RCCOLA

Nishani: Mjeranë janë ata që tentojnë t’i frikësojnë shqiptarët

/ 11 minuta lexim
Uji Dea

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në një intervistë për emisionin “Info – Box” të Radio Dukagjinit, ka theksuar se “flamuri kombëtar është inspirim për këdo, jo vetëm për ne shqiptarët që jemi lindur, jemi rritur dhe jemi edukuar me ndjenjën kombëtare”.

Sipas tij, historia e flamurit kombëtar për shqiptarët është e një rrugëtimi të gjatë nëpër histori, ekzistencës së kombit shqiptar, duke shtuar se “ky flamur është pjesë e rrugëtimit tonë për të qenë të motivuar për të mbërritur aty ku sot jemi, përmes sakrificash të panumërta që i kanë bërë brezat e shkuara, e deri te sakrificat e shqiptarëve në kohët me moderne”.

“Në Kosovë disa gjenerata do të duhej të sakrifikonin shumë gjatë për lirinë, për dinjitetin edhe identitetin. Koha ka treguar se flamuri ynë ka qenë inspirues edhe gjenerues emocionohesh edhe për të tjerët, jo vetëm për shqiptarët”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

Ai ka theksuar se thirrjet, si ajo në Beograd në ndeshjen e futbollit, në mes Shqipërisë dhe Serbisë, janë të papranueshme dhe thellësisht të dënueshme, sepse sipas tij, ato thirrje, shpërfaqin një mentalitet i cili orientohet drejt krimit, drejt vrasjes, çka është e papranueshme në kohën të cilën jetojmë.

“Në fakt, thirrje të tilla, janë kthyer gjithmonë në një kundër-reagim të fortë, nga të tjerët, për atë të cilët i kanë promovuar qasjet agresive të dhunës, vrasjes. Shqiptarët kur nuk kanë qenë agresor në historinë e tyre, por shqiptarët kanë ditur të mbrohen në mënyrë të dinjitetshme, kështu që mjeranë janë ata të cilët ende mendojnë se mund t’i trembin shqiptarët apo t’i përdhosin në kompleksin e këtyre thirrjeve, të cilat jo vetëm që nuk kanë asgjë të përbashkët me civilizimin, por janë padyshim shprehje e mentaliteteve barbare, të cilat fatkeqësisht ende ekzistojnë”, ka theksuar Nishani.

I pari i Shqipërisë, vlerëson se ky 28 nëntor shqiptarët i gjen të përparuar, shqiptarët të cilët sipas tij, mund të komunikojnë dhe lëvizin lirshëm tek njëri tjetri.

“Për mua ka qenë kënaqësia me e madhe e jetës , kur shpenzova vetëm tri orë nga një hotel në Prishtine, ku qëndrova para disa kohësh, deri në apartamentin tim në Tiranë. Sot, të gjithë shqiptarët e rajonit nuk i pengon askush më, as regjimi stalinist në Shqipëri dhe as regjimet shoviniste të ish-Jugosllavisë, që të takojnë njëri – tjetrin, që të shkëmbejnë njëri me tjetrin, të pinë një kafe në Prizren, Prishtinë, Gjakovë, Tetovë, Shkup, ne Tiranë, Vlorë, Kukës, buze Liqenit të Shkodres apo Pogradecit. Sot jemi goxha të përparuar, mirëpo edhe jemi përballë shumë sfidave të mëdha, të cilat kërkojnë përgjegjshmëri, maturi, dhe mbi të gjitha kërkojnë gatishmëri për sakrifica, në kuptimin e kontributit të punës, arsimimit të mëtejshëm, për kujdesin për brezin e ri dhe mbi të gjitha të komunikimit më të mirë në mes veti” shprehet ai.

Shefi i shtetit shqiptar, duke folur për rrugëtimin e shtetit shqiptar në Bashkimin Evropian (BE), ka theksuar se ky është një proces i cili ka ecur në mënyrë pozitive, por sipas tij, “unë nuk gjej shfajësim nga argumentet pse Shqipëria ka qenë më e vonuar krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, në rrugën evropiane”.

“Nuk gjej asnjë argument, përderisa Shqipëria i ka të gjitha kapacitet e saj, se pse vendi ynë nuk është së paku në një linjë të barabartë me vendet e tjera të Ballkanit perëndimor, në stadin e përparimit dhe të prosperitetit. Ne duhet të kemi parasysh, se nuk do të kemi për të pasur asnjëherë sukses nëse ne i ankohemi vetes për fajin e të tjerëve. Do të kemi gjithmonë sukses nëse e analizojmë përgjegjësinë tonë si shqiptar dhe institucione shqiptare, për sukseset dhe dështimet”, ka thënë Nishani.

Ai më tutje ka deklaruar se përgjegjësia më e madhe, për sukseset e vendit, është e klasës politike, e cila sipas tij, është vendimmarrësja kryesore dhe ajo e cila ka dal tek qytetarët shqiptar dhe ka kërkuar mandate përfaqësimi.

“Më mirë ta ketë një lloj nxitje për të parë sesi duhet hedhur hapat më përpara dhe të ecim me ritmin e kohës. Ne nuk kemi kohe për të humbur, ne duhet të ecim me ritmin e kohës, por rrezikojmë që kohën ta ndalim. Koha punon për shqiptarët, mirëpo nëse nuk kujdesemi për kohën ka rrezik që koha të ndalet”, ka thënë Nishani.

Sipas presidentit të Shqipërisë, shteti Shqiptar është angazhuar në mbrojtje të interesit të shqiptarëve në rajon, duke shtuar se “Shqipëria nuk mund ta bëjë paternalisten ndaj shqiptarëve të Kosovës, atyre të Maqedonisë, Malit të zi, apo atyre të Luginës së Preshevës”.

“Kosova është shtet i pavarur, ka autoritet dhe institucionet e saj shtetërore. Klasa politike në Kosovë ka krijuar maturinë dhe pjekurinë e saj, pavarësisht sfidave te cilat janë prezente edhe në Shqipëri. Në Maqedoni shqiptarët i kanë përfaqësuesit e tyre të zgjedhur, kështu edhe në vendet e tjera të rajonit, ata kanë përfaqësuesit e tyre. Pa dyshim se Shqipëria duhet të jetë një zë akoma më i fortë në përcaktimin e një lloj domosdoshmërie të koordinimit të zërave të përbashkët, për çështje të interesit shqiptar, i cili është edhe interes i Ballkanit”, shprehet ai.

Nishani ka theksuar se “askush nuk mund ta mohojë kontributin e Shqipërisë dhe shqiptarëve për paqe dhe stabilitet në rajon”.

Mobi Casa

“Ky është një shans që i vjen edhe rajonit, vendeve dhe popujve të Ballkanit, sepse faktori kryesor sot në Ballkan janë shqiptarët, dhe ky faktor është fat edhe për vendet e tjera, sepse është i orientuar drejt bashkëjetesës, dialogut dhe mirëkuptimit”, ka thënë ai.

Nishani duke folur për ngërçin politik në Kosovë, dhe shtyrjen e formimit të institucioneve, më pas edhe për marrëveshjen në mes PDK-së dhe LDK-së, për ta ndërtuar qeverinë e re, ka theksuar se demokracia sjell sfida, dhe se sipas tij, demokracia vetë është një sfidë.

“Në Shqipëri për herë të parë, nga historia e pluralizmit, kemi një president që vjen nga qendra e djathtë dhe një qeveri që është nga qendra e majtë. Nuk duhet të surprizohemi dhe nuk duhet edhe të stopohemi para sfidave të tilla, nëse rezultojnë me marrje reale të përgjegjësisë dhe në interesin e qytetarit dhe perspektivës evropiane”, ka theksuar ai.

Nishani, mungesën e një marrëveshje, në mes spektrit politik në Kosovë, deri më tani e sheh si një bashkudhëtare të natyrës dhe sfidave që ka vet demokracia, duke shtuar se “ajo që dëshiroj të shoh është prosperimi i mëtejshëm i jetës së qytetarëve dhe institucioneve në Kosovë. Unë besoj se janë të gjitha shanset dhe mundësitë që të rikuperohet edhe një minutë nëse është humbur”.

“Për ne shqiptarët, dhe jo vetëm për Kosovën, mirëpo për të gjithë shqiptarët kudo që janë, rruga e integrimit evropian është alternativa e vetme, sepse nëpërmjet saj bëhet e mundur jetësimi i vizionit evropian tek shqiptarët, si kombi më i hershëm evropian i rajonit. Unë besoj se koha është elementi me i çmuar për çdo shoqëri, unë nuk quaj humbje kohe vetëm javët ose muajt, sepse çdo minutë është humbje kohe për një shoqëri”, shprehet i pari i shtetit shqiptar”, ka theksuar ai.

I pari i shteti shqiptar, mendon se çështjet e tilla, ngërçi i krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit, janë sfida të cilat i sjell demokracia, dhe Kosova sipas tij, nuk është rasti i vetëm dhe i parë që po ballafaqohet me situata të tilla.
“Kemi vendosur që të ndërtojmë një demokraci funksionale dhe një sistem politik të orientuar tek pluralizmi politik, ku brenda këtij sistemi mund të ketë interesa të ndryshme politike, po në fund duhet të merren përgjegjësitë. Unë besoj se përgjegjësia nuk i takon vetëm qeverisë, koalicionit qeverisës, por tërë klasës politike. Ajo që më gëzon si shqiptar, është kur shoh se përgjegjësitë politike, po merren shumë më seriozisht si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri”, ka shtuar Nishani.

Ai ka folur edhe dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin të marrëdhënieve në mes dy vendeve, ku ka theksuar se dialogu sot është një vlerë dhe parim evropian, dhe se shqiptarët kudo që ndodhen sipas tij, janë përcaktuar qartë te vlerat dhe parimet evropiane.

“Ne (shqiptarët) nuk mund t’i jetësojmë këto parime, pa këto elemente përbërëse, ku dialogu dhe komunikimi është pjesë përbërëse e këtyre vlerave. Në Shqipëri, veçanërisht për shkak të izolimit inekstremis, që ka pasur vendi për pesë dekada, ka munguar dialogu, ku Shqipëria dhe shqiptarët sipas tij, kanë humbur shumë. Ne sot ende i vuajmë pasojat e mungesës së madhe të dialogut. Në rastin e Serbisë dhe të Kosovës, të cilat në tavolinën e bisedimeve dialogojnë si dy shtete de facto, dialogu mbetet një element i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm”, ka theksuar Nishani.

Sipas tij, dialogu do të ishte i padobishëm nëse marrëveshjet e arritura nuk i shikojmë si të zbatuara në terren dhe në mënyrë konkrete, duke shtuar se “zbatimi i marrëveshjeve është sfidë për Serbinë, Kosovën dhe vetë Bashkimin Evropian (BE), i cili ka dal garant dhe i ka lehtësuar këto marrëveshje”.

Shefi i shteti shqiptar, vizitën e kryeministrit të Shqipërisë në Beograd, e ka cilësuar si shumë të rëndësishme për relaksimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, duke shtuar se “vizita në vetvete ka qenë një mesazh pozitiv, dhe se ajo ka përçuar mesazhin që Shqipëria ndër vite e ka te konsoliduar si parim, që ka të bëjë me komunikimin dhe dialogun”.

“Qëndrimi i Ramës në Beograd, ishte një rikonfirmim i qëndrimit të shtetit shqiptar që ka jo vetëm për dialogun dhe bashkëpunimin rajonal, por edhe pozicionimi e politikës së jashtme të Shqipërisë, për rajonin. Ishte një konfirmimin I asaj se gjërat duhet thënë direkt dhe hapur, sepse asgjë e keqe nuk vjen nga komunikimi dhe dialogu, pavarësisht këndvështrimeve që të atyre që bisedojmë”, ka shtuar ai.

Nishani reagimi e kryeministrit të Serbisë, Aleksander Vucic, gjatë konferencës për shtyp, pas takimit të këtij të fundit me shefin e qeverisë shqiptare, e quan krejt të pajustifikaur dhe jashtë etikës diplomatike.

“Unë pres dhe vlerësoj çdo ftesë që mund të vjen nga Prishtina, Gjakova, Prizreni, Peja dhe nga çdo komunë e Kosovës, sepse jo vetëm që na bashkon dëshira për të bashkëbiseduar më vëllezërit e tu, por çdo pëllëmbë e Kosovës është një histori, është një pjesë e kulturës së hershme të shqiptarëve. Mbi të gjitha është mundësi për të shkëmbyer përshëndetjet me njerëzit atje, por për këndvështrimin për një të ardhme të përbashkët evropiane të shqiptarëve”, ka thënë Nishani, duke u përgjigjur në pyetjen se a do ta mirëpriste një ftesë për ta vizituar Kosovën./Radio Dukagjini/