Ngrohtësi vargjesh – fjalës i përzgjedhur

Nga Sulejman Dërmaku – (Sabile Keçmezi – Basha: “Në fermë”, poezi për fëmijë e të rinj, LSHK, Prishtinë, 2024).
Pas një vistër librash zhanresh të ndryshme, autorja, Sabile Keçmezi – Basha, vjen me librin më të ri poetik titulluar “Në fermë”, me kushtimin në fillim të tij, nipave të saj, Gertit, Darsit e Benit, me dashuri. Brenda kopertinave të librit janë përmbledhur poezi për fëmijë, të shkruara gjatë verës së shkuar, por në fund të librit janë përfshirë edhe disa poezi, shkruar dhe botuar që në fëmijëri e në rini të autores, shoqëruar dhe me faksimilet e botimeve në gazeta e revista të atyre kohëve. Janë këto një dëshmi e mirë për dhuntinë dhe orientimin e hershëm të autores në fushë të artit letrar, përgjithësisht, e në fushë të poezisë, posaçërisht.
Në vargjet e të gjitha poezive mrekullisht është bërë gërshetimi i realitetit, që fëmijët tashmë e jetojnë, dhe i fiksionit, që tashmë e dëshirojnë dhe e ëndërrojnë ata.
Letërsia moderne për fëmijë, ndër teoricienë të letërsisë, klasifikohet sipas dy mënyrave të ndryshme: sipas zhanrit ose sipas moshës së synuar të lexuesit. Ndërkaq, letërsia paramoderne për fëmijë, dikur, sikur më shumë prirej të ishte e natyrës didaktike dhe moraliste, me qëllim të përcjelljes së mësimeve të sjelljes, edukative dhe qytetëruese.
Ndonëse ende nuk ka një përkufizim të vetëm ose të përqafuar gjerësisht për letërsinë për fëmijë, ajo do të mund të përkufizohej, përgjithësisht, si tërësi e veprave të shkruara dhe e ilustrimeve shoqëruese, të prodhuara për të argëtuar ose për të udhëzuar fëmijët dhe të rinjtë, madje, pse jo, edhe lexuesit e moshave të mëdha.
Ka libra që fillimisht ishin të destinuar për fëmijë, e më vonë u bënë klasikë të letërsisë për të rritur, si Liza në botën e çudirave, librat e Mark Tuenit ose të Çarls Dikensit etj. Ka edhe libra që në kohën e botimet të tyre nuk i kishin në mendje fëmijët, porse sot janë literatura thelbësore e tyre, si: Robinson Kruso apo Udhëtimet e Guliverit e ndonjë tjetër. Prandaj, përkufizimet moderne të këtij zhanri të ndryshëm sot përcaktohen më shumë përmes vetë audiencës: letërsia për fëmijë, pra, është letërsia që vetë fëmijët e zgjedhin dhe e pranojnë si të tyren.
Si veçori të rëndësishme formale mund të veçojmë shkurtësinë relative të veprave, thjeshtësinë e gjuhës me të cilën janë shkruar dhe mjetet ritmike, vjershat dhe dialogët dinamikë, me më pak përshkrim dhe analiza të thella psikologjike të personazheve, siç ndodh edhe në poezitë e përmbledhjes së autores Keçmezi – Basha, “Në fermë”.
Historitë aventureske, udhëtimet fantastike, botët përrallore dhe komplotet e fatit janë shumë interesante për moshat e vogla dhe për të rinjtë. Ndaj edhe aventurat, thënë kushtimisht, nëpër viset tona etnike, duke filluar nga fshati e deri te deti, liqeni e mali, shprehur nëpërmjet vargjeve të këtyre poezive, jemi të bindur se do të zgjojnë kureshtjen e lexuesit që i dedikohen ato.
E tërë përmbledhja e autores Sabile Keçmezi – Basha “Në fermë”, përshkohet nga një narracion interesant, i artikuluar nëpërmjet vargjeve të lehta, të këndshme e të kapshme për mosha të vogla të fëmijëve, por që me ëndje do t’i lexojnë edhe ata të moshave ca më të mëdha, madje edhe të rriturit vetë, gjithsesi ata që e duan këtë zhanër të letërsisë, e sidomos ata lexues të rritur, të cilët tashmë janë gjyshe e gjyshër dhe e dinë se ç’ndjenë është ajo e gjyshërisë, e cila nuk shpjegohet dot, ajo vetëm përjetohet. Sepse, po u bënë përpjekje që të shpjegohet ajo (ndjenja, pra, e gjyshërve ndaj mbesave e nipërve), ka drojë që mund të zbehet, të humbë nga fuqia e emocionit që ndihet.
Të gjitha poezitë e përmbledhjes së sipërthënë sikur përplotësohen me ilustrimet e zgjedhura me përkushtim dhe të vendosura midis vargjeve përkatëse, duke komunikuar kështu lexuesi edhe me ilustrimin, të cilin “do ta lexojë”, varësisht nga imagjinata dhe perceptimi individual i temës së trajtuar në atë poezi, shpërfaqur nëpërmjet atyre vargjeve dhe atij ilustrimi.
Mesazhet që dalin nga vargjet e poezive të përmbledhjes së autores Keçmezi Basha, “Në fermë”, nuk janë të ngurta, as skolastike, që do të mund të kishin kundërefekt te lexuesi, përgjithësisht, e te lexuesi i moshës së vogël, posaçërisht. Përkundrazi, ato sikur dalin spontanisht, nga ngrohtësi e atyre vargjeve, me fjalës të përzgjedhur e të latuar, nga bukuri e peizazheve, qoftë të fshatit, qoftë të malit, qoftë të liqenit, qoftë të bregdetit apo të brendive të valëve të detit e banjës së diellit, që njerëzit ditët e verës i shfrytëzojnë për ta bërë atë.
Si Liza në botën e çudirave e Luis Karolit, edhe në vargjet e përmbledhjes “Në fermë” të autores Keçmezi – Basha, tani Gerti, Darsi e Beni mrekullohen në botën e çudirave tona autentike, në fshat, në fermë, në det, në liqen e në mal… Atje ndeshin kafshë e shpesë, të buta e të egra, që shumë fëmijë nga qyteti kanë mundur t’i shohin vetëm në televizor, a në libra të ilustruar për parashkollorë. Ndërkaq, nëpërmjet ngrohtësisë së vargjeve të poezive të kësaj përmbledhjeje, autorja jo vetëm ua bën të njohura, veçse edhe shumë të dashura edhe atyre lexuesve që për herë të parë i ndeshin në realitetin poetik./rajonipress/