Hidromorava

Ne, vrasësit që dështuam

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Imer Mushkolaj – Një shoqëri që nuk ngre zërin ndaj vrasësve, nuk kërkon dënimin e tyre, nuk merr përgjegjësinë për zbardhjen e krimeve që i vihen në barrë – identifikohet vetë me vrasësit. Kur dështojmë që krimet t’i zbardhim vetë, janë të tjerët që na imponojnë gjykata speciale.

Jetojmë me vrasës në mesin tonë për vite me radhë, pa a pasur guximin për të thënë qartë dhe me zë të lartë se ata që kanë bërë krime duhet të hetohen dhe dënohen. Mjaftohemi me pritjen se vetëm të tjerët duhet dënuar për krimet që na kanë bërë, e harrojmë me dashje se krimi është krim, pa marrë parasysh nga kush e ku kryhet. Dhe, kur dështojmë që krimet t’i zbardhim vetë, mbase edhe duke menduar se ato mund të harrohen me kalimin e kohës, janë të tjerët që na imponojnë gjykata speciale, duke vulosur kështu dështimin e gjithë sistemit të drejtësisë kosovare, bashkë me gjykatat ndërkombëtare që kanë funksionuar deri tash në këtë vend.

Të pazotë për të kryer punën në mënyrë profesionale janë treguar prokurorë e gjykatës kosovarë, të cilët të fshehur pas kolegëve ndërkombëtarë nuk kanë nisur asnjë, ama asnjë hetim për krime të rënda. Arsyet mund të jenë të shumta. Mund të jenë ndier nën presion mafioz, parapolitik e politik, si dhe të kërcënuar, ama nuk na e kanë thënë këtë. Thjesht, kanë pranuar të qëndrojnë në postet e tyre pa bërë asgjë, pa pikë dinjiteti, përderisa krimi e korrupsioni na kanë ngulfatur, e drejtësia për viktimat as që është parë në horizont.

Madje, në raste të caktuara, kur kanë gjykuar bashkë me kolegë ndërkombëtarë, gjykatës kosovarë edhe janë tërhequr nga ndonjë vendim i marrë bashkërisht, duke treguar kështu gjithë joprofesionalizmin dhe mosgatishmërinë për t’u marrë me veten, për t’u marrë me “krimet tona”. Me krimet që kanë ndodhur në situatë euforie e entuziazmi çmendurak të pasluftës, atëherë kur konsiderohej trimëri, burrëri e shkuar burrërie t’i vrisje ata që nuk ishin si ti, ata të dobëtit, në emër të hakmarrjes ndaj krimeve të Serbisë në Kosovë.

Është emocionuese, e papranueshme dhe fort e rëndë për familje të viktimave të luftës që, ende pa u dënuar ata që ua vranë dhe ua zhdukën familjarët e tyre, të krijohet një gjykatë speciale që do t’i hetojë e dënojë ata që pretendohet të kenë bërë krime në emër të lirisë. Ata njerëz i ka vrarë dikush, nuk e kanë vrarë veten. Dhe nuk janë pak.

Por, po ashtu është e papranueshme që të jetojmë me barrën e krimeve të kryera nga disa prej nesh, në pritje të dënimeve për krimet që të tjerët i bënë ndaj nesh.

* * *

Një shoqëri që nuk ngre zërin ndaj vrasësve, që nuk kërkon dënimin e tyre, që nuk kërkon zbardhjen e krimeve që i vihen në barrë identifikohet vetë me vrasësit. Sepse, krim është edhe të mos e zbardhësh krimin, ta fshehësh atë.

UBT

E zbardhjes së krimit nuk i ndihmohet duke folur për sistem të pavarur drejtësie, ndërkohë që në Kuvend debatohet për raste të mbyllura gjyqësore ose raste nën hetim.

Zbardhjes së krimit nuk i ndihmohet duke lejuar të burgosurit të pinë makiato ditën për diell në kafeteri të kryeqytetit, ndërkohë që flet për sistem modern burgjesh e pallavra si këto.

Zbardhjes së krimit nuk i ndihmohet duke linçuar e rrezikuar jetën e dëshmitarëve, të cilët zgjedhin të heshtin ose ndërrojnë deklaratat, në këmbim të mbetjes gjallë.

E tash kur gjendemi para aktit të kryer, sepse krijimi i tribunalit është punë e kryer, na mbetet vetëm të shohim si spektatorë dhe, mbase të reflektojmë si erdhi puna deri këtu. Të provojmë t’i gjejmë fajtorët që sollën këtë situatë 15 vjet pas përfundimit të luftës. Mbase edhe të përpiqemi të gjejmë përgjigje në pyetjen pse u desh të ndodh kjo, kur si asnjë vend tjetër, Kosova ishte e mbushur plot prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë që mision të vetëm kishin zbardhjen e krimeve dhe dënimin e autorëve të tyre. Dhe këtë nuk e bënë.

* * *

Viktimat janë viktima dhe nuk ndahen në “tonat” dhe “të atyre”. Nuk përulen viktimat “tona” duke hetuar dhe dënuar krimin kundër viktimave “të atyre”. Përkundrazi, sa më shpejt që shoqëria merr përgjegjësinë që i takon për zbardhjen e krimeve dhe për të vënë drejtësi në vend, aq më parë kthehemi në një shoqëri të përgjegjshme.

Të dënosh vrasësit është shumë më mirë se të jetosh bashkë me ta. Qoftë edhe nëse na thonë se me hetimin dhe dënimin e tyre po u dënuaka lufta e pastër, po u dënuaka Kosova, po u dëmtuaka imazhi i vendit.

Krimet janë individuale dhe si të tilla duhet të gjykohen. Imazhi i vendit prishet jo duke dënuar vrasësit, por duke i lënë ata të lirë. Në emër të luftës. Në emër të lirisë.