosovës Lindore dhe autori i kësaj përqasjeje, me kumtesën e tij: Lugina e Preshevës në dritën e emërtimeve të vjetra shqipe, duke mbajtur parasysh se onomastika ka qenë dhe mbetet gurthemel e lëndë e parë me rëndësi parësore në të gjitha hulumtimet e shqyrtimet historiko-gjuhësore rreth iliro-shqiptarëve, pra edhe të kësaj ane, përmes shumë onomave të vjetra shqipe, dëshmojnë autoktoninë tonë edhe në këto tërthore, pavarësisht nga pohimet e disa dijetarëve sllavo-maqedonas të cilët shqiptarët i shohin në këto troje vetëm nga shekujt XVII e XVIII të epokës sonë (P. Skok, Jovan Trifunovski, Atanasije Urosheviq etj.).

Të një rëndësie të veçantë e me interes, jo vetëm për lexuesin, janë edhe vështrimet – studimet nga Kultura dhe arsimi, si: Panoramë e folklorit të Medvegjës (Prof. dr. Rrustem Berisha); Këngët e dasmës (Prof. dr. Agron Xhagolli); Luftëtarët e Kosovës Lindore në epikën historike (Prof. dr. Adem Zejnullahu); Trashëgimia kulturore dhe natyrore e komunës së Preshevës (Xhemaledin Salihu); Kërkime për eposin e kreshnikëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (Dr. Albin Sadiku); Disa të dhëna për arsimin në Preshevë sipas sâlnâmeve osmane (Mr. Sadik Mehmeti); Arsimi i shqiptarëve në komunën e Medvegjës (Mr. Bislim Pireva); Arsimi shqip në Luginën e Preshevës gjatë shekullit XX (Ma. Ilir Zylfiu); Përfaqësimi i kulturës shqiptare në tekstet mësimore të shkollës fillore në Serbi (1982-2010) (Mr. Gafur Hyseni); Shpërngulja dhe nataliteti i ulët – alarm për institucionet edukativo-arsimore në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (Shkëlzen Limani); Fati i njeriut në prozën e Ramadan Rexhepit (Prof. dr. Sadri Fetiu); Emër që nderon kulturën dhe artin tonë kombëtar (Dr.sc.Faik Shkodra); Letërsia artistike në Kosovën Lindore prej fillimit e deri sot (Hysen Këqiku), në të cilat trajtesa e studime ndeshim këngë për trimat e këtij vendi “si Brahim Sfirca, Halil Islami, Imer Popoci” (Prof.dr.Rrustem Berisha, faqe 64); këngë historike që kumtojnë për ngjarjet të rëndësishme dhe figura të shquara “Kajka e Shaqir Tërstenës, Kanga e Selmam Trupit, Kanga e Hasan Çorrit, Kanga e Halil Islamit…” (Prof.dr.Adem Zejnullahu, faqe 82) etj. – këngë të cilat pasqyrojnë realitetin jetësor e historik të popullit të kësaj krahine gjatë shekujve, pastaj prezantime krijuesish, si Ramadan Rexhepi, prozën e të cilit e merr në vështrim Prof. dr. Sadri Fetiu; Demir Behluli, si krijues letrar e figurativ, vështruar nga studiuesi Dr. Faik Shkodra etj.

Po ashtu, një punë e mirë, e qëlluar dhe ndihmesë e pazëvendësueshme është paraqitur edhe në trajtesat e disa studiuesve lidhur me arsimin shqip gjatë vorbullave të historisë në këtë anë, ku autorët, me një përkushtim të veçantë, me të dhëna të bollshme e të pamohueshme, kanë vënë në spikamë baticat dhe zbaticat në këtë fushë, sidomos “lidhur me vështirësitë në realizimin e tij në frymë kombëtare”.

Marrë në tërësi, si nga pikëpamja e sasisë, e cilësisë, e llojllojshmërisë së studimeve të përfshira në Përmbledhjen e punimeve “Presheva, Bujanoci dhe Medvegja – dje, sot dhe nesër”, ashtu edhe nga pikëpamja e përgatitjes teknike, përfshirë këtu edhe dy pikturat e ballinës – kopertinës, kjo përmbledhje e arsyeton botimin e saj, kurse Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, që organizuan konferencën shkencore në tetor të vitit 2013 dhe botuan trajtesat dhe studimet e kësaj konference, më 2015, meritojnë çdo respekt. Në fund uroj IAP, me udhëheqësin e tij, Prof. dr. Hysen Matoshi dhe Shoqatën për Trashëgimi të Luginës, me kryetarin e saj, z. Xhemaledin Salihu, që të organizojnë konferenca, sesione apo tryeza shkencore edhe në të ardhmen – në të mirë të popullit e vatanit tonë./rajonipress/