Eko Higjiena

Një gjeneral për të humbur Prishtinën

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Armand Shkullaku – Prishtina mbetet “kafshatë që s’kapërdihet” për Hashim Thaçin. Kryeministri i Kosovës thuajse e ka pranuar publikisht pafuqinë e tij për të fituar kryeqytetin, kur paraqiti si kandidat të PDK për zgjedhjet e 3 nëntorit, ministrin aktual të FSK, Agim Çeku. Me një mungesë të theksuar entuziazmi që i lexohej qartë në fytyrë, Thaçi la të kuptohej se po hynte në një garë për të siguruar të paktën vendin e tretë. Për herë të parë, ambicia e dështuar e PDK për të mposhtur LDK në kryeqytet është shuar pa nisur fushata elektorale.

Kandidimi i një figure të importuar si Agim Çeku ngjan me një lëvizje taktike të dëshpëruar të Thaçit për të mbuluar dobësinë e partisë së tij në kryeqytet. Në gjithë këto vjet, PDK nuk arriti të forcojë pozitat e saj në Prishtinë dhe nuk qe në gjendje të prodhojë një kandidat që të rivalizonte seriozisht me Isa Mustafën e LDK. Agim Çeku, deri para disa muajsh kryetar i Partisë Socialdemokrate, pjesë e një koalicioni me Behgjet Pacollin, dha dorëheqjen nga kjo parti për të kaluar në partinë e Thaçit.

Ai ka qenë shef i shtabit të UÇK, pas lufte komandant i TMK, dy vjet kryeministër i Kosovës, më pas kryetar partie dhe ministër dhe tani kandidat i Thaçit për komunën e Prishtinës. Me këtë karrierë kaq të larmishme, Çeku ka qenë kandidati perfekt për të mos i thënë jo manovrës së Thaçit. Madje aq perfekt sa të besojë edhe në fitore.

Por Hashim Thaçi nuk ka mendjen e Çekut, e sigurisht që nuk beson në fitore. Ai bën politikë ndërsa gjenerali shkon në luftë. Çeku nuk i duhet për të fituar, por për të maskuar pikat e tij të dobëta, në radhë të parë dështimin për të gjetur një kandidat brenda PDK dhe së dyti, e lidhur me të parën, kapitullimin pa kushte para LDK në Prishtinë. Duket çudi që partia më e madhe në vend nuk arriti të nxjerrë një figurë të vetën për Prishtinën dhe të hyjë në garë me një kandidat që ka vetëm pak muaj që është pjesë e saj.

Fundamenti

Emra të njohur të PDK, si Hajredin Kuqi apo Enver Hoxhaj thuhet se nuk kanë pranuar të kandidojnë përballë Isa Mustafës. Të vetëdijshëm për pozitën e partisë së tyre në kryeqytet, për mungesën e një projekti për Prishtinën dhe të një investimi politik serioz afatgjatë tek kandidati, ata nuk kanë marrë përsipër riskun e humbjes në momentin final. Autoriteti i Thaçit mesa duket nuk ka qenë i mjaftueshëm për të bindur ndonjë prej figurave kryesore të PDK të hyjë në sfidën për Prishtinën.

I pamjaftueshëm ka qenë autoriteti i kryeministrit për të shuar edhe ndonjë sherr brenda PDK, nëse kandidati do të përzgjidhej në një nivel më poshtë se dy- tri figurat kryesore të partisë. Moskandidimi i Memli Krasniqit apo i Lirak Çelës, thuhet se ishte pasojë e konflikteve të brendshme në degën e PDK. Dhe për t’i vënë kapak “krizës së Prishtinës”, Thaçi e shpiku përsëri zgjidhjen. Duke kandiduar Agim Çekun, ai krijoi përshtypjen sikur PDK nuk është fare në garë. Sepse Çeku është, por edhe nuk është PDK. Me përmasat e ish-gjeneralit, Thaçi tentoi të mbulojë krizën aktuale të PDK për të patur një kandidat dinjitoz për Prishtinën dhe njëkohësisht të lajë duart sa të mundet nga rezultati i 3 nëntorit.

Por në fund të fundit, e gjitha kjo është një taktikë për të menaxhuar humbjen. Të futesh në një garë për të mbajtur vendin e tretë është turpëruese për një parti të madhe si PDK. Është një dëshmi se kryeministri Thaçi më shumë ka ecur me taktika e strategji të vogla sesa me programe dhe investime politike afatgjata. Më shumë ka besuar te përçarja e kundërshtarit dhe aleancat e momentit, se sa te forcimi dhe rritja e partisë së tij. Kandidimi i Çekut sado të duket një gjetje, në thelb mbetet një refleks i refuzimit që Prishtina i bën PDK dhe i paaftësisë së kësaj të fundit për t’ia fituar zemrën kryeqytetit.

Autori eshte: Gazetar nga Tirana. Kjo kolumne eshte marre nga Gazeta Mapo.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.