Fundamenti

Niveli qendror duhet t`i lejojë komunat të zhvillohen ekonomikisht

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Mungesa e një plani të zhvillimit ekonomik lokal u ka shkaktuar shumë telashe komunave të Kosovës në zhvillimin e qëndrueshëm të tyre.

Përfaqësuesit e komunave ankohen se niveli qendror u ka deleguar përgjegjësi, por nuk i len të zhvillojnë resurset ekonomike komunale pa lejen e Qeverisë. Bashkëpunimi i pushtetit lokal me bizneset është vlerësuar si çelësi i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik në komuna.

Ky konstatim ka dal në punëtorinë tri ditore të organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung FES dhe D Press me komunat e rajonit të Gjilanit. Eksperti i qeverisjes lokale, Besnik Tahiri nga KLGI, tha se çdo komunë duhet të ketë planin e vet zhvillimor në mënyrë që të projektojë strategjinë zhvillimore e cila “gjithsesi duhet të merr për bazë resurset dhe kapitalin që ajo posedon”.

“Strategjia duhet të jetë udhërrëfyes i zhvillimit ekonomik si dhe të jetë në vazhdimësi e konsultuar me biznesin që punon në komunë dhe përfaqësuesit tjerë të grupeve të interesit”, tha Tahiri.

Inkorporimi i platformës politike të kryetarit të komunës, sipas Tahirit, duhet të gjejë vend në strategjinë komunale për zhvillim ekonomik “në mënyrë që ajo të jetë e zbatueshme, pasi që është pikërisht kryetari i komunës ai që drejton politikat dhe merr vendimet gjatë implementimit të kësaj strategjie”, tha ai.

Fatmir Matoshi nga D-Press, duke prezantuar gjendjen aktuale në pesë komuna të rajonit të Gjilanit, ka thënë se këto komuna deri më tani janë sjellë vetëm si administratore të buxhetit të ndarë nga niveli qendror.

Fundamenti

“Sot nuk është më sfidë menaxhimi ose administrimi i buxhetit të ndarë nga niveli qendror. Tani sfidë është gjenerimi i të hyrave tjera si dhe sjellja e investitorëve të mundshëm”, tha Matoshi.

Sipas tij, buxhetet që i kanë komunat nuk duhen të shihen si mjet për zhvillim ekonomik dhe punësim të njerëzve, por komunat siç tha ai, mund të krijojnë parakushte dhe infrastrukturë të nevojshme për stimulimin e zhvillimit ekonomik lokal.

Enver Mavriqi, kryesues i Kuvendit Komunal të Kamenicës tha se politika duhet të heq përfundimisht dorë nga ndërhyrjet për diskriminim pozitiv të bizneseve të preferuara në mënyrë që të krijohet një barazi dhe konkurrencë e shëndoshë mes tyre.

Safete Graiçevci nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, theksoi se ekziston nevoja për një koordinim më të madh ndërinstitucional i përkrahur nga evidenca, analizat dhe informacioni që vjen nga komunat.

“Vetëm në këtë mënyrë ne mund të kemi planifikim më të avancuar dhe më realist”, tha Graiçevci. Ajo u premtoi përkrahje komunave pjesëmarrëse.

Kryesuesi i KK-së Hani i Elezit, Menduh Vlashi, nuk e ka mbështetur idenë e heqjes së taksës komunale për bizneset lokale pa bërë një analizë paraprake. Menaxhimi i drejtë i taksës komunale, sipas tij, mund të sjellë përfitime më të mëdha si për komunën ashtu edhe për vet bizneset lokale./rajonipress/