Eko Higjiena

Nga e drejta për jetën tek e drejta e fundme, ende e pafituar

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Naim Zoto – Kur mbarova së lexuari në dorëshkrim studimin monografik të juristes së re Danja Sinani, mes të tjerash m’u kujtua edhe një artikull i kolegut tonë, të ndjerit Ardian Klosi, shkrim që u bë i famshëm sidomos pas vetëvrasjes së tij disa muaj më vonë, duke u komentuar pas kësaj si një paralajmërim i ngjarjes tragjike.

Ja, një fragment nga shkrimi i Klosit, nën titullin fatal “Këta s’të lënë as të vdesësh”:
“Në opinionin tonë publik nuk do të ketë, me sa duket edhe për një kohë të gjatë, as debat për vetëvrasjet në përgjithësi, megjithë numrin e tyre tmerrues në rritje, as për eutanazinë në veçanti. Na kujtohet për fat të keq konstatimi i shkrimtarit të shquar austriak Jozef Rot që vizitoi vendin tonë më 1927, kur shkruan se “në Shqipëri nuk lejohet opinioni publik, por edhe po të lejohej, ai nuk do të ekzistonte”.

Me siguri Dan Klosi nuk e dinte se një vajzë e re që kishte përfunduar studimet në Francë prej muajsh po punonte për mbrojtjen e Master-it tamam me një temë që sjell në vëmendjen e opinionit publik shqiptar një nga debatet më të forta dhe më të ndërlikuara të jetës sociale bashkëkohorë evropiane, eutanazinë, thënë më shqip, të drejtën e njeriut për të vdekur, ashtu si ka fituar edhe të drejtën për jetën. Natyrisht, është fjala për të drejtën e individit në rrethana kur jeta e tij nuk ka më kuptim në këtë botë, si, për shembull, kur vuan nga sëmundjet e pashërueshme etj. Nga ana tjetër, ky problem shkon përtej dilemës së Shekspirit “to be or not to be”. Çështja duket më shumë se shekspiriane: “Dua të vdes, por kjo nuk (më) lejohet”!

E, pra, Danja Sinani, autore e studimit “Përkufizimi juridik i vdekjes: Eutanazia)”, që tashmë i paraqitet publikut si libër, na sjell një argument të rrafshit evropian dhe botëror. Me parashtrimin e temës, historikun e debatit mbi të drejtën e vdekjes, pasurinë e citimeve, referencave, fakteve e argumenteve të shumta, duke i përqasur ato me realitetet sociale e juridike në nivel evropian, por edhe shqiptar, autorja ka realizuar një monografi unike, të parën monografi në gjuhën shqipe mbi eutanazinë. Shkurt, nga pikëpamja profesionale, tashmë lexuesi ka në dorë jo vetëm një monografi për një argument evropian, por edhe të standardit e të frymës evropiane. Argumenti, sidoqë mjaft delikat, trajtohet në disa rrafshe dhe duke iu referuar aspekteve e këndvështrimeve nga fusha e moralit, filozofisë, religjionit, politikës, legjislacionit, traditës, por gjithnjë në funksion të certifikimit juridik të problemit, duke synuar në një zgjidhje juridike të arsyetuar edhe për shoqërinë shqiptare.
“Në ditët e sotme nuk diskutohet më për të bërë të pranueshëm prej qytetarëve termat “eutanazi” apo “e drejtë për të vdekur”, por diskutohet në një plan më të gjerë, kryesisht juridik. Prandaj lind në mënyrë të natyrshme pyetja: A duhet të nënkuptojë juridikisht eutanazia gjithnjë një krim (në potencë së paku), apo duhet të kuptohet përgjithësisht si një paralele e së drejtës së jetës?… Teorikisht dhe praktikisht, çdokush ka të drejtën ta jetojë jetën siç dëshiron dhe për këtë arsye ky punim do të tentojë të shpalosë argumente në lidhje me faktin se, ashtu sikurse çdo person zgjedh mënyrën sesi ta kalojë jetën e tij, ashtu do të duhej t’i sigurohej një zgjidhje juridike edhe për mënyrën sesi do të dëshironte të vdiste, nëse do të shkonte drejt këtij vendimi”, shkruan autorja në hyrje të punimit.

Para shumë vjetësh, kur shërbeja gazetarin, kam takuar një plak të mençur, i cili, duke biseduar rreth kësaj teme, më pati thënë pak a shumë kështu: “Jetën e kam dhuratë nga prindërit dhe nga Zoti, por vdekjen e kam në dorë vetë. Dua të vdes (i) bukur!”. Ndoshta, ai nuk e dinte se edhe termi ndërkombëtar “eutanazi” (shqip-e drejta për të vdekur) fjalë për fjalë do të thotë pikërisht kështu: një vdekje e mirë. Mirëpo, edhe pas mijëra vjet civilizim, midis njeriut si individ i lirë, i vetëmjaftueshëm për të përcaktuar fatin e vet, përfshi edhe të drejtën e fundit (të drejtën e fundme) dhe njeriut si qenie sociale (shoqërore) të ndërkallur në rrjetat e moralit, religjionit, traditave, traktateve juridike e administrative apo familjare, pra, midis të dyve këtyre statuseve (individ dhe qenie sociale) ekziston ende një konflikt i pazgjidhur dhe i parregulluar juridikisht: individi nuk mund të zgjedhë paraprakisht fundin e vet, edhe pse ky fund mund të jetë i shëmtuar, jodinjitoz, plot vuajtje për vete dhe për të tjerët.

Juristja Danja Sinani, me guxim dhe me profesionalizëm, përmes kësaj monografie, duke parashtruar me ngjarje, fakte, praktika juridike të vendeve të zhvilluara ku eutanazia zbatohet pjesërisht apo plotësisht, duke iu referuar traktateve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, më hollësisht legjislacionit të BE, argumenton nevojën e rregullimit ligjor të këtij problemi edhe në Shqipëri.

Çështja shkencore që merr përgjigje përmes këtij studimi është nëse eutanazia është një krim i zakonshëm dhe për këtë arsye nuk duhet depenalizuar apo është një paralele e së drejtës së jetës, dhe nëse është e tillë, atëherë a e mbron ajo të drejtën e dinjitetit? Autorja, përmes një logjike strikte, del në përfundimin se, herët a vonë (më saktë, më mirë tani se më vonë), kjo e drejtë duhet të njihet, paralelisht me të drejtën e jetës.

Ndryshe nga shumë punime të këtij lloji, ku shkruhen e mbrohen thjesht për efekte karriere diploma, mastera, doktoratura pa asnjë vlerë dobie publike apo risie profesionale, kjo monografi është një shembull se si kërkimi shkencor mund të rezultojë edhe si një zgjidhje e gatshme për një problem madhor social e juridik. Autorja paraqet si shtojcë të librit praktika dhe formularë të gatshëm për zbatimin e eutanazisë, ndërkohë që e gjithë puna kurorëzohet me hartimin e një draft-ligji shqiptar për eutanazinë. Ndonëse në vendin tonë nuk njihet ndonjë rast që ligji të marrë emrin e autorit a hartuesit, siç ndodh shpesh në botën e qytetëruar, projekt-ligji i propozuar mund të emërtohej edhe me emrin e autores: “Ligji i Danjës”, gjë që mund të shërbente si një nxitje e model për gjithë profesionistët e tjerë, sidomos ata të rinj që kanë kryer apo janë duke kryer studimet nëpër universitetet cilësore jashtë apo brenda vendit.

Nga ana tjetër, kjo monografi, që tashmë i paraqitet lexuesit si libër, nuk është thjesht një manual juridik për eutanazinë. Sa është një libër për juristët, mjekët, kriminologët, politik-bërësit, ca më shumë duket me interes për lexuesit e thjeshtë, për të kuptuar “stacionin e fundit” të jetës së njeriut, e cila mund të vijë natyrshëm dhe pa ndërlikime, por edhe me mundime e vuajtje të mëdha. Pra, mund të jetë një “vdekje e bukur”, “një kapak floriri”, por edhe një ferr të cilin individi nuk do të dëshironte ta përjetonte më tej. Në librin “Përkufizimi juridik i vdekjes” problemi parashtrohet e analizohet si një çështje komplekse, me gjithë delikatesën dhe frymën humaniste të kërkuar nga tema përkatëse. Libri ofron njohuri të reja, dije, por edhe një shërbesë për njeriun si individ e qenie sociale njëkohësisht, ashtu si ofron një zgjidhje juridike, praktike, për institucionet publike që përballen apo duhet të përballen nga një problematike reale që deri më sot fshihet, mohohet, trajtohet me hipokrizi a mjete dhe praktika ilegale që shkelin dinjitetin njerëzor edhe në fund të jetës.

(Materiali ka shërbyer si parathënie e librit të sapobotuar me titullin “Përkufizimi juridik i vdekjes: Eutanazia”, me autore juristen Danja Sinani, botimet “Naimi”, Tiranë 2012)

UBT

Të dhëna për autoren

Autore e librit, Danja Sinani, ka kryer studimet në Universitetin “Lumière, Lyon 2” në Francë, studime universitare për të drejtë private. Më pas thelloi me rezultate të shkëlqyera studimet e shkallës Master në Universitetin Europian të Tiranës duke realizuar dhe studimin monografik “Përkufizimi juridik i vdekjes: Eutanazia”, të cilin, më pas, e ktheu në një studim monografik për lexuesin e gjerë.

Vlerësim për librin (nga parathënia e librit):

Danja Sinani, autore e studimit “Përkufizimi juridik i vdekjes: Eutanazia”, që tashmë i paraqitet publikut si libër, na sjell një varg argumentesh të rrafshit europian dhe botëror, për të formuar bindjen se e drejta për të vdekur nuk është një atentat ndaj jetës, por plotësim përfundimtar i saj. Me parashtrimin e temës, të historikut të debatit mbi të drejtën e vdekjes; me pasurinë e citimeve dhe referencave të larmishme; me renditjen e fakteve e argumenteve të shumta, duke i përqasur ato me realitetet sociale e juridike në nivel europian, por edhe shqiptar, autorja ka realizuar një monografi unike, të parën monografi në gjuhën shqipe mbi eutanazinë. Shkurt, nga pikëpamja profesionale, tashmë lexuesi ka në dorë jo vetëm një monografi për një argument europian, por edhe një dije të standardit, metodologjisë dhe të frymës europiane.

Citime nga autorja:

E drejta për të vdekur lidhet ngushtësisht me të drejtën e jetës dhe për këtë arsye ajo është një e drejtë shumë komplekse dhe tepër delikate për t’u trajtuar. Kompleksiteti i saj shfaqet nëpërmjet faktit se ajo u përket disa fushave të së drejtës.

Çështja shkencore që jemi përpjekur t’i japim përgjigje përmes këtij punimi është nëse eutanazia është një krim i zakonshëm dhe për këtë arsye nuk duhet depenalizuar apo është një paralele e së drejtës së jetës, dhe nëse është e tillë, atëherë a e mbron ajo të drejtën e dinjitetit? Kjo pyetje ka të bëjë me çështje ekzistenciale të njeriut, me ontologjinë dhe deontologjinë, me të drejtat e individit dhe të bashkësisë.

Eutanazia është një koncept bashkëkohor, por me një traditë të hershme debati në drejtësi si dije dhe në ligjshmëri si praktikë. Në ditët e sotme diskutohen mënyrat e depenalizimit të saj apo në një fazë të mëtejme mënyrat e legjitimimit të saj.

Në punimin tonë eutanazia është vështruar si një pikë qendrore e debateve për të drejtën e jetës, si një e drejtë ekzistenciale themelore dhe ekstrapatriomonale e njeriut, ndërsa e drejta e vdekjes është analizuar pjesërisht si një plotësim in extremis e saj.
Eutanazia implikon individin dhe shoqërinë; është çështje përgjegjësie shtetërore dhe vetjake; ndërlikon filozofinë për jetën, teologjinë, etikën, mjekësinë, jurisprudencën.

Në Shqipëri, konceptet teorike ekzistojnë, por ka një boshllëk ligjor të madh në lidhje me eutanazinë. Mund të mendohet se mungesa e legjislacionit për këtë të fundit sjell si pasojë mohimin në mënyrë të heshtur të së drejtës së gjithsekujt për të vdekur në dinjitet.