Një 13-vjeçare në rrugën e Zhyl Vern-it të famshëm

Vetëm 13 vjeç dhe shkruan e boton romanin e parë. Është nga Korça dhe quhet Enisa Adil. “Ti, jo më kot e ke emrin Enisa. Dhe ne e dimë që ti je nisur dhe po ecën në një rrugë të bukur, moj vajzë. Kjo rrugë të ka çuar mes yjeve dhe planetëve të çuditshëm, ku t`i je si në shtëpinë tënde. I njeh dhe të njohin, i flet dhe të flasin, i buzëqesh dhe të buzëqeshin. T`i vetëm ecën e ngarkuar me dilemat e moshës dhe të papriturat e saj. Po ç’them edhe unë; t`i Enisa nuk ecën, t`i fluturon, duke kaluar me anijen tënde kozmike nga një aventurë në tjetrën, nga një çudi në tjetrën, nga një befasi në një tjetër. Dhe duke e mbajtur kështu lexuesin në mënyrën habitore…
Ashtu si dhe të tjerë që e kanë lexuar në dorëshkrim këtë libër, edhe unë u gabova duke sjellë ndërmend idenë e një përkthimi. Por jo, ky libër, ndër të rrallët fantastiko-shkencorë në letrat shqipe e që janë aq të kërkuar nga fëmijët, mban emrin tënd: Enisa Adil. Rruga e mbarë të qoftë!”-kështu shkruan në parathënien e romanit poeti i njohur Skënder Rusi.
“Euin”, libri i parë i serialit “Sekreti i të fundit”, nuk është një roman i zakonshëm, pasi, ashtu si vetë ky emërtim i veçantë (me të cilin autorja Enisa Adil ka preferuar të nënkuptojë një lloj zambaku), libri tenton të shkojë në skajet e fantazisë. Përveç përmbajtjes fantastike, që të kujton librat e Zhyl Vernit, autorja, edhe pse mjaft e re në moshë, shfaq një leksik jashtëzakonisht të pasur që i tejkalon kufijtë e normales për brezin e vet.
Enisa ka arritur të shkruajë një roman me një strukturë moderne, ku bien në sy jo vetëm tituj e bukur dhe mjaft të gjetur, por edhe përshkrime të detajuara të disa kështjellave të çuditshme, të natyrës, ngjyrave, tingujve, sikur të ishte një piktore. Mandej, detajet e fantazisë teknologjike, përshkrimi i udhëtimeve dhe infra-strukturës ndërgalaktike mund të zilepsin edhe profesionistët. Po nuk mjaftohet vetëm më kaq: autorja depërton me këto përshkrime deri edhe tek personazhi, jo për të ndihmuar lexuesin të kuptojë personazhin, por për të ndihmuar personazhin të kuptojë vetveten.
Skeda e librit:
Autori: Enisa Adil
Titulli: Euin (Seria: Sekreti i të fundit, libri 1)
Gjinia: Roman fantastiko-shkencor
Redaktor: Skënder Rusi
Botues: “Naimi”-Shtëpi botuese dhe studio letrare